Miss Shqipëria, eventi më madhështor i bukurisë shqiptare, ka nisur edicionin e tij të 27-të, duke hapur siparin e një rrugëtimi magjepsës drejt kurorëzimit të më të bukurës ndër vajzat shqiptare. Në këtë rrugëtim magjepsës drejt kurorëzimit të më të bukurës shqiptare, mbi 320 vajza nga e gjithë Shqipëria dhe diaspora sfiduan veten në audicionet e organizuara nga Deliart Association, ku vetëm 27 prej tyre do të vazhdojnë garën për titullin e mbretëreshës së bukurisë shqiptare.
Organizatori, Petri Bozo, theksoi se këtë vit, pas një udhëtimi të mrekullueshëm nëpër të gjitha monumentet e trashëgimisë kulturore shqiptare, Miss Shqipëria rikthehet në zemër të Tiranës, aty ku edhe lindi për herë të parë kjo traditë e bukurisë dhe krenarisë shqiptare.
“Kemi vendosur që eventi të finalizohet në Amfiteatrin e Liqenit Artificial që është një sallë eventesh në natyrë. Nuk mungon as këtë vit turi fantastik i Miss Shqipërisë, nuk do të mungojë as raporti i provave të stërzgjatura të ditëve të fundit”, u shpreh organizatori i eventit Petri Bozo.
Për vajzat finaliste, kjo është më shumë se një garë: është një mundësi e artë për të ndriçuar në skenën e madhe të suksesit, një dritare që mund t’u hapë horizonte të reja në karrierën e tyre në fushën e modës, artit dhe kulturës.
Finalja madhështore e Miss Shqipëria do të mbahet më 18 qershor në Tiranë, duke premtuar një natë të paharrueshme, të mbushur me elegancë, emocion dhe magji, njofton rtsh.