Boksieri i njohur i bën thirrje Trump: Hapni sytë! Çdo marrëveshje me Rusinë është mashtrim…
Kampioni i peshave të rënda në boks, Oleksandr Usyk, ka dhënë një deklaratë të fuqishme kundër çdo marrëveshjeje për paqe që do t’i detyronte ukrainasit të heqin dorë nga territori i tyre. Në një intervistë të fundit për emisionin “Piers Morgan Uncensored”, Usyk, i cili është me origjinë nga qyteti Bucha pranë Kievit qytet që u shkatërrua nga forcat ruse në fillim të pushtimit në shkurt të vitit 2022 nuk kurseu fjalët për presidentin Donald Trump.
“Zoti Trump hapni sytë, ju lutem,” tha Usyk me një ton të drejtpërdrejtë dhe emocional. I pyetur për propozimet që Ukraina të dorëzojë territore të pushtuara në këmbim të paqes, Usyk u shpreh pa mëdyshje: “Kjo është budallallëk. Budallallëk i pastër.” Ai shtoi: “E gjithë bota e di se çfarë po bën Rusia është mashtrim. Pse po ma merrni vendin?”
Nëse Trump dhe negociatorët amerikanë mendojnë se paqja mund të arrihet duke i lënë Rusisë tokat që ka pushtuar, Usyk është i prerë në qëndrimin e tij: “Jo, sigurisht që jo. Kjo është toka ime, toka e vendit tim, janë njerëzit e mi.” Ndërkohë, Kremlini vazhdon të këmbëngulë se nuk ka asnjë qëllim të tërhiqet nga tokat që ka pushtuar. Në anën tjetër, negociatorët amerikanë insistojnë se të dyja palët duhet të bëjnë lëshime për të arritur një marrëveshje. Sipas Shtëpisë së Bardhë, Presidenti Trump është gjithnjë e më i irrituar si me Presidentin rus Vladimir Putin, ashtu edhe me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, për shkak të dështimit të përparimit në negociata. “Presidenti ka bërë të qartë se dëshiron një armëpushim të përhershëm që të ndalojnë vrasjet dhe derdhja e gjakut,” tha zëdhënësja Karoline Leavitt.
Usyk është takuar edhe më herët me Zelenskyn, i cili e ka marrë me vete rripin e kampionit botëror gjatë një vizite në Shtëpinë e Bardhë. Ky simbol u pa gjatë takimit të tensionuar në Zyrën Ovale mes Zelenskyt, Trump-it dhe zëvendëspresidentit JD Vance. Usyk, i cili vitin e kaluar mposhti dy herë britanikun Tyson Fury për të siguruar titullin si kampion i padiskutueshëm botëror, është bërë tashmë një zë i fuqishëm në mbrojtje të sovranitetit të Ukrainës. Mesazhi i tij është i qartë: paqja nuk mund të ndërtohet mbi falje të territorit dhe fyerje të drejtësisë.
Në fund, kampioni nuk kërkon thjesht fundin e luftës ai kërkon drejtësi për vendin e tij dhe ndëshkim për agresorin. “Ju lutem, ndaloni luftën në Ukrainë,” ishte thirrja e tij drejtuar Trump-it por jo duke bërë kompromis me territorin e popullit të tij, njofton GSH.