Nga: Dashnim HEBIBI
Zürich,28 Prill 2025
Në ambientet e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih, sot u zhvillua një takim i ngrohtë dhe jashtëzakonisht domethënës me Kryesinë e re të Shoqatës Kulturore Shqiptare në Fricktal. Delegacioni i Shoqatës, i kryesuar nga Prof. dr. Ylber Qusaj, Kryetar i sapozgjedhur, dhe veprimtari i njohur z. Rafet Ademi, Nënkryetar, u mirëprit nga Shefi i Misionit Konsullor, z. Vigan Berisha.
Takimi ishte i fokusuar në prezantimin e historikut, të arriturave dhe sfidave të deritanishme të Shoqatës, si dhe në diskutimin mbi projektet e ardhshme për ruajtjen dhe promovimin e identitetit kulturor shqiptar në Zvicër. Dr. Qusaj dhe z.Ademi ndanë me nikoqirët vizionin për një përforcim të mëtejshëm të aktiviteteve kulturore, edukative dhe artistike në komunitetin shqiptar të Fricktalit dhe më gjerë.
Në fjalën e tij, z. Vigan Berisha vlerësoi lartë kontributin e Shoqatës Kulturore Shqiptare në Fricktal, duke theksuar rolin jetik që luajnë shoqatat kulturore në mbrojtjen e gjuhës, traditës dhe identitetit kombëtar në mërgatë. Ai shprehu mirënjohje për përkushtimin e treguar ndër vite dhe siguroi mbështetjen e Konsullatës për iniciativat e reja që forcojnë komunitetin shqiptar në Zvicër.
“Ne jemi gjithmonë të hapur për bashkëpunim me shoqatat tona, të cilat janë ambasadore të vërteta të kulturës shqiptare në diasporë,” theksoi z. Berisha, duke nënvizuar rëndësinë e veçantë që ka uniteti dhe koordinimi institucional në fuqizimin e rolit të mërgatës sonë.
Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një partneriteti të ngushtë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe organizatave të mërgatës, duke synuar fuqizimin e mëtutjeshëm të lidhjeve kombëtare dhe mbështetjen e brezave të rinj në ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare.
Në përfundim, palët u zotuan që të thellojnë bashkëpunimin përmes projekteve të përbashkëta në fushën e arsimit, kulturës dhe promovimit të vlerave shqiptare në Zvicër dhe më gjerë.
SAM24.info