Kreu i Partisë Socialiste në takimin përmbyllës që ka mbajtur në Korçë dhe Pogradec ka deklaruar se zgjedhjet e 11 majit janë një çast historik për vetë Shqipërinë.
Duke iu referuar zgjedhjeve të marsit të vitit 1992 pas rënies së diktaturës, Rama tha se shqiptarët në atë kohë votuan për momentin historik dhe jo sipas ngjyrave të partive politike.
“Dua të përqendrohem te natyra historike e 11 majit. Nuk ndodh shpesh që mund të votosh dhe të shkosh në zgjedhje gjithë jetën dhe nuk ke asnjë rast kur zgjedhjet politike lidhen direkt me historinë e vendit tënd.
Në Shqipëri ka pasur një moment të tillë, ka qenë marsi 1992 kur masivisht shqiptarët dolën në zgjedhje dhe votuan Partinë Demokratike, pavarësisht se shumica e atyre që votuan PD-në nuk ishin me Partinë Demokratike dhe këtë e treguan menjëherë zgjedhjet që erdhën më pas, zgjedhjet vendore, kur shumica votoi kundër Partisë Demokratike.
Por ama në mars shqiptarët nuk panë ngjyrën e partisë dhe nuk panë as bufin që në atë kohë ishte i sapo dalë nga prehri i partisë së punës. Nuk panë asnjë nga këto, i kapërcyen të gjitha këto sepse ishte momenti dhe vendi i duhur për të bërë një zgjedhje historike për të ndarë jo vetëm me zakon që ndodhi me përmbysjen e diktaturës por për të ndarë me ligjin të shkuarën nga e ardhmja”, u shpreh Rama.
Ai vuri në dukje se edhe 11 maji është një datë historike për Shqipërinë prej së cilës sipas Ramës përcaktohet fati i integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.
“Shqiptarët shkuan dhe votuan për t’i hapur rrugë një historie e cila lidhej drejtpërdrejt me Europën dhe në atë moment u përcaktua një herë e përgjithmonë rrugëtimi i ri i Shqipërisë. Ndërkohë që në 11 maj është një moment i ngjashëm sepse në 11 maj ne mund të përcaktojmë fuqinë me të cilën do të përballemi në tryezën e negociatave me Bashkimin Evropian për ta anëtarësuar Shqipërinë në Bashkimin Evropian”, theksoi Rama.
Për këtë arsye ai iu drejtua shqiptarëve që të votojnë në 11 maj numrin 5 dhe jo Partinë Demokratike dhe kreun e saj, pasi duhet të zgjedhin rrugën evropiane dhe jo atë që i çon pas.
“Përsëri nuk ka fort rëndësi sipas meje nëse ata që nuk janë mbështetës direktë të PS-së por që janë me siguri të interesuar që Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së, pëlqejnë PS, Edi Ramën apo Niko Peleshin apo këdo qoftë, por ka rëndësi se çfarë ata nuk duhet të bëjnë. Nuk duhet që një votë e cila përputh për zgjedhjen e Kuvendit të Shqipërisë me një zgjedhje të qartë midis Shqipërisë me integrimin në Europë dhe Shqipërisë me një politikan të dëshpëruar dhe në gropë, të bëjnë atë që jo forca e zakonit do t’i bënte t’i shtynte drejt kënetës por t’i bashkohen 5-së”, deklaroi kryesocialisti Edi Rama, njofton rtsh.