Për herë të parë në historinë e Kishës Katolike Romake, një amerikan është zgjedhur Papë.
Konklava e zhvilluar këtë të enjte zgjodhi Kardinalin Robert Prevost, me origjinë nga Çikago, si Papën e ri të Vatikanit. Prevost, i njohur ndryshe si “Ati Bob”, ka shërbyer për pjesën më të madhe të jetës së tij në Peru dhe zotëron njëkohësisht shtetësi amerikane dhe peruane.
Ai shihet si një figurë që mund të vazhdojë vizionin e Papa Françeskut, duke përfaqësuar një linjë të hapur dhe sociale brenda Kishës.
I lindur në vitin 1955 në një familje katolike me rrënjë evropiane, Prevost është një figurë që e tejkalon përfaqësimin tradicional të klerit amerikan.
Me përvojë të gjatë misionare në Amerikën Latine, veçanërisht në Peru, ai është bërë një zë i fuqishëm i të ashtuquajturit “Jug Global”, term që lidhet ngushtë me axhendën e reformave të Papa Bergoglios.
Në Peru, Prevost drejtoi një prej dioqezave më të varfra, ku zhvilloi një ndjeshmëri të thellë ndaj sfidave të margjinalizimit, migrimit dhe pabarazisë.
Eksperienca e tij në terren i dha atij një perspektivë të rrallë, duke u bërë një nga kandidatët më të besueshëm të linjës reformiste.
Si prefekt i Dikasterit për Ipeshkvijtë, Prevost ka ndikuar në përzgjedhjen e qindra ipeshkvijve në të gjithë botën, duke kontribuar në formësimin e një Kishe më pranë njerëzve.
Ai ka qenë gjithashtu një figurë kyçe në menaxhimin diplomatik të tensioneve mes Vatikanit dhe Kishës Gjermane, duke dëshmuar aftësi të jashtëzakonshme ndërmjetësimi dhe vizioni.
Emërimi i tij si Papë shihet si një sintezë e fuqishme mes Kishës institucionale dhe asaj misionare, mes kontinenteve dhe kulturave, mes vazhdimësisë dhe ndryshimit, njofton euronewsal.