Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përkujtuar sot masakrat e 14 majit 1999, ku mbi 120 civilë shqiptarë u vranë nga forcat serbe në fshatrat Qyshk, Zahaq, Pavlan dhe Llabjan.
Në një postim në Facebook me rastin e 26-vjetorit të kësaj ngjarje të dhimbshme, Kurti rikujtoi se në mëngjesin e 14 majit 1999, forcat e armatosura të Serbisë, të maskuara dhe të kamufluara, hynë në këto fshatra, duke i dëbuar me dhunë banorët nga shtëpitë e tyre, ua grabitën pasurinë dhe ua dogjën dokumentet personale.
“Për këto krime të rënda, dëbimet e civilëve shqiptarë, shkatërrimet e pronave, vrasjet dhe plaçkitjet gjatë zhvendosjes së dhunshme, drejtësia deri tani ka qenë shumë e ngadaltë. Të gjitha krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidit, së bashku me kryerësit dhe urdhërdhënësit e tyre, duhet të vihen para drejtësisë. Për to duhet të japë përgjegjësi drejtpërdrejt shteti i Serbisë. Kosova nuk mund dhe nuk do t’i harrojë asnjëherë krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës”, theksoi Kurti.
Ai tha se populli i Kosovës ka mbijetuar dhe qëndron i fortë e krenar.
“Së bashku, çdo ditë, po e forcojmë Republikën tonë, si jetësim të idealeve të dëshmorëve e martirëve që sakrifikuan gjithçka për lirinë tonë. Lavdi të gjithë të rënëve në rrugën e lirisë”, shtoi Kurti, njofton rtk.