Më shumë se 72.000 vdekje dhe zhdukje janë dokumentuar përgjatë rrugëve të migrimit në mbarë botën gjatë dekadës së fundit, shumica në vende të prekura nga kriza, tha të martën Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Viti i kaluar shënoi numrin më të lartë të regjistruar ndonjëherë të migrantëve të vdekur, me të paktën 8.938 persona që humbën jetën përgjatë rrugëve të migrimit, sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM). “Këto shifra janë një kujtesë tragjike se njerëzit rrezikojnë jetën kur pasiguria, mungesa e mundësive dhe presione të tjera i lënë pa zgjedhje të sigurta apo të qëndrueshme në vendin e tyre”, tha drejtoresha e IOM-it, Amy Pope.
Raporti i agjencisë së OKB-së zbuloi se gati tri të katërtat e të gjitha vdekjeve dhe zhdukjeve të migrantëve të regjistruara globalisht që nga viti 2014 ndodhën ndërsa njerëzit po iknin nga pasiguria, konfliktet, katastrofat dhe krizat e tjera humanitare.
Një në katër ishin “nga vende të prekura nga kriza humanitare, me mijëra vdekje të afganëve, rohingjave dhe sirianëve të dokumentuara përgjatë rrugëve të migrimit në mbarë botën”, thuhej në Raportin për Migrantët e Zhdukur të IOM-it.
Raporti thekson se më shumë se 52.000 persona humbën jetën ndërsa përpiqeshin të largoheshin nga një prej 40 vendeve në botë ku OKB-ja ka një plan reagimi ndaj krizave ose plan humanitar të veprimit, njofton euronewsal.