Kryeministri Edi Rama mikpret liderët e Europës në Samitin e Komunitetit Politik në sheshin “Skënderbej”.
Një detaj i veçantë që bie në sy është veshja e kryeministrit Edi Rama.
Kreu i qeverisë ka veshur një palë atlete me numrin 5, që simbolizon fitoren e PS, numrin në renditje në fletët e votimit të zgjedhjeve të 11 majit, si dhe yllit me 5 cepa.
Në Samitin i gjashtë të Komunitetit Politik Europian marrin pjesë 47 liderë shtetesh dhe qeverish nga e gjithë Europa, përfshirë vende të Bashkimit Europian, Ballkanin Perëndimor, si dhe shtete të tjera të kontinentit.
Kjo është hera e parë që një ngjarje e tillë zhvillohet në Ballkanin Perëndimor, duke shënuar një moment historik për Shqipërinë dhe rajonin.
Pjesëmarrësit do të diskutojnë për çështje të sigurisë, konkurrencës ekonomike dhe fuqizimin e rinisë.
Programi i plotë:
Programi i samitit nis në orën 10:00 me mbërritjen e delegacioneve dhe deklaratat për media, pasuar nga ceremonia zyrtare e hapjes në orën 11:00 dhe fotografia familjare në orën 11:30.
Më pas, do të zhvillohen sesioni i parë plenar, një drekë zyrtare dhe tryeza tematike. Pasdite do të ketë takime dypalëshe mes krerëve të delegacioneve dhe një sesion përmbyllës plenar.
Ngjarja do të mbyllet me një konferencë të përbashkët për shtyp në orën 18:30 nga Kryeministri i Shqipërisë dhe Kryeministri i Danimarkës, vendi pritës i samitit të ardhshëm, njofton KJ.