Kardinalët katolikë nga e gjithë bota nisin këtë të mërkurë (7 maj) procesin e votimit për një papë të ri, nën afreskun e famshëm të Michelangelo-s, “Gjykimi i Fundit”, në Kapelën Sistine.
Ky është një konklav i veçantë dhe ndoshta më i paparashikueshëm që ka ndodhur ndonjëherë, pas vdekjes së Papa Françeskut në moshën 88 vjeçare.
Një nga trashëgimitë kryesore të Papa Françeskut ishte krijimi i një kolegji kardinalësh të larmishëm dhe shpesh të përçarë, me disa që mbështesin vizionin progresiv të tij dhe të tjerë që dëshirojnë të rihapin diskutimin mbi shumë nga ndryshimet që ai solli në Kishën Katolike.
Pas takimeve të përditshme që nga 28 prilli, 133 kardinalët me të drejtë vote janë njohur me njëri-tjetrin dhe kanë diskutuar vizionet e tyre për të ardhmen e Kishës. Sidoqoftë, kardinali Ignatius Suharyo Hardjoatmodjo, kryepeshkopi i Xhakartës, përmblodhi sfidën kryesore të këtij procesi, duke thënë: “Ka shumë konfuzion. Kemi dëgjuar shumë zëra, nuk është e lehtë të nxirrni përfundime.”
Përpara se të nisë procesi i votimit, kardinalët u takuan për herë të fundit ditën e djeshme (6 maj) dhe më pas u zhvendosën në Casa Santa Maria, ku do të qëndrojnë të izoluar nga bota e jashtme derisa të zgjidhet papa i ri.
Gjatë kësaj periudhe, ata dorëzojnë telefonat dhe mbeten të izoluar, duke dalë vetëm për udhëtimin me autobus midis shtëpisë dhe Kapelës Sistine.
Çdo ditë do të zhvillohen dy raunde votimi: një në mëngjes dhe një në pasdite. Pas çdo raundi, tymi do të nxirret nga oxhaku në majë të Kapelës Sistine – tymi i zi tregon se nuk është marrë ende një vendim, ndërsa tymi i bardhë sinjalizon se një papë i ri është zgjedhur. Nëse vendimi vonohet, pas tre ditëve votimi do të ndalet për një ditë reflektimi.
Spekulimet për pasuesin e Papa Françeskut kanë qenë të shumta, me më shumë se 20 kandidatë potencialë për postin e papës. Një element kyç i diskutuar nga kardinalët është se papa i ri duhet të jetë një figurë që mund të udhëheqë Kishën përballë krizave globale dhe të veprojë si një urë dhe udhërrëfyes për një shoqëri të çorientuar. Zyrtarët e Vatikanit theksuan gjithashtu se është thelbësore që kardinalët të mbështesin papën e ri, pavarësisht se kush do të jetë ai, njofton rtsh.