SH.K.A “Dardania”, Flamurtarja e Kulturës Shqiptare në Festivalet Ndërkombëtare

Intervistë ekskluzive për aktivitetet e shumta të muajit maj me z.Shefqet Cakolli, Presidentin e SH.K.A. ‘Dardania’ në Winterthur”

Intervistoi: Dashnim HEBIBI, Winterthur

Muaji maj do të jetë i mbushur me aktivitete artistike nga SHKA “Dardania”. Në lidhje me këto ngjarje kulturore, sot në Winterthur bashkëbiseduam me presidentin e shoqatës, i cili, edhe pse nën stresin e përgatitjeve, na nderoi me praninë e tij duke vlerësuar rëndësinë e punës sonë. Ja për çfarë bëhet fjalë — dhe padyshim se do ta gëzojë çdo shqiptar. Një gjë është e sigurt: kjo shoqëri meriton edhe më shumë ndihmë dhe përkrahje, sepse për 30 vjet nuk është ndalur asnjëherë në rrugëtimin e saj kulturor.

I nderuar, sipas burimeve tona, do të keni disa prezentime kulturore gjatë muajit maj. Sa anëtarë të SHKA “Dardania” do të marrin pjesë në disa aktivitete të rëndësishme kulturore gjatë muajit maj?

Nëse i referohemi agjendës sipas datave dhe llojit të pjesëmarrjes në këto festivale, ne së pari jemi të ftuar në festivalin «Hasi Jehon», më 02, 03 dhe 04 maj 2025. Por, për shkak të pamundësisë për të marrë pjesë me grup të plotë — sepse ishim të pranishëm vitin e kaluar dhe për shkak të kostos së madhe — kësaj here do të përfaqësohemi vetëm me dy anëtarë tanë, në shënimin e 50-vjetorit të SH.K.A «Malësori» në Gjonaj të Prizrenit. Ky bashkëpunim është i gjatë dhe i fortë ndërmjet nesh.

Më 17 maj, do të paraqitemi në qytetin e Winterthurit, në festën e valleve të të gjitha etnive që jetojnë në këtë qytet dhe rrethinë, përfshirë edhe grupet zvicerane.

Ne do të prezantohemi me grupin e të rriturve, me valle të reja. Pjesëmarrja e grupeve është e kufizuar dhe koha jonë është nga ora 16:00 deri në 16:30, në Neumarkt, në qendër të qytetit, në një ambient shumë të organizuar. Stafi artistik ka paraparë të marrim pjesë me dy grupe të rriturish, gjithsej rreth 20 veta të ndarë në dy grupe vallesh, me mundësinë që edhe publiku të vallëzojë bashkë me ne!

Po atë ditë, më 17 maj, në orën 19:00, në Teather am Gleis në Winterthur, do të paraqitemi edhe me grupin e fëmijëve, në një tjetër aktivitet të rëndësishëm me shumë grupe valltarësh nga shumë nacionalitete, përfshirë edhe ato zvicerane. Organizatorët kanë vendosur një kosto për të rriturit, për të mbuluar shpenzimet organizative, por ne nuk kemi ndikim në këto kritere.

Më 24 maj, do të jemi pjesë e festivalit të diversitetit “Tag des Vielfalt”, në Alte Kaserne, Tehnikumstrasse 8, Winterthur.

 Koha jonë e paraqitjes është nga ora 21:30 deri në 21:50. Ky festival nis në orën 14:00 dhe zgjat deri në orën 23:00. Pavarësisht se koha e caktuar për ne është vetëm 20 minuta, do të përpiqemi të japim maksimumin duke kombinuar performancën e të vegjëlve dhe të rriturve, për të paraqitur një mozaik të gjerë të kulturës tonë përmes valleve dhe këngëve nga të gjitha trevat shqiptare.

Kemi mësuar se keni përgatitur edhe pika të reja artistike. Na tregoni, me cilat numra do të prezantoheni para publikut ndërkombëtar?

Në këto tri paraqitje në festivale, programi dhe pikat artistike janë ndarë në mënyrë që të jenë të ndryshme në secilën dalje. Do të përfshijmë vallen arbëreshe, vallen e Tropojës, vallen e zanave, vallen e vajzave, si dhe një kollazh vallesh ku përfshihen elemente nga disa treva tona. Gjithashtu do të kemi edhe pika muzikore me orkestrën dhe grupin e vajzave që këndojnë, duke sjellë një pasqyrim të pasur të trashëgimisë sonë kulturore.

A do të paraqiteni me të gjitha grupmoshat, pra nga fëmijët deri te të rriturit, në këto manifestime?

Po, siç u cek më lart, qëllimi ynë është të japim hapësirë për të gjitha grupmoshat, me një përparësi për të vegjlit, të cilët janë ardhmëria e kësaj qendre kulturore. Kjo ecje është rezultat i një pune vullnetare dhe i kontributit të madh të prindërve që sjellin fëmijët në prova, duke ndihmuar kështu në ruajtjen dhe kultivimin e traditave tona, të cilat mundohemi t’i plasojmë para publikut zviceran dhe komuniteteve të tjera në Zvicër.

Duke qenë se pjesëmarrja në këto aktivitete përfshin edhe kosto të konsiderueshme financiare, si keni planifikuar mbulimin e shpenzimeve?

Duhet theksuar se të gjitha këto pjesëmarrje nuk kanë ndonjë përfitim financiar për ne, dhe nuk na ndihmojnë në mbulimin e shpenzimeve të organizimit apo financimit të projekteve. Megjithatë, për ne më e rëndësishme është pjesëmarrja dhe paraqitja jonë, sepse përmes kulturës, traditës, veshjeve dhe valleve tona ne prezantohemi dhe njihemi më mirë. Veshjet tona tradicionale, të ruajtura me shumë kujdes nga të gjitha trevat tona, janë shumë të pëlqyera nga publiku dhe na kanë sjellë komplimente të shumta nga vendësit dhe komunitetet e tjera pjesëmarrëse.

A keni mbështetje nga donatorë privatë apo nga ndonjë institucion shtetëror?

Nuk mund të themi se nuk kemi pasur. Vitin e kaluar, me rastin e 30-vjetorit tonë, kemi marrë mbështetje nga disa donatorë, të cilët i falënderojmë sinqerisht. Ata që ishin prezent në atë ngjarje e dinë më së miri sa i rëndësishëm ishte kontributi i tyre. Këtë vit, ende nuk kemi marrë asnjë mbështetje, edhe pse, në të vërtetë, nuk kemi bërë ndonjë kërkesë specifike, sepse nuk duam t’i bezdisim bizneset tona që na kanë ndihmuar shpesh. Megjithatë, shpresojmë se, si gjithmonë, dikush do të hapë zemrën dhe portofolin për të na mbështetur, sepse aktivitetet tona janë vullnetare dhe në të mirë të fëmijëve dhe të kombit tonë. Anëtarësia vjetore që mbledhim nuk është e mjaftueshme për të realizuar projektet tona, e aq më pak për të marrë pjesë në festivale jashtë Zvicrës, si p.sh. në Turqi, ku kemi ftesa.

A synoni që nga këto angazhime të ktheheni edhe me ndonjë çmim, mirënjohje apo titull për shoqërinë “Dardania”?

Fatkeqësisht, këto festivale nuk janë të konceptuara për ndarje çmimesh, por për prezantime kulturore dhe artistike. Në disa raste ka mirënjohje për pjesëmarrje, siç ndodh edhe në manifestime në Zürich, ku marrim pjesë çdo vit. Edhe pse nuk ka ndarje çmimesh, për ne më e rëndësishme është pjesëmarrja, promovimi i kulturës sonë dhe ndarja e vlerave tona kombëtare me të tjerët.

Përtej sukseseve artistike, çfarë përfitimesh të tjera shpresoni për SHKA “Dardania” nga pjesëmarrja në këto ngjarje kulturore?

Për ne, pjesëmarrja është prioritet. Marrja pjesë në aktivitete të ndryshme, në mesin e shumë nacionaliteteve, është një mundësi për të treguar kulturën tonë, të cilën e promovojmë gjithashtu edhe në projektet e shkollave, shtëpive të pleqve etj., ku ndonjëherë marrim ndonjë kompensim simbolik. Festivalet janë gjithsesi synimi ynë kryesor.

Nëse do të kishim mundësi financiare më të mëdha, do të përfaqësoheshim edhe më shumë në festivalet ndërkombëtare në vendet tona dhe jashtë tyre. Aktualisht, fokusi ynë është Zvicra, ku përpiqemi ta prezantojmë denjësisht kombin tonë.

Një nga përfitimet më të mëdha për ne është gëzimi i fëmijëve, që mezi presin të dalin në skenë, dhe sidomos të performojnë përpara mësuesve dhe pedagogëve zviceranë. Krahas ruajtjes së kulturës, ne përkujtojmë dhe festojmë edhe data të rëndësishme kombëtare si festat e Pavarësisë së dy shteteve tona, përkujtojmë epope të lavdishme si ajo e UÇK-së, dhe japim kontributin tonë kudo që është e nevojshme.

Në fund, ju falënderojmë për mundësinë e kësaj interviste.

Nëse është e mundur, do të ndajmë edhe disa fotografi nga aktivitetet tona, që të mund të përcjellni nga afër sukseset dhe përfaqësimin tonë kulturor dhe kombëtar.

Ju urojmë shumë sukses dhe e keni gjithmonë mbështetjen dhe bekimin e qendrës sonë mediale, SAM24.info.

Ju jemi mirënjohës!

SAM24.info

Artikujt e fundit

Njoftim nga Konsullata e Kosovës në Cyrih

Njoftim për Festat Zyrtare: Të nderuar bashkatdhetarë, Në pajtim me Ligjin...

Zelensky: Jo dhurata territoriale për Putinin. Përfundoni luftën në mënyrë të drejtë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka bërë thirrje që të...

Takim i rëndësishëm në Konsullatën e Kosovës në Cyrih – Fokus në gjithëpërfshirje dhe ruajtjen e identitetit kombëtar

Përgaditi: Dashnim Hebibi, Zürich Zürich, 29 Prill 2025 Në fillim të...

Barça, ​​Yamal: Inter? Kampionati nuk ka rëndësi, admiroj Lautaron dhe Barellan

“Rezultatet e Interit në Serinë A nuk kanë të...

Shqipëria, pjesëmarrëse e asociuar në nismën e “Tri Deteve”, Begaj në Varshavë: Sjell përparim të përbashkët

Shqipëria është pranuar si pjesëmarrëse e asociuar në nismën...

NA NDIQNI NE RRJETET SOCIALE

506FansLike

Njoftim nga Konsullata e Kosovës në Cyrih

Njoftim për Festat Zyrtare: Të nderuar bashkatdhetarë, Në pajtim me Ligjin...

Zelensky: Jo dhurata territoriale për Putinin. Përfundoni luftën në mënyrë të drejtë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka bërë thirrje që të...

Raporti nga OSBE/ODIHR: Vota e diasporës, test i rëndësishëm për institucionet e vendit

Misioni vëzhgues i OSBE-ODIHR ka publikuar raportin e përkohshëm...

Raporti i OKB: Mbi 72 mijë migrantë të vdekur ose të zhdukur në dekadën e fundit

Më shumë se 72.000 vdekje dhe zhdukje janë dokumentuar...

Arteta dhe Enrique do ta përdorin të gjithë forcën

Pasi eliminuan Real Madridin, Arsenali tani do të përballet...

Reklama

spot_img

Artikuj të ngjashëm