Udhëheqësit e 47 vendeve të botës (BE-së, NATO-s e Britanisë) mblidhen sot në Tiranë për Samitin e 6-të të Komunitetit Politik Evropian, duke e kthyer kështu Shqipërinë në Kryeqendrën e Evropës, sikurse e ka thënë edhe kryeministri Edi Rama.
Dhjetëra liderë zbritën dje në tokën shqiptare, ndërsa dhjetëra të tjerë do të mbërrijnë sot në Aeroportin e Rinasit për të marrë pjesë në punimet e Samitit, i cili do të bashkëdrejtohet nga Kryeministri Rama dhe Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa.
Sikurse e kemi bërë me dije edhe më herët, agjenda e samitit ka parashikuar 3 tryeza të rrumbullakëta, fokusi i të cilave do të jetë rritja e konkurrencës dhe sigurisë evropiane përmes inovacionit dhe qëndrueshmërisë, si dhe “Evropa e Re në një botë të re: unitet – bashkëpunim – veprim i përbashkët”.
Sipas agjendës së publikuar nga Këshilli Evropian, bëhet me dije se “udhëheqësit do të takohen fillimisht në një seancë plenare kushtuar sigurisë dhe një vizioni të përbashkët për të ardhmen e Evropës”.
Prezent në Tiranë do të jetë edhe presidenti francez Emmanuel Macon i cili jo vetëm që do të jetë pjesë e punimeve të Samitit të Komunitetit Politik Europian, por do të zhvillojë edhe një një vizitë dypalëshe në Shqipëri të shtunën (17 maj), një vit e gjysmë pas vizitës së tetorit 2023, e para e bërë ndonjëherë nga një president francez në vend.
Dhjetëra avionë do të ulen sot në Rinas, për t’iu bashkuar ceremonisë së hapjes së Samitit në orën 11:00 i cili do të mbahet në Shtëpinë e Europës në sheshin Skënderbej.
Sipas agjendës, në orën 11:30 do të zhvillohet fotoja familjare për të vijuar më pas në orën 11:45 me seancën e parë plenare, e cila do të pasohet dhe nga një seancë e dytë në orën 17:30.
Gjatë ditës së sotme, kryeministri Edi Rama do të zhvillojë edhe një sërë takimesh dypalëshe, ndërsa në orën 18:30 do të mbajë konferencën e përbashkët për shtyp me homologen daneze (vend ky ku do të mbahet edhe samiti i radhës) Mette Frederiksen, njofton rtsh.