Nga: Kristina Nano
Jetojmë tashmë në momente në histori kur gjithçka e njohur fillon të lëkundet. E vjetra nuk është shuar ende, por e reja nuk ka lindur plotësisht. Antonio Gramsci i quante këto si “interregnum”, momente të frikshme ndërkalimi, ku krizat lindin pikërisht nga bllokimi i lindjes dhe ikjes. Kjo është koha ku jemi sot. Që nga 20 janari 2025, me rikthimin e Presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, bota ka hyrë zyrtarisht në një cikël të ri tensioni, riartikulim interesash dhe rishpërndarje fuqish. Politika nuk mund të jetë më thjesht menaxhimi i së zakonshmes. Liderët nuk mund të sillen sikur jetojnë në versionin lokal të një bote që nuk ekziston më.
Ndaj, në këtë fushatë elektorale të 11 majit 2025, ku garuesit shqiptarë përpiqen të marrin votën e qytetarëve, unë do t’u këshilloja me urgjencë të ndalin së menduari në terma të vjetra, në mendime elektorale e taktika banale, dhe të fillojnë të sillen si udhëheqës të epokave të rënda.
Sepse koha jonë ka ndryshuar. Sepse bota po ridizenjohet. Sepse askush nuk e di ende se çfarë do të ndodhë me Europën. Sepse edhe kur Kryeministrja Meloni shkon në Zyrën Ovale, askush nuk është i sigurt nëse kjo do të sjellë afrim, ndarje apo tension të ri mes SHBA dhe BE.
A ka Shqipëria një plan? A ka doktrinë të qartë? A ka udhëheqës që i lexon epokat?
Lideri nuk duhet të jetë produkt i fushatës, por pararendës i kohës.
Një nga mëkatet më të mëdha të politikës shqiptare është që liderët sillen si pasqyrë e opinionit publik, dhe jo si pararendës të vetëdijes kolektive.
Ata marrin forma sipas sondazheve, jo sipas nevojave të historisë. Por sipas James MacGregor Burns, lideri transformues nuk ndjek opinionin publik, por e formëson atë. Ai shfaqet me vetëdije të thellë, vizion afatgjatë dhe ndërton realitete të reja.
Në një kohë të paparashikueshme gjeopolitike, ku BE mund të fragmentarizohet, ku Amerika kthehet në strategji unilaterale, dhe ku Rusia dhe Kina shtrihen si perandori me interesa të zgjeruara, Shqipëria nuk ka luksin të prodhojë liderë sondazhesh.
Ajo ka nevojë për liderë me busull epokale.
Lideri i vërtetë duhet të dijë të mendojë me gravitet gjeostrategjik.
Carl von Clausewitz shkruante se “lufta është vazhdimi i politikës me mjete të tjera”.
Sot, fushata gjeopolitike është pa armë por plot tarifa, embargo, ndikime teknologjike dhe operacione hibride.
Një lider që nuk ka vizion strategjik, që nuk kupton ku po shkon bota, që nuk kupton rendin e ri energjetik, digjital, teknologjik dhe ushtarak, është i destinuar ta zhysë vendin e vet në humbëtirë.
Unë do t’u këshilloja liderëve shqiptarë të nisin me urgjencë të formulojnë një doktrinë kombëtare të politikës së jashtme dhe të sigurisë.
Të dinë të pozicionohen, të japin orientim, të kenë platformë.
Mjaft me ndjekjen servile të fuqive të mëdha.
Koha e imponon përgjegjësi.
Lidershipi duhet të ndërtojë institucione që i mbijetojnë liderit.
Asnjë vend nuk është i fortë nëse lidhet pas emrit të një individi.
Forca e një shteti matet me fuqinë e institucioneve të tij, jo me famën e liderit që i prin.
John Locke shkruante se sundimi pa ndarje pushtetesh është rruga drejt tiranisë. Shqipëria është një vend ku liderët vijnë si mesia dhe shuhen si diktatorë.
Unë do t’u këshilloja liderëve shqiptarë të ndërpresin kulturën e personalizimit.
Të ndërtojnë mekanizma llogaridhënieje, transparence, ndarjeje pushtetesh dhe konkurrimi real politik.
Qytetarët nuk kanë nevojë për prijës, por për shërbëtorë të republikës.
Shqipëria duhet të ketë një plan ekonomik që lidhet me realitetin e ri global.
Tarifat amerikane, proteksionizmi europian, shpërndarja e zinxhirëve të furnizimit, krizat energjetike, trazirat monetare, lëvizin tregjet globale.
Shqipëria nuk ka as kapacitete prodhimi të brendshëm, as vizion industrial, as strategji eksporti.
Vetëm turizmi, betoni dhe remitancat nuk mjaftojnë për një vend të lirë dhe sovran.
Unë do t’u këshilloja liderëve që duan të qeverisin: Filloni me vetë sensibilizim.
Shqiptarët nuk jetojnë vetëm në Tiranë dhe vetëm në rrjetet sociale.
Ata janë të mjerë, të vetmuar, të papaguar, të papunë, të pashpresë.
Planet ekonomike të të ardhmes nuk duhet të jenë slogane, por strategji zhvillimi të territorit, njeriut dhe dijes.
Lidershipi nuk është pushtet, por barrë.
Të jesh lider, thotë Dietrich Bonhoeffer, nuk do të thotë të shfaqesh si i fortë, por të mbash barrën e të gjithëve mbi supe.
Koha jonë është barrë e rëndë.
Ne jetojmë në një botë që çdo ditë ndërrohet në rregulla, orientime dhe frikë.
Vetëm ata që dinë të mbajnë barrë, të udhëheqin me drejtësi, durim, qartësi dhe dije, do të mbijetojnë si udhëheqës të epokës.
Liderët shqiptarë në këtë fushatë të 11 majit 2025, nuk duhet të premtojnë më rrugë, ndriçim, dhe internet falas.
Ata duhet të shfaqen si udhërrëfyes të një kombi në krizë orientimi.
Si pararendës të epokave që vijnë, jo si jehonë e epokave që shkuan.
Ata nuk duhet të konkurrojnë për pushtet, por për besim.
Nuk duhet të shfaqen si fitimtarë, por si mbartës të barrës së madhe të kombit që u është besuar.
Sepse bota ka ndryshuar.
Sepse rregullat janë thyer.
Sepse askush nuk e di se çfarë do të vijë.
Por historia gjithmonë i është nënshtuar vizionarëve, jo menaxherëve.
Dhe Shqipëria nuk mund të mbetet pa ta.
Këto do të ishin këshillat e mia të sinqerta për liderët shqiptarë që vijnë.
Marrëdhënia me të ardhmen nuk matet me vota, por me përgjegjësi.