Nga: Imer Laçaj
Më datë 2 maj 2025, një grup aktivistësh të komunitetit shqiptar në New York organizuan një takim me Presidentin e Borough-t të Staten Island, z. Vito Fossella, në zyrën e tij. Në këtë takim morën pjesë Kryetari i Shoqatës Shqiptaro-Amerikane të Staten Island, z. Naser Nika; ish-kryetari i Shoqatës “Malësia e Madhe”, z. Shaqir Gjokaj; Kryetari i Shoqatës Shqiptaro-Amerikane “Skënderbej”, z. Imer Laçaj; si dhe aktivisti dhe biznesmeni i njohur në komunitet, z. Shpëtim Qorraj.
Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi mbi një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e turizmit midis shtetit të Malit të Zi dhe një biznesmeni nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Kjo marrëveshje ka ngjallur shqetësim në komunitetin shqiptar të zonës së Ulqinit, veçanërisht në Plazhin e Madh, i cili është i banuar kryesisht nga shqiptarë etnikë.
Pas një falënderimi drejtuar z. Fossella për mbështetjen e tij dhe të stafit të tij ndaj komunitetit shqiptar në Staten Island, bashkebisedimi u përqendrua në këtë investim, i cili është perceptuar si jo transparent dhe potencialisht në kundërshtim me interesat e popullsisë vendase. Të pranishmit shprehën shqetësimet e tyre në lidhje me mungesën e informacionit publik dhe dyshimet se projekti investues mund të shërbejë vetëm për interesat e shtetit të Malit të Zi, bizneseve të huaja dhe private, duke anashkaluar interesat e komunitetit local etnik shqiptar dhe duke krijuar përçarje të panevojshme në komunitet.
U theksua se komuniteti shqiptar mbështet investimet e huaja, por jo në kurriz të strukturës demografike, pronës publike dhe të drejtave të banorëve vendas.
Gjithashtu, në takim u diskutua edhe për rolin që mund të luajë z. Fossella në këtë çështje, përfshirë gatishmërinë e tij për të ndërmjetësuar në emër të komunitetit shqiptar dhe për të thelluar bashkëpunimin me Bashkinë e Ulqinit. U trajtua edhe mundësia e emërtimit të një rruge në Staten Island me emrin e heroit kombëtar Isa Boletini, festimi i shpalljes se pavaresise se Republikes se Shqiperise ne Bashkine e Staten Island(Borough Hall) si dhe krijimi i një partneriteti me qytetin e Malishevës, me qëllim forcimin e marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve tona.
Presidenti Fossella dëgjoi me vëmendje shqetësimet e të pranishmëve dhe shprehu vlerësimin e tij për qellimin e takimit, duke rikonfirmuar mbështetjen e tij të vazhdueshme për komunitetin shqiptar. Ai kërkoi informacion më të detajuar mbi projektin investues dhe zhvillimet e fundit në Plazhin e Madh të Ulqinit dhe theksoi rëndësinë e një procesi transparent investimesh, i cili të garantojë hapësira publike dhe të reflektojë interesat e banorëve shqiptarë të zones.
Takimi kaloi në një atmosfere miqesore, në të cilën u shkëmbyen mendime edhe për çështje të tjera të komunitetit shqiptar në Staten Island.
Pjesëmarrësit falenderuan Presidentin e Staten Island z. Fossella për pritjen e ngrohtë dhe i uruan atij dhe stafit të tij punë të mbarë në detyrat e përditeshme në shërbim të komunitetit të Staten Island, nje nga 5 lagjet e New York City.