Kamala Harris bëri një rikthim të papritur në skenën publike, këtë herë nga eventi më ikonik i modës ”Met Gala 2025”. E shoqëruar nga bashkëshorti i saj, Doug Emhoff, ish-nënpresidentja amerikane u shfaq me një veshje të personalizuar bardh e zi nga shtëpia e njohur e modës Off-White.
Edhe pse nuk eci në tapetin e kuq, Harris u fotografua me një siluetë elegante prej mëndafshi, me një mëngë asimetrike dhe një shall të gjatë , një pamje që, sipas markës, ishte konceptuar për të përcjellë ndjesinë e përjetësisë. Ajo ishte e ftuar personale e redaktores së Vogue dhe bashkëkryetares së Met Gala-s, Anna Wintour.
Kjo ishte paraqitja e saj e parë ndonjëherë në Met Gala dhe një nga daljet e rralla në publik pas humbjes së zgjedhjeve presidenciale. Së fundmi, Harris ka qenë aktive në disa evente që mbështesin fuqizimin e grave, ku ka kritikuar presidentin Donald Trump për, siç u shpreh ajo, “braktisjen e idealeve më të larta të Amerikës”.
Drejtori kreativ i Off-White, Ib Kamara, komentoi se Harris “mishëron vetëbesimin, forcën dhe elegancën e një lidereje moderne”, njofton tema.