Historikisht, ekstremizmi është manifestuar në ideologjitë e krahut të majtë, të djathtë, ato fetare, nacionaliste etj. Këtu hyjnë bolshevikët, regjimet fashiste në shekullin e 20-të ose grupet moderne xhihadiste, duke i përfshirë grupet radikale të djathta në Perëndim. Si shembull konkret të manifestimit të këtyre lëvizjeve mund të përmendim këngën “Horst Wessel Lied”, e cila ishte shkruar nga Horst Wessel, një aktivist nazist i vrarë në vitin 1930-të. Vdekja e tij u shfrytëzua për ta kthyer atë në një martir. Raste të tilla nga historia e popujve të Europës kemi shumë, të cilat pa diskutim sot shërbejnë për dërgimin e mesazhit politik dhe ekstremist të të gjitha llojeve.
Selim IBRAIMI, Uashington
Një dilemë vazhdon të jetë ende aktuale – a mund të funksionojë bota me ideologji institucionale të mbështetura nga ekstreme që nuk lejojnë qasje të ndryshme ndaj lidershipit dhe politikave të brendshme, veçanërisht në ato ku demokracia ende paraqitet si eksperiment i elitave politike së bashku me qeveritë?!
Ndryshimet që vihen re pas ardhjes së Donald Trump-it në SHBA, në Europë dhe në Ballkan, pa përfshirë qeveritë e tjera autokratike në botë, nuk u lënë shumë hapësirë politikave liberale në institucionet ndërkombëtare dhe në politikat e brendshme të shteteve. Si shembull mund ta marrim Europën Perëndimore, ku partitë e djathta po zënë hapësirën më të madhe dhe kanë arritur ta marrin pushtetin. Dhe, jo domosdoshmërisht, për shkak të politikave kundër emigrantëve, partitë e djathta i kanë shpartalluar partitë liberale. Megjithëse Europa Perëndimore ka kaluar nëpër faza të ndryshimeve të rëndësishme, që nga Reformacioni dhe Renesanca, dhe në faza të ndryshme ka lëvizur majtas e djathtas, ka qenë e nevojshme që qeveritë e liberalëve të mëdhenj të qeverisin gjatë shekullit të kaluar e deri në vitet e fundit pa kufizime, duke ndikuar në mënyrë dramatike në jetën e qytetarëve europianë. Krahas jetës politike e shoqërore liberale e konservatore, devijimet e paraqitura nga Europa, e deri nga shtetet e Lindjes së Mesme, e ndihmuan shfaqjen e ekstremizmi politik dhe fetar si shtytësit kryesorë të kaosit dhe paragjykimeve.
Ekstremizmi në Perëndim dhe Lindje
Sot, gjithmonë priremi të fajësojmë grupet e tjera fetare për urrejtje dhe ekstremizëm politik dhe fetar. Për të qenë të ekuilibruar dhe realist, e njëjta urrejtje dhe ekstremizëm ekziston kudo, ku raste të tilla janë evidente, veçanërisht në zonat rurale dhe urbane ku feja luan një rol të rëndësishëm. Një paragjykim i madh ekziston në ato komunitete për myslimanët duke i paraqitur si terroristë dhe anasjelltas. Nga një politikë e nivelit të ulët, ekstremizmi fetar i motivuar, shkon tek zyrtarët e profilit të lartë të qeverive, duke i integruar në politika kundër kombeve dhe njerëzve të tjerë, pavarësisht brenda shteteve dhe globalisht. Ekstremizmi ka burime të ndryshme. Disa qeveri, qofshin në botën perëndimore ose lindore, për dekada kanë mbështetur luftëra kundër dinjitetit njerëzor, duke i vënë kombet në pozita të këqija. Për shembull, shtetet e Lindjes së Mesme në ditët e sotme, për shkak të ekstremizimit, interesit të brendshëm e të jashtëm, nuk mund të gjejnë paqen dhe mirëkuptimin. Në luftën në emër të demokracisë, që në realitet është një lloj ekstremizmi i eksportuar prej jashtë që i mban popujt në armiqësi, qeveritë nuk janë në gjendje të parandalojnë asgjë. Gjatë shekullit të 20-të dhe në fillim të shekullit 21, kemi pasur raste kur shtetet kanë hyrë në luftë në emër të koalicioneve dhe interesave kombëtare, gjë që është treguar dekada më vonë se ekstremizmi politik e fetar ka luajtur rol në ato luftëra. Ky është një shembull i keq për komunitetin botëror të trajtimit të konflikteve sipas modelit ekstremist. Edhe në ditët e sotme, kur qeveritë pretendojnë se veprojnë sipas ligjit ndërkombëtar, gjendja tregon se po këta janë shkelësit e ligjeve. Prapëseprapë, realiteti është se ata, në emër të vlerave të tilla, janë në lojën e ekstremizmit politik, në të cilin po tregohet njëra anë, si p.sh. në Lindjen e Mesme ku mediat po tregojnë vetëm ekstremizëm islamik. Por, po fshihet ekstremizmi i agresorit me të gjitha aktet e dhunës. Duke i vënë ngjarjet në perspektivë, ekstremistët politikë dhe fetarë do të jenë shtytësit kryesorë të konflikteve në Lindjen e Mesme, Ballkan dhe të paqëndrueshmërisë në Europën Perëndimore. Europa Perëndimore dhe Ballkani, për shkak të afërsisë së tyre, do të vazhdojnë të përplasen dhe në faza të ndryshme do të luajnë me kufij të mbyllur dhe të hapur në emër të rritjes së ekstremizmit. Në ato kushte, rajonet dhe kombet në Ballkan do të përballen me përplasje për shkak të apetiteve për territore, madje edhe konflikte të hapura në emër të fesë. Në këtë rast, të gjithë do të akuzohen në emër të ekstremizmit politik, por në thellësi është lufta kundër besimit dhe asgjë më shumë, sepse – siç e dimë të gjithë – luftërat fillojnë për disa arsye, që janë ekonomike, etnike dhe fetare. Në kushtet që janë perfekte për të gjitha llojet e ekstremizmit, qeveritë do të përpiqen të ekspozojnë ideologji, që do të jenë në funksion të zgjerimeve territoriale shtetërore, fraksioneve etnike dhe, më e rëndësishmja, përdorimi i ekstremeve fetare për manipulim kundër grupeve të tjera fetare.
Ballkani, rajoni ku ekstremizmi qëndron gjatë
Si raste mund t’i paraqesim Bosnjën dhe Kosovën e në raste të tjera edhe Maqedoninë e Veriut, ku në të tre vendet ekstremizmi i tillë politik, etnik dhe fetar i ka afruar ngjarjet deri në konfrontim. Nuk ka dyshim se ekstremizmi në kohët moderne do të sjellë politikanë dhe qeveri që veprojnë vetëm në emër të etnisë dhe fesë, veçanërisht në vendet me traditë demokratike dhe autokratike. Në këto kohë të pasigurta, qeveritë në mënyra mund të promovojë të ndryshme ide të tilla radikale dhe projekte konkrete me motive të përdorimit të parullave për një vend të pastër etnik dhe një fe. Për shembull, mund ta përmendim këtu ekstremizmin e viteve 20-30-të në shekullin e 20-të, që i solli kombet në një luftë të madhe dhe humbje jetësh.
Historikisht, ekstremizmi është manifestuar në ideologjitë e krahut të majtë, të djathtë, ato fetare, nacionaliste etj. Këtu hyjnë bolshevikët, regjimet fashiste në shekullin e 20-të ose grupet moderne xhihadiste, duke i përfshirë grupet radikale të djathta në Perëndim. Si shembull konkret të manifestimit të këtyre lëvizjeve mund të përmendim këngën “Horst Wessel Lied”, e cila ishte shkruar nga Horst Wessel, një aktivist nazist i vrarë në vitin 1930-të. Vdekja e tij u shfrytëzua për ta kthyer atë në një martir. Raste të tilla nga historia e popujve të Europës kemi shumë, të cilat pa diskutim sot shërbejnë për dërgimin e mesazhit politik dhe ekstremist të të gjitha llojeve. Mesazhet patriotike e fetare gjithmonë janë vërejtur në zonat sektare dhe në ato të urbanizuara, pa dallim qofshin në Lindjen e Mesme, Ballkan, në Perëndim etj.
Në kontekstin e dominimit të ekstremizmit në marrëdhëniet ndërkombëtare, aty duhet të shihet fuqia e saj në bashkëpunim me propagandën që mbështetet nga qeveritë ose regjimet. Bashkëdyzimi i ekstremizmit dhe propagandës mund të shërbejë si kujtesë e popujve që asnjëherë të mos gjejnë pajtim. Si rast klasik përsëri mund ta sjellim Serbinë, me aftësinë e manipulimit me ekstremizmin në çështjet e brendshme dhe mbajtjen e Kosovës si problem të përhershëm. Gjithashtu, edhe në Maqedoninë e Veriut, për ta ruajtur qeverisjen e partive në qeveri, ku ekstremizmi etnik përdoret për t’i goditur etnitë e tjera dhe për ta forcuar pushtetin. Raste të tilla mund të gjejmë gjetkë, me ndikime të vogla, të mesme dhe të mëdha. Në kontekstin historik, ekstremizmi i të gjitha llojeve, nga Lindja në Perëndim, përfshirë Ballkanin, do të jetë i gjallë si një virus që nuk largohet kurrë. Por, kombet, qeveritë dhe të gjithë aktorët duhet ta parandalojnë dhe menaxhojnë atë.