Partia Demokratike i ka drejtuar një kërkesë “urgjente” Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ku i kërkon rikthimin e ligjshmërisë në procesin e votimit të diasporës në Greqi.
Kjo pasi, sipas PD-së, KQZ vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 11 majit 2025 njoftoi votuesit shqiptarë në Greqi, se do duhet të paraqiteshin personalisht pranë pikave DHL për të tërhequr ose dorëzuar zarfin e votimit, dhe se zarfi nuk do u dorëzohej në adresën e deklaruar në PER, sikurse u përcaktua në fillim të nismës.
Kjo situatë, theksohet në shkresën e PD-së, ka ngritur edhe shqetësime serioze për transparencën, standardin dhe ligjshmërinë e procesit.
PD pretendon se nga Greqia ka raportime se zarfat me vota nuk po u dorëzohen qytetarëve në dorë në banesë, por shpeshherë po përvetësohen në mënyrë të organizuar nga individë të caktuar që mund të paraqiten pranë pikave postare (qoftë zyrtare, qoftë nënpagesë si zyra bastesh, apo hyrje pallatesh), duke përdorur makina me qira me targa shqiptare për të shmangur gjurmët.
“Këta persona, të dyshuar të lidhur me Partinë Socialiste dhe strukturat e saj, ka njoftime se mund të kenë grumbulluar zarfa me fletët e votimit, cka është totalisht e ndaluar dhe penalisht e dënueshme.”, nënvizohet në shkresë.
Ndërsa jemi një javë para zgjedhjeve, PD kërkon të dije se si shpjegohet që një e treta e të gjithë zarfave të Greqisë vijnë në një ditë të vetme, ndërsa paraqet në shkresën e saj edhe disa shifra.
“Sot më 4 maj 2025, vetëm një javë para ditës së zgjedhjeve, janë raportuar nga KQZ se mbi 6,000 zarfe të ardhura në Tiranë nga Greqia, ndërkohë që për disa javë më parë numri total ishte 17,700.
Si shpjegohet që një e treta e të gjithë zarfave të Greqisë vijnë në një ditë të vetme?
Ky fluks i pazakontë dhe i papritur, në kontekstin e problemeve të raportuara, përforcon dyshimet mbi integritetin e procesit.”, thuhet në letër, njofton rtsh.