Duke folur këtë të hënë në rubrikën e tij “Sy m’sy” në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama përcolli një mesazh për emigrantët shqiptarë në Greqi, duke i ftuar që të marrin zarfat dhe të votojnë.
Rama theksoi se problemet që u shfaqën fillimisht me kompaninë përgjegjëse për shpërndarjen janë zgjidhur dhe i inkurajoi të gjithë emigrantët të mos e humbasin këtë mundësi historike për të votuar, veçanërisht për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Sipas tij, kjo do të ndihmonte edhe në përshpejtimin e procedurave me shtetin grek për marrëveshjen e pensioneve.
“Jam rrugës për Pogradec, Korçë e Devoll dhe desha të përcjell një thirrje, një lutje, një mesazh për të gjithë ata që janë regjistruar si votues në Greqi, që të marrin zarfat dhe të mos e lënë pa përdorur mundësinë historike. Kjo është një mundësi historike për të qenë votues për herë të parë jashtë kufijve të Shqipërisë, por dhe një takim me historinë për të kyçur përfundimisht Shqipërinë në shtëpinë e madhe të BE. Ka pasur një problematikë në ditët e para, por tani gjërat janë vendosur në vijë dhe zarfet janë shpërndarë kudo. Keni të gjitha informacionet e nevojshme për të kuptuar se çfarë duhet të bëni dhe për të mos hezituar që t’i tërhiqni zarfet nga pikat e shpërndarjes. Nga ana tjetër, në rast se i keni marrë në shtëpi, veproni duke i kthyer ato drejt Shqipërisë me numrin pesë”, tha Rama.
Kryeministri u ndal dhe te marrëveshja e pensioneve, duke theksuar se nëse vota e emigrantëve shkon për PS dhe për Shqipërinë drejt BE, marrëveshja e pensioneve me Greqinë do të ketë hapa të shpejtë për t’u realizuar. Ai bëri një paralele me Italinë, ku tha se falë bashkëpunimit me Melonin, procesi i njohjes së pensioneve u përshpejtua, megjithatë ai e cilësoi si një proces që mori shumë kohë. Rama shtoi se për të shpejtuar këtë proces me Greqinë, emigrantët duhet të votojnë për PS.
“Ky votim është me rëndësi të veçantë për shqiptarët në Greqi që ende nuk kanë pasaportën dhe janë futur në atë ankthin e padrejtë të njohjes së pensioneve. Njohja e pensioneve bëhet me marrëveshje, negociatat me qeverinë greke kanë nisur, por nuk dihet se sa kohë do të zgjasin. Vullneti i qeverisë greke është pozitiv, por duke u nisur nga eksperienca me Italinë që ka kërkuar shumë vite megjithëse fatmirësisht për mua gjërat u përshpejtuan kur më doli një motër në Itali. Megjithatë, nga dakordësia me motrën, nuk e di sa kaloi një vit e gjysmë apo dy vjet. Mund të merret me mend sa mund të zgjasë marrëveshja me Greqinë, që është shumë e vështirë, pasi ka kosto financiare dhe numra të mëdhenj. Greqia nuk është Italia në aspektin e fuqisë dhe nuk dimë sa mund të zgjasë, pavarësisht dëshirës së mirë të Greqisë”, tha Rama, njofton euronewsal.