Nga: Dashnim HEBIBI, Preshevė
Në Luginën e Preshevës, ku çdo rrahje zemre shqiptare matet me shpresën për një Kosovë të fortë dhe të drejtë, sot mbizotëron një ndjenjë e thellë zhgënjimi dhe dhimbjeje. Dështimi për të shtatën herë radhazi për të konstituuar kryetarin e Kuvendit pas zgjedhjeve të 9 shkurtit është kthyer në një plagë të hapur, që rëndon mbi ne të gjithë.
Në një ditë kur Kosova përkujon me lot dhe mall të zhdukurit e saj, skenat në Kuvend nuk ishin të denja për dhimbjen e këtij populli. Deputetët, në vend të bashkimit dhe përgjegjësisë, u zhytën në përplasje fjalësh, në spektakël të shëmtuar egoje, duke harruar se populli i tyre pret shpresë, jo shfaqje.
Gazetarët, me ndershmëri dhe durim, edhe në këtë të diele raportuan realitetin e hidhur. Ndërsa disa deputetë u shfaqën të mbyllur, hije rëndë, duke shmangur komunikimin, si të mos ndjenin peshën e votës që i solli aty.
Në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, çdo zhvillim në Kosovë përjetohet si frymë jete ose si barrë shtesë. Një Kosovë e qëndrueshme do të thotë më shumë siguri për shqiptarët e Luginës, që sot jetojnë nën trysni të pandalshme, të harruar dhe të plagosur nga padrejtësitë.
Nuk kemi më forcë të shohim si luhet me fatin e popullit. Nuk kemi më kohë për inate dhe interesa personale. Ne duam unitet, maturi dhe një Kosovë që ecën përpara, sepse e ardhmja jonë është e lidhur pazgjidhshmërisht me të.
Në vend të zjarrit të fjalëve boshe, kërkojmë dritën e marrëveshjes dhe përgjegjësisë kombëtare.
Koha për spektakël ka përfunduar. Koha për zgjidhje ka ardhur.
Në Luginë të Preshevës, ku shqiptarët vazhdojnë të përballen me sfida të mëdha politike, ekonomike dhe kulturore, situata në Kosovë përjetohet si barrë e rëndë. Një Kosovë stabile është shpresë dhe garanci edhe për shqiptarët e kësaj treve që ende kërkojnë frymëmarrje në përditshmërinë e tyre të vështirë.
Mesazhi nga Lugina është i qartë: Kosova duhet të ecë përpara. Inatet personale dhe egot politike nuk i shërbejnë interesit kombëtar. Nevojitet urtësi, unitet dhe një përkushtim i sinqertë për të ndërtuar institucione të qëndrueshme. Nuk ka më vend për zjarrvënës në politikë – ka vend vetëm për ata që dinë të ndërtojnë urëz dhe të japin zgjidhje. ( Foto ADI HEBIBI )
SAM24.info