Gjatë Meshës së tij të parë si Papë, sot, e premte, 9 maj 2025, Papa Leoni XIV u kujtoi këtë detyrë të rëndësishme kardinajve zgjedhjës e jo, në Kapelën Sikstine, ku jo më larg se mbrëmë, në votimin e katërt, me një shumicë prej të paktën dy të tretash të votave, u zgjodh Pasardhës i 267-të i Shën Pjetrit.
Në homelinë e tij, Papa i ri bëri thirrje për të kultivuar gjithnjë e më shumë marrëdhënie personale me Krishtin dhe nguli këmbë se, pa fe, jeta nuk ka kuptim. Ati i Shenjtë, i lindur në SHBA, foli fillimisht në anglisht, duke i falënderuar kardinajtë zgjedhës për besimin e tyre.
Më keni thirrur të mbaj këtë kryq dhe të ndihem i bekuar me këtë mision dhe unë e di se mund të mbështetem te secili prej jush që të ecni me mua, ndërsa vazhdojmë si Kishë, si një bashkësi miqsh të Jezusit, si besimtarë, të shpallim Lajmin e Mirë, të kumtojmë Ungjillin”.
Krishti na tregoi shenjtërinë njerëzore
Homelia e Papës vijoi më pas në italisht e u përqendrua në figurën e Shën Pjetrit apostull, Papa i parë, duke kujtuar fjalët me të cilat ai njeh Birin e Zotit në Ungjillin sipas Shën Mateut – “Ti je Krishti, Biri i Hyjit të gjallë” – për të vënë në dukje atë trashëgimi, që bëhet e mundur nga besimi i vazhdueshëm në Zotin, “të cilin Kisha, përmes trashëgimisë apostolike, e ka ruajtur, e ka thelluar dhe e ka përcjellë për dy mijë vjet”.
Duke reflektuar mbi marrëdhëniet e Pjetrit me Krishtin, Papa i ri kujtoi se vetëm Jezusi, Shpëtimtari ynë, na e zbulon fytyrën e Atit.
“Në Të, Hyji, për t’u bërë i afërt dhe i arritshëm për burrat dhe gratë”, nënvizoi Leoni XIV, “na e zbuloi Veten në sytë besimplotë të një fëmije, në mendjen e gjallë të një të riu dhe në tiparet e pjekura të një burri, duke iu dukur më në fund dishepujve të vet pas Ringjalljes me korpin e Tij në lavdi”.
Në këtë mënyrë, pohoi Papa, “Ai na tregoi një model të shenjtërisë njerëzore, që të gjithë mund ta imitojmë, së bashku me premtimin e një fati të amshuar, që i kapërcen të gjitha kufijtë dhe aftësitë tona”.
Një dhuratë dhe një rrugë
Papa Prevost vuri në dukje se Pjetri, me përgjigjen e tij, dëshmon se e kishte kuptuar se Krishti është “dhuratë e Zotit” e, njëkohësisht, edhe “rrugë për t’u ndjekur, që të ndryshohej nga ajo dhuratë”, të bëhej njeri i ri. Janë aspekte të pandashme të shëlbimit, që i janë besuar Kishës e që duhen shpallur për të mirën e racës njerëzore, vërejti Ati i Shenjtë.
“Vërtet”, theksoi Leoni XIV, “ato na janë besuar neve, të cilët u zgjodhëm prej [Zotit] para se të formoheshim në barkun e nënave, u rilindëm në ujin e Pagëzimit dhe, duke kapërcyer kufizimet tona dhe pa asnjë meritë tonën, u sollëm këtu dhe u dërguam prej këtej, në mënyrë që Ungjilli t’i kumtohet çdo krijese”.
Më thirri të jem besnik për Kishën
Papa i ri kujtoi se me zgjedhjen e tij si Papa i 267-të dje pasdite, Zoti e thirri të pasojë Shën Pjetrin dhe, si i tillë, ia beson këtë thesar që, me ndihmën hyjnore, të jetë mbarështuesi i Tij besnik, për të mirën e krejt Korpit mistik të Kishës.
Por, kujtoi Papa, Pjetri e dëshmon fenë e vet në përgjigje të një pyetjeje të veçantë: “Kush thonë njerëzit se është Biri i Njeriut?”
Kjo pyetje, theksoi Papa Prevost, nuk është e parëndësishme dhe ka të bëjë me “një aspekt thelbësor të shërbesës sonë, me botën në të cilën jetojmë, me kufizimet dhe potencialin e saj, me pyetjet dhe bindjet e saj”.
Dy qëndrime të ndryshme
“Kush thonë njerëzit se është Biri i Njeriut?” përsëriti Papa i ri, duke vënë në dukje se “mund të gjejmë dy përgjigje të mundshme, të cilat karakterizojnë dy qëndrime të ndryshme”. Së pari, përgjigjja e botës, që nuk heziton ta refuzojë dhe ta eliminojë Krishtin, sapo “prania e Tij bëhet e bezdisshme”, edhe për shkak të kërkesave të tij morale. Pastaj, përgjigjja tjetër e mundshme ndaj pyetjes së Jezusit: ajo e njerëzve të zakonshëm, të cilët e shohin “si njeri të drejtë e të guximshëm”, por gjithsesi, për ta “ai është vetëm njeri, prandaj, në kohë rreziku, gjatë mundimeve të Tij, edhe ata e braktisin dhe largohen të zhgënjyer”.
Misionarë, aty ku është e vështirë të jepet dëshmi
Këto dy qëndrime i gjejmë edhe sot, vërejti Leoni XIV.
“Edhe sot”, paralajmëroi ai, “ka shumë ambiente në të cilat feja e krishterë konsiderohet absurde, e destinuar për të dobëtit dhe për njerëzit jo inteligjentë. Ambiente ku parapëlqehen siguri të tjera, si teknologjia, paratë, suksesi, pushteti, ose kënaqësia”.
Këto janë kontekste, theksoi Ati i Shenjtë, “ku nuk është e lehtë të predikosh Ungjillin dhe të dëshmosh të vërtetën e tij, ku besimtarët tallen, kundërshtohen, përçmohen, ose në rastin më të mirë tolerohen dhe mëshirohen”. “Megjithatë, pikërisht për këtë arsye, ato janë vendet ku misioni është urgjent”.
Mungesa e fesë shoqërohet me mungesa në kuptimin e jetës
“Mungesa e fesë”, nënvizoi Papa, “shpesh shoqërohet tragjikisht me humbjen e kuptimit në jetë, me mospërfilljen e mëshirës, me shkeljet e tmerrshme të dinjitetit njerëzor, me krizën e familjes dhe me shumë gjëra të tjera, që e prekin shoqërinë”. Sot, vërejti Leoni XIV, “ka shumë ambiente në të cilat Jezusi, megjithëse i vlerësuar si njeri, reduktohet në një lloj udhëheqësi karizmatik, ose supernjeriu”. Duke pranuar se kjo ndodh “jo vetëm ndër jobesimtarët, por edhe ndër shumë të krishterë të pagëzuar”, Papa Prevost shpjegoi se ata “përfundojnë duke jetuar në një gjendje ateizmi praktik”. Duke pasur parasysh këtë, Ati i Shenjtë nënvizoi:
“Kjo është bota që na është besuar, një botë në të cilën, siç na ka mësuar Papa Françesku kaq shpesh, jemi të thirrur të dëshmojmë besimin tonë të gëzueshëm në Jezusin Shpëtimtar. Prandaj, është themelore që edhe ne të përsërisim, me Pjetrin: ‘Ti je Krishti, Biri i Hyjit të gjallë’”.
(@Vatican Media)
Udhëtimi i përditshëm i kthesës
Ati i Shenjtë kërkoi që kjo të bëhet, para së gjithash, në marrëdhëniet personale me Zotin, në angazhimin për një “udhëtim të përditshëm kthese”. Pastaj, e njëjta gjë duhet bërë si Kishë, “duke përjetuar së bashku besnikërinë ndaj Zotit dhe duke u çuar Lajmin e Mirë të gjithëve”.
“E them këtë para së gjithash për vete, si Pasardhës i Shën Pjetrit, ndërsa filloj misionin tim si Ipeshkëv i Romës”, u shpreh Papa, duke marrë si shembull fjalët e Shën Injacit të Antiokisë për rolin e Atit të Shenjtë, që e kryeson Kishën Universale në dashuri e bamirësi. “Shën Injaci, i cili u soll i lidhur me zinxhirë në atë qytet (Antiokia), vend i flijimit të tij të afërt, u shkroi të krishterëve: ‘Atëherë do të jem vërtet dishepull i Jezu Krishtit, kur bota të mos e shohë më trupin tim’”.
Të mënjanohemi, për t’i bërë vend Krishtit
Shën Injaci, shpjegoi Papa Prevost, po fliste për martirizimin e tij, pasi u shqye nga kafshët e egra në arenë, por, fjalët e tij mund të zbatohen, pa dyshim, nga të gjithë ata, që ushtrojnë shërbesën e autoritetit në Kishë. Ky impenjim, vërejti Leoni XIV, do të thotë “të mënjanohesh, në mënyrë që të mbetet Krishti, të bëhesh i vogël në mënyrë që Ai të njihet dhe të lëvdohet, të bësh ç’është e mundur, deri në maksimumin e forcave, që të gjithë të kenë mundësinë ta njohin dhe ta duan”. Papa e përfundoi homelinë me lutjen:
“Zoti ma dhashtë këtë hir, sot e përgjithmonë, përmes ndërmjetësimit plot dashuri të Shën Marisë, Nënës së Kishës”.