9 Minuta me Dashnimin
Intervistë me z. Adnan Mehmeti – President i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë
Adnan Mehmeti është një nga figurat më të spikatura të diasporës shqiptare në SHBA që vjen nga Lugina e Preshevës, një intelektual i urtë, i përkushtuar dhe me kontribute të vyera për ruajtjen e gjuhës, traditës dhe identitetit kombëtar. Prej vitit 1995 jeton në Amerikë, ku ka ndërtuar jo vetëm jetën e tij, por edhe ura të forta lidhjeje mes atdheut dhe mërgatës.
Si president i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, z. Mehmeti ka udhëhequr për vite me radhë përpjekjet për të afirmuar krijimtarinë shqiptare në diasporë, duke promovuar letërsinë si mjet identiteti dhe bashkimi kombëtar. Me një qëndrim gjithmonë modest, por me një angazhim të palodhur, ai ka ditur të bashkojë zërat e shkrimtarëve shqiptarë në Amerikë dhe Kanada, duke i dhënë gjuhës shqipe një hapësirë të rëndësishme në kulturën e mërgatës.
Në intervistën ekskluzive për rubrikën tonë, z. Mehmeti flet për rrugëtimin e tij jetësor dhe letrar, sfidat e mërgimit, rëndësinë e organizimit kulturor në diasporë dhe vizionin për të ardhmen e kulturës shqiptare. Ai ndalet gjithashtu te roli i shkrimtarit si urë lidhëse mes brezave dhe thekson domosdoshmërinë e projekteve madhore si krijimi i Muzeut të Diasporës dhe Shtëpisë së Librit Shqip në Amerikë.
Në fjalët e tij, Adnan Mehmeti sjell një mesazh të qartë: letërsia nuk është thjesht art, por një akt përgjegjësie ndaj gjuhës, kulturës dhe identitetit tonë të përbashkët. Ai beson se brezat e rinj kanë misionin të shfuqizojnë “ndarjet” që na kanë penguar si komb dhe t’i japin formë një kulture të re bashkimi e solidariteti.
I heshtur në zhurmë, por i madh në vepra, Adnan Mehmeti mbetet një prej figurave më unifikuese të diasporës shqiptare, një zë i fuqishëm që me fjalën e tij shëron mallin për atdheun dhe ruan me përkushtim pasurinë tonë shpirtërore: gjuhën shqipe.
Intervistën e plotë do ta lexoni me 17 maj, e shtunë. Mos e humbisni!
SAM24.info