Teksa afatit për dorëzimin e votës nga diaspora po i afrohet fundit, kryeministri Edi Rama i ka bërë thirrje emigrantëve shqiptarë të nxitojnë të japin votën e tyre.
Në total, sipas të dhënave të KQZ-së, deri më tani 65 % e votës së diasporës është dorëzuar, ndërsa mbeten ende me mijëra zarfe që pritet të mbërrijnë deri më 9 maj. Deri më tani nivelin më të ulët të dorëzimit të zarfeve të votimit e ka Greqia me 39 %, ndërsa më i larti është diaspora në Itali me 74 %.
“Po shikoj të dhënat e KQZ dhe të zarfeve të dorëzuar në KQZ, jemi në një situatë ku është vërtetë inkurajuese pjesëmarrja e lartë në krahasim me një sërë vendesh të tjera, por si hera e parë duhet të jetë shumë herë më e lartë besoj unë. Do ju thoja shqiptarëve të Italisë që janë në krye të të gjithëve me 74 % forca janë edhe 21 mijë zarfe për t’u dorëzuar. Do ju thoja shqiptarëve të Greqisë, që janë më mbrapa të gjithëve, jo për fajin e tyre por për faj të e konfuzionit që u krijua nga kompania në ditët e para. Janë dorëzuar 39 % por ka edhe 36 mijë zarfe të pa dorëzuara, por ka ende kohë dhe mos prisni më të vijnë tua marrin por kthejini në pikën postare përkatëse të DHL-së. Nga Gjermania kemi 72 % por janë ende 7 mijë zarfe pa u dorëzuar. SHBA është shumë mbresëlënëse, 70 % por ka ende 5500 të pa dorëzuara. Në Mbretërinë e Bashkuar kemi më pak, 59 % po ka ende 7 mijë zarfe pa u dorëzuar”, tha Rama.
Kryeministri Rama tha se shqiptarët nuk duhet ta humbasin këtë mundësi historike për të vendosur për të ardhmen e vendit të tyre, atë të “Shqipërisë në BE dhe shqiptarëve me status të barabartë me qytetarët e BE-së”.
“Është një mundësi historike, është një votë historike dhe do të ishte gjynah pasi keni bërë mundimin për t’u regjistruara të mos bëni mundimin për të dorëzuar fletën e votimit që ju ka ardhur. Në total jemi në 65 % dhe fluksi vijon të jetë i lartë, por ditët po shkurtohen. Deri të premten gjithçka duhet të ketë përfunduar. Forca për Shqipërinë në BE, për pasaportën evropiane dhe për identitetin evropian, jo me zakon se atë e kemi pasur që kur na vuri Zoti këtu, por edhe me ligj dhe me dokumente dhe për statusin ri të shqiptarëve në botë duke qenë të barabartë me qytetarët e BE-së”, tha Rama, njofton rtsh.