Më 2 maj 2025, në Kolegjin Universitar të Londrës (UCL) u zhvillua simpoziumi me temë “Language, Identity, Belonging: Raising Aspirations in Heritage Language Students”, i cili mblodhi akademikë, mësues dhe profesionistë të arsimit për të diskutuar dhe promovuar mësimin dhe ruajtjen e gjuhëve të trashëguara në sistemin arsimor britanik.
Në qendër të diskutimeve ishte rëndësia e përfshirjes së këtyre gjuhëve – përfshirë shqipen, rumanishten dhe bullgarishten – në provimet kombëtare GCSE, si një mënyrë për të fuqizuar identitetin kulturor të nxënësve dhe për të ngritur pritshmëritë e tyre akademike.
Gjatë simpoziumit u prezantua edhe një projekt i zhvilluar nga disa lektore të UCL në bashkëpunim me një shkollë të mesme në Londër, që kishte në fokus gjuhët e trashëguara dhe përfshinte konkretisht edhe gjuhën shqipe.
Pjesë e këtij aktiviteti ishte edhe ambasadori i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, z. Ilir Kapiti, i cili ndau vlerësimet e tij mbi iniciativën, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes institucionale për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit shqiptar në diasporë.
SAM24.info