Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar sot nënshkrimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit për Ndërveprueshmëri dhe Siguri në Komunikim (CISMOA) ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe seksionit J6 të Komandës Evropiane të Ushtrisë Amerikane (EUCOM).
Maqedonci përmes një postimi në “Facebook” ka shkruar se kjo marrëveshje është “një hap strategjik me rëndësi të veçantë, pasi ajo mundëson shkëmbimin e informacioneve të sigurta d si dhe përdorimin nga FSK-ja të teknologjisë së avancuar të mbrojtjes, në përputhje me standardet e partnerëve ndërkombëtarë”.
“Marrëdhëniet me aleatët strategjikë mbeten themel i zhvillimit të kapaciteteve tona mbrojtëse. Kjo marrëveshje është e një rëndësie të veçantë pasiqë mundëson shkëmbimin e informacioneve të sigurta, kriptografike dhe përdorimin e teknologjisë së avancuar të mbrojtjes nga FSK.Marrëdhëniet e FSK-së me aleatët e saj strategjikë janë të rëndësishme në fuqizimin dhe zhvillimin e saj, e në linjë me këtë Komanda e Forcave Amerikane për Evropë (EUCOM) do të vazhdojë të luajë një rol kyç në ngritjen e kapaciteteve të mbrojtjes.”, ka njoftuar Maqedonci./FO