Një homazh për Papa Françeskun, i cili e dëshironte shumë këtë garë pikërisht në vitin Jubile. Faza e fundit e edicionit të 108-të të Xhiros së Italisë 2025 do të jetë në Romë më 1 qershor. Por risia është se ajo do të fillojë nga Kopshtet e Vatikanit.
Në Romë, për herë të shtatë në historinë e saj, të tretën radhazi, Xhiro e Italisë do të përfundojë në Circus Maximus, duke përmbyllur etapën e fundit prej 143 kilometrash, me 8 xhirot e fundit në qendër të qytetit.
Në prezantimin në Campidoglio, morën pjesë kryetari i bashkisë Roberto Gualtieri, presidenti i RCS MediaGroup Urbano Cairo, Ipeshkvi Paul Tighe, drejtori i Giro d’Italia Mauro Vegni etj. Kryebashkiaku Gualtieri u shpreh: “Jemi të kënaqur që e presim Giron për të tretin vit radhazi, nuk ka ndodhur kurrë më parë. Ky vit është veçanërisht i rëndësishëm sepse merr një vlerë tjetër: për Jubileun, u mendua kalimi nëpër Qytetin e Vatikanit, tani do të jetë edhe një homazh i madh për Papa Françeskun, njeriun e jashtëzakonshëm që bëri gjëra të pabesueshme dhe që e donte sportin”.
Vincenzo Nibali, fitues i Giro d’Italia në 2013 dhe 2016 tregon emocionet e tij: “Roma është një qytet që gjithmonë ofron emocione unike. Eshtë e mrekullueshme që Giro d’Italia përfundon këtu edhe një herë. Më vjen keq që nuk do të jem më pjesë e kësaj gare. Këtë vit, kalimi nëpër Qytetin e Vatikanit do të jetë një përvojë e veçantë për të gjithë çiklistët”, njofton rtsh.