Poeti dhe autori i njohur palestinez, Mosab Abu Toha, është ndër fituesit e çmimit Pulitzer të këtij viti.
Abu Toha u shpërblye për një seri esesh që dokumentojnë jetën dhe vuajtjet e palestinezëve në Gaza, ku ai ka jetuar pothuajse gjithë jetën e tij.
“Unë sapo kam fituar një çmim Pulitzer,” shkroi ai në X. “Lëreni të sjellë shpresë/ Lëreni të jetë një përrallë.”
Esetë e tij portretizuan “masakrën fizike dhe emocionale në Gaza që kombinojnë raportimin e thellë me intimitetin e kujtimeve për të përcjellë përvojën palestineze të më shumë se një viti e gjysmë luftë me Izraelin”, tha bordi i Pulitzer.
Abu Toha, 32 vjeç, u ndalua në vitin 2023 nga forcat izraelite në një pikë kontrolli ndërsa përpiqej të largohej nga shtëpia e tij në Beit Lahia në veri të Gazës me gruan e tij, Maram, dhe tre fëmijët e tyre të vegjël.
“Në paraburgimin izraelit, ushtarët më ndanë nga familja ime, më rrahën dhe më morën në pyetje”, shkroi ai.
Toha ishte në gjendje të largohej dhe të arratisej në SHBA pasi miqtë jashtë vendit ushtruan presion për lirimin e tij.
Abu Toha shkroi për luftën e anëtarëve të familjes së tij për të gjetur ushqim në Gaza, krahasuar me kujtimet e vakteve të përditshme para luftës.
“Dëshiroj të kthehem në Gaza, të ulem në tryezën e kuzhinës me nënën dhe babanë tim dhe të bëj çaj për motrat e mia. Nuk kam nevojë të ha. Dua vetëm t’i shikoj përsëri,” shkroi ai.
Ai kujtoi se pa fotografi të shkatërrimit të kampit të refugjatëve Jabalia në veri të Gazës, ku ai vizitonte rregullisht gjyshërit e tij dhe ndiqte shkollën. “Unë i shikoja fotot përsëri dhe përsëri, dhe një imazh i një varreze që rritet dhe rritet u formua në mendjen time,” shkroi ai.
Ai gjithashtu shkroi për dyshimet dhe indinjatat me të cilat përballen ai dhe palestinezët e tjerë jashtë atdheut të tyre. Fituesit e Pulitzer të këtij viti përfshijnë gjithashtu Percival Everett për romanin e tij James, një ri-imagjinim i Aventurave të Huckleberry Finn nga këndvështrimi i personazhit të titullit, dhe Branden Jacobs-Jenkins për shfaqjen e tij Purpose, një dramë për një familje të shquar zezake që shkatërron veten nga brenda, njofton rtsh.