Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, zhvilloi një vizitë zyrtare në selinë e Bankës së Francës në Paris, ku u prit nga anëtarët e bordit të saj, Emmanuelle Assouan, drejtoreshë e Përgjithshme për Stabilitet Financiar dhe Operacione, Laurent Clerc, zëvendësdrejtor i Përgjithshëm për Çështje Ekonomike Ndërkombëtare si dhe Elie Lewi, drejtor i Tregjeve.
Në këtë takim Guvernatori ishte i shoqëruar nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Francë, Mehdi Halimi. Sipas njoftimit nga BQK, gjatë takimit, guvernatori Ismaili informoi drejtuesit e lartë të Bankës së Francës për zhvillimet më të fundit në sektorin financiar të Kosovës, duke përfshirë projektet kryesore të BQK-së që synojnë forcimin e stabilitetit financiar, reformimin e mbikëqyrjes bankare, modernizimin e infrastrukturës së pagesave, mbrojtjen e konsumatorit dhe adresimin e rreziqeve mjedisore e klimatike.
“Ai gjithashtu prezantoi progresin në procesin e para-aplikimit për anëtarësim në SEPA, si dhe zhvillimet në projektin për ndërtimin e sistemit të shpejtë të pagesave në bashkëpunim me Bankën e Italisë”, theksohet në njoftim.
Në kuadër të kësaj vizite, u nënshkrua Marrëveshja Bashkëpunimi ndërmjet Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe Bankës së Francës për ofrimin e shërbimeve të menaxhimit të rezervave. Kjo Marrëveshje është rezultat i takimeve paraprake ndërmjet dy institucioneve gjatë takimeve vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore në vitin 2024 në Washington D.C., dhe përmbylljes me sukses të procedurave paraprake, në përputhje me objektivat e planit strategjik të BQK-së për diversifikimin e investimeve”, thuhet në njoftim.
Tutje theksohet se palët u dakorduan për mundësinë e avancimit të bashkëpunimit në fusha të tjera me rëndësi të përbashkët, duke përfshirë stabilitetin financiar, mbikëqyrjen financiare dhe ngritjen e kapaciteteve institucionale përmes programeve të shkëmbimit të përvojave dhe pjesëmarrjes në rrjete ndërkombëtare.
Guvernatori Ismaili falënderoi për mikpritjen dhe vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Bankës së Francës në forcimin e kapaciteteve të BQK-së, duke shprehur përkushtimin për thellimin e këtij bashkëpunimi të rëndësishëm./FO