Nga: Sokol Paja, New York
Boston, Massachusetts, 26 Prill 2025 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra festoi solemnisht 113 vjetorin e themelimit të saj. Organizata patriotike historike, më e shquar dhe më e rëndësishme për shqiptarët e Amerikës festoi 113 vite histori, identitet kombëtar e veprimtari atdhetare në shërbim të kombit e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara. Nën organizimin dhe përkujdesjen e veçantë të degës së Vatrës në Boston, shqiptarët e Amerikës ashtu si 113 vite më parë u bashkuan rreth Vatrës për të nderuar e përkujtuar kontributin historik që Federata Vatra i ka dhënë atdheut, kombit e komunitetit shqiptar. Në Katedralen Ortodokse Shqiptare “Shën Gjergji”, përgjatë simpoziumit shkencor, me pjesëmarrjen e të gjitha shoqatave shqiptare në Boston, studiuesve, historianëve, hulumtuesve, gazetarëve, pedagogëve, përkthyesve, patriotëve, aktivistëve e veprimtarëve të çështjes kombëtare dhe nën prezantimin fenomenal nga Flamur Vezaj, para publikut u ekspozua veprimtaria kombëtare e komunitare e Vatrës përgjatë 113 viteve histori.
Kryetari i Vatrës në Boston z.Mentor Maksutaj në fjalën e mirëseardhjes nëpërmjet videomesazhit ekspozoi punën e shkëlqyer të Vatrës në Boston në shërbim të çështjes kombëtare dhe komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sekretari i Federatës Vatra Dr. Pashko Camaj në fjalën e tij përcolli mesazhin e Kryetarit të Vatrës Dr. Elmi Berisha i cili theksoi se Vatra e shenjtë shqiptare në mërgatë, ka qenë dhe mbetet një dritë udhëheqëse për ruajtjen e identitetit tonë kombëtar, për mbrojtjen e interesave të kombit shqiptar, dhe për përçimin e vlerave tona më të mira te gjeneratat që vijnë.
Në këtë përvjetor, kujtojmë me respekt themeluesit tanë vizionarë – Fan S. Noli, Faik Konica, Kristo Dako, Sotir Peci dhe shumë të tjerë – të cilët me përkushtim dhe dashuri për Atdheun, ndërtuan një institucion që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë.
Z. Endri Kume nga “Albanian’s Boston Community Center” (“Çunat e Bostonit”) theksoi se Vatra është organizata më domethënëse në komunitetin shqiptar, është organizatë shembull për të gjithë. Z. Kume ofroi mbështetje dhe kërkoi bashkëpunimin e të gjithëve për të mirën e përbashkët të shqiptarëve në Boston.
Z. Eduard Lazri nga shoqata “MaasBesa” theksoi në fjalën e tij rolin dhe rëndësinë e Vatrës në ruajtjen e gjuhës shqipe, identitetit kombëtar dhe mbështetjen me bursa të studentëve shqiptarë.
Kryetari i Vatrës në Boston z. Mentor Maksutaj në kumtesën “Vatra në Boston: sfidat e së sotmes dhe vizioni për të ardhmen” në fjalën e tij deklaroi se synimet e Vatrës për të ardhmen:
1. Vazhdimi i traditës: Të ruajmë dhe promovojmë kulturën shqiptare përmes aktiviteteve të ndryshme kulturore, artistike dhe edukative.
2. Nderimi i figurave kombëtare: Të punojmë për krijimin e një rruge, sheshi apo memoriali në emër të personaliteteve të mëdha shqiptare si Fan Noli etj.
3. Përfshirja e diasporës: Të angazhohemi për regjistrimin dhe pjesëmarrjen aktive të shqiptarëve në procese vendimmarrëse, si në Shqipëri, ashtu edhe në SHBA.
4. Promovimi i shqiptarëve të suksesshëm: Të bashkohemi për të evidentuar dhe mbështetur shqiptarët që janë integruar me sukses në shoqërinë dhe politikën amerikane.
5. Lobimi për çështjen shqiptare: Të vazhdojmë me përkushtim përpjekjet për lobim në mbrojtje të interesave të kombit shqiptar në nivel ndërkombëtar.
6. Zgjerimi i platformës Vatra: Të zgjerojmë ndikimin e Vatrës si një zë i fuqishëm i komunitetit shqiptar në SHBA, tha në fjalën e tij z.Maksutaj.
Editori i gazetës Dielli Sokol Paja theksoi se në 119 vite histori të shtypit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gazeta Dielli edhe pas 116 vitesh jetëgjatësi vazhdon të jetë gazeta më e rëndësishme e komunitetit shqiptar në Amerikë. “Dielli” shkëlqen si ikonë shqiptarie, ikonë gazetarie dhe regjistër historie. Gazeta Dielli me shërbimin që i ka bërë historisë kombëtare me të drejtë ka hyrë në histori si gazeta më e rëndësishme, më me autoritet, më e referuar shkencërisht dhe ndërkombëtarisht, më me influencë dhe më me prestigj në komunitetin shqiptar në Amerikë, në përpjekjet e patriotëve për të çuar përpara çështjen kombëtare në Shtetet e Bashkuara. Gazeta “Dielli” është zëri historik i shqiptarëve, regjistri, arkiva, historia, krenaria, identiteti, lavdia, trashëgimia, jetëgjatësia dhe vazhdimësia e Vatrës, vatranëve e shqiptarëve të Amerikës. Gazeta “Dielli” është institucion atdhedashurie, shkollë gazetarie, referencë historie, pasuri kombëtare dhe identitare shqiptare.
Dr.Iris Halili, kryetare e Vatrës Miami dhe themeluese e klubit “Flas Shqip” në kumtesën “Vatra në ruajtjen e gjuhës kombëtare” theksoi se një ndër arësyet që Federata Vatra na bën krenarë është se tek ajo gjejmë sintezën e historisë së shqiptarëve që për shekuj e ruajtën dhe trashëguan gjuhën e tyre, dhe kështu ia lanë trashëgim brezave. Vatra, përmes gazetës së saj “Dielli”, apo edhe përmes themeluesve dhe drejtuesve të saj,ka folur vetëm shqip por edhe ka shkruar vetëm në shqip, duke e ngritur kështu nivelin e gjuhës shqipe në standartet më të larta. Askush në emigracion, por edhe jo vetëm, nuk i ka ofruar letërsisë apo publicistikës shqiptare më shumë ngritje të gjuhës shqipe sesa kolosët e Vatrës, Noli dhe Konica. Por ata ishin më shumë se kaq; ata ishin sociologët, politologët, publicistët, kritikët letrar, muzikologët, përkthyesit, historianët më të shquar në emigracion dhe jo vetëm. Dhe ata e bënë këtë vetëm duke shkruar në shqip.
Neka Doko si përfaqësuese e Bibliotekës Noliane dhe Katedrales Ortodokse Shqiptare të Shën Gjergjit në kumtesën e saj “Roli i Shën Gjergjit për krijimin dhe vazhdimin e Vatrës ndër vite” paraqiti fakte historike të bashkëpunimit institucional dhe shpirtëror të lidhjes së ngushtë mes Kishës së Shën Gjergjit dhe Vatrës në rrugëtimin historik dhe misionin e tyre kombëtar.
Profesoresha Albulenë Kastrati në kumtesën e saj, “Bursat dhe angazhimi i studentëve në komunitet” u shpreh se Federata ‘Vatra’, që nga themelimi i saj ka qenë një dritë udhëheqëse për shqiptarët në diasporë. Përmes angazhimit të saj, ajo u bë një zë i fuqishëm për kombin shqiptar dhe një mbështetje e fortë për ata që linin atdheun në kërkim të një jete më të mirë. Në veçanti këtu në Boston, ‘Vatra’ ka qenë një shtyllë e fortë e komunitetit. Ajo ka promovuar jo vetëm identitetin shqiptar, por edhe ka ndihmuar në integrimin e brezave të rinj në shoqërinë amerikane, pa harruar rrënjët tona. Nga aktivitetet kulturore deri te mbështetja ndaj familjeve në nevojë, kontributet e saj janë të pallogaritshme.
Gazetari i shquar dhe studiuesi Ilir Ikonomi në kumtesën “Noli dhe Konica: Pionierët që ndërtuan urën mediatike për kombin”, lexuar nga Jorid Çelaj, shprehet se prania e dy njerëzve mjaft të ditur dhe aktivë në krye të komunitetit shqiptar ishte një rastësi fatlume. Noli dhe Konica e bënë Diellin një gazetë, ndikimi i së cilës shtrihej deri në Shqipëri ku shtypi i shqiptarëve të Amerikës, sidomos Dielli nën Nolin dhe Konicën luajti një rol të jashtëzakonshëm për çlirimin dhe iluminimin shpirtëror të shqiptarëve në të dyja anët e Atlantikut.
Andrea Pani, në kumtesën “Kontributi i familjes Pani e Elia në Boston për kauzën kombëtare” e vlerësoi Vatrën duke thënë se Vatra është një arritje e madhe me vlerë të madhe në historinë e diasporës dhe Shqipërisë, simbol bashkimi.
Editorja e gjuhës angleze në Diell znj.Rafaela Prifti në kumtesën e saj “Vatra dhe nxitja e ndryshimeve demokratike në Shqipëri” tha se Vatra është kampione e kombit, model i përkryer i diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Z.Mark Kosmo mbajti kumtesën “Fuqia e arsimit: ndikimi i bursave në jetën e studentëve” ndërsa Dr. Ivi Kasimati zv/president i “Albanians Fighting Cancer”, në kumtesën e tij “Shqiptarët në institucionet mjekësore të SHBA-së” renditi arritjet dhe shkëlqimin e studentëve shqiptarë në mjekësi si model i arrirë shkencor dhe komunitar.
Kumtesën e Faton Limanit “Gjuha shqipe në Harvard dhe roli i studentëve shqiptarë”, lexuar nga Jon Syla u vu theksi te roli i Vatrës, ruajtja e gjuhës shqipe dhe veprimtaria patriotike e studentëve shqiptarë në Harvard.
Evans Liolini në kumtesën “Rruga ime: si përfitues burse nga Vatra, ndikuar në jetën time” u shpreh se kur jeta ofroi sfidat e saj të paparashikueshme, miqtë dhe familja ime ishin aty. Përmes gjithë kësaj, është e rëndësishme që të mësoni të lexoni instinktet tuaja, të luftoni për bindjet tuaja, të mbroni ata që doni dhe përndryshe të lundroni atë që njerëzit me qëllime të mira do ta quajnë ‘bota reale’. Ndonjëherë kemi nevojë për lehtësi dhe ndonjëherë sfidë.
Z. Kastriot Fetahu në kumtesën: “VATRA si urë lidhëse mes Shqipërisë, Kosovës dhe SHBA-së” Vatra rezultoi si institucion i memorizimit kombëtar dhe veprimit historik, duke luajtur një rol filozofik në trinomin Shqipëri, Kosovë dhe Amerikë përmes idealit të lirisë dhe të bashkimit.
Olta Muharremi në kumtesën: “Shqiptarët dhe kontributi akademik në SHBA” theksoi se migrimi i kualifikuar, akademik dhe shkencor çon në dy kontekste globale. Një prej tyre është dukuria e ‘shkëmbimit të trurit’ ose e ‘qarkullimit të trurit’ midis vendeve shumë të zhvilluara qe mund të shihet si një përvojë trajnimi për menaxherët dhe profesionistët e ardhshëm të destinuar për karriera në korporata globale, organizata ndërkombëtare, shërbimet diplomatike etj., duke u ndërtuar kryesisht mbi aftësitë akademike dhe shkencore, por edhe mbi vetëdijësimin ndërkulturor dhe mësimin e gjuhëve të huaja.
Klajdi Haruni në kumtesën “Vatra dhe angazhimi për çështjen e Çamërisë” theksoi se Federata Vatra për mua, për ne, ka qenë, është dhe do të mbetet institucioni më i rëndësishëm mbarëkombëtar jashtë trevave të kombit tonë. Dua të përmend Fan Nolin, Faik Konicën, Kristo Floqin e shumë atdhetarë të tjerë apo anëtarët të panumërt për gjatë kësaj kohe deri te drejtuesit me të vetmin qëllim mbrojtjen e interesit kombëtar dhe çështjes çame në veçanti.
Aristotel Mici kumtoi rreth Vatrës dhe vatranëve ndër vite dhe kontributit të tyre në Shqipëri ndërsa vatrani z.Artian Rreza diskutoi rreth: “Bashkëpunimi mes organizatave shqiptare në Boston dhe Vatra” duke renditur Vatrën si udhërrëfyese dhe udhëheqëse të veprimtarive patriotike në Boston e më gjërë.
Historiani Dr. Paulin Marku në kumtesën “Vatra dhe marrëdhënia me regjimin komunist” të lexuar nga Ervis Dhima theksoi se Regjimi diktatorial i Enver Hoxhës nëpërmjet njerëzve të besuar filloi luftën kundër Vatrës dhe nxiti përçarje e urrejtje duke synuar shkatërrimin përfundimtar të organizatës patriotike në SHBA por nuk ia arriti qëllimit t’ shkatërrojë frymën patriotike-atdhetare edhe pse përdori çdo formë për të përndjekur e survejuar kundërshtarët politik në diasporë. Edhe pse pati sulme, kërcënime dhe nxitje të luftës së brendshme midis vatranëve, Federata “Vatra” bëri oponencë të fortë dhe i rezistoi kohës me sukses e lavdi duke i shërbyer popullit e kombit shqiptar për 113 vite.
Ceremonia festive e 113 vjetorit të Federatës Vatra në Boston kulmoi me anëtarësimin në Vatër të studentëve shqiptarë Dario Mankollari e Xhesika Sirika dhe Altin Halo dhe shpërndarjen e 10 bursave si mbështetje për studentët shqiptarë në Boston dhuruar e organizuar prej Vatrës Boston e donatorëve shqiptarë:
1. Alexander Kushta / Bentley University Massachusetts,
2. Ancelin Halo / University of Massachusetts Amherst
3. Ashley Bishqemi / Suffolk University Boston
4. Bleona Paloja / University of Massachusetts Boston
5. Dario Mankollari / Boston Architectural College
6. Erjon Hoxha / Salem State University
7. Johana Papa / Stonehill College
8. Jovan Jason Green / Hellenic College Holy Cross
9. Rilind Bytyqi / University of Maryville
10. Xhesina Sirika / Salem State University.
Festimi i 113 vjetorit të Vatrës në Boston, ishte një aktivitet i shkëlqyer frymëzues, patriotik, komunitar e atdhetar i Vatrës që dëshmon më së miri punën e jashtëzakonshme të Federatës në shërbim të komunitetit shqiptar dhe çështjes kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.