Nga: Xhemail Peci
Ekrem Bardha i takon brezit të atdhetarëve shqiptarë të cilët u larguan nga mëmëdheu të shtrënguar nga rrethanat e kohës, por që nuk ia kthyen shpinën kurrë tokës që i lindi e i rriti. Pa dyshim, një brez mëmëdhetarësh të devotshëm, të cilët ndonëse larg atdheut, i vunë krahët atdheut dhe bën të pamundurën të mundur.
Përveç se është një njeri i dëshmuar i sukseseve të shumta, Ekrem Bardha është para së gjithash e mbi të gjitha, një atdhetar i devotshëm, i cili tërë jetën e tij mendoi, punoi e veproi për çështjen e madhe të kombit, për lirinë dhe demokracinë e tij.
Tek ai mishërohen më mirë se kudo, dashuria e pakufishme për atdheun, përkushtimi i palodhur për kauzën e shenjtë kombëtare si dhe veprimtaria e gjithanshme në shërbim të kësaj kauze. Tek ai shpaloset jo vetëm krenari e të qenunit shqiptar e bir shqiptari, por edhe gatishmëria për t’i shërbyer një misioni sa fisnik po aq edhe bujar, të trashëguar nga të gjithë brezat e atdhetarëve shqiptarë, misionit për ta ribërë Shqipërinë dhe për t’i shërbyer Shqipërisë dhe shqiptarëve, jo vetëm me një devotshmëri të paparë por edhe me një shpresë të gjallë e me një besim të patundur, se triumfi i idealeve kombëtare nuk është thjesht një ëndërr, por një imperativ që koha ua vuri atyre me peshën e viteve mbi supe.
Ekrem Bardha është personaliteti aq i veçantë, që të kujton thënien e njohur se atdheu fillon tek zemra e nënës, tek Lokemadhja me emrin Bule Bardha. Shqipëria fillon tek ajo, sepse Shqipëria merr jetë tek ajo, sepse është ajo që merr forcë dhe zemër nga Shqipëria, sepse është pikërisht ajo që ua mbajti të gjallë kujtimin dhe dashurinë për Shqipërinë të bijve të saj, edhe kur u larguan nga toka mëmë. Pa dyshim një zonjë fisnike, e shquar për dashuri ndaj atdheut dhe njerëzve të tij, por e shquar edhe për shpirtmadhësi e për një qëndresë epike.
Në të vërtetë, shqiptarët e Amerikës kanë një vend nderi, jo vetëm në historinë e shtetformimit të Shqipërisë, por edhe në konsolidimin e këtij shteti e të lirisë së saj.. Jo një herë, me sakrificat e tyre më sublime, me dashurinë e tyre të zjarrtë për atdheun, për gjuhën, për flamurin, për kombin dhe për kulturën shqiptare, ata i dolën zot Shqipërisë dhe fateve të saj. Sa herë që e kërkoi koha, sa herë që i thirri zëri i shenjtë i atdheut, flaka e dashurisë për të morri hov në zemrat e tyre dhe ata u vunë me gjithë qenien në shërbim të rilindjes së një kombi martir, të cilin historia dhe padrejtësitë e saj të shumta e kishin dënuar jashtëzakonisht rëndë. Vëllezërit vatranë, siç do të shprehej profesori erudit Selamn Riza, u bënë kështu flamurtarët e shqiptarizmës së rilindur.
Si në një rastësi mitesh dhe legjendash, Rilindjen e madhe e kishte filluar duke shpalosur Flamurin e Arbërit, bardi i madh Jeronim De Rada, poeti i parë kombëtar, i cili ndonëse Arbërinë matanë detit (siç shpreheshin shpesh arbreshët për mëmëdheun e tyre) e kishte fare pranë, ai e shihte ate vetëm përtej brigjeve të Adriatikut, pa mundur kurrë të shkelte në tokën stërgjyshore!
Po këtë Rilindje, po këtë zjarr, po këtë vrull, po këtë gjakim për ta ribërë Shqipërinë e për t’ia rikthyer lirinë dhe dinjitetin e nëpërkëbur padrejtësisht, në vazhdimësinë e përpjekjeve të parreshtura të të gjithë brezave atdhetarë, në njërin nga aktet finale të tragjedisë së madhe, do t’i jepnin ndihmën e tyre të pakursyer, vulën e përpjekjeve të tyre titanike politike e diplomatike, shqiptarët e Amerikës, të cilët me trup ishin larg-përtej Atlantikut, por me mendje, me zemër dhe me shpirt ishin gjithmonë me Shqipërinë dhe shqiptarët.
Shqiptarët e Amerikës, doemos se na kujtojnë ate që është thënë për Lasgush Poradecin, princin e hirshëm të poezisë shqipe e këngëtarin e hollë të thelpinjve të lirikës shqiptare, se mërgimi është një bekim hyjnor. Prandaj, shqiptarët e Amerikës meritojnë shprehjen e ndjenjave më të thella të mirënjohjes e të respektit pa kufi, për të gjitha ato që kanë bërë për Shqipërinë, për Kosovën dhe për gjithë kombin shqiptar.
Ekrem Bardha është njëri nga ata që me kontributin e tij të jashtëzakonshëm, ka lënë gjurmë dhe ka vënë vulë në përpjekjet e panumërta për ta aktualizuar dhe riaktualizuar çështjen kombëtare shqiptare, e cila ka nënkuptuar çlirimin e Kosovës, si një prej fazave më të rënëdësishme të kësaj lufte.
Ndonëse siç e thotë në librin e tij të pare gtë kujtimeve, Larg dhe Pranë Shqipërisë, sfidat ishin të panumërta, vetëm një përpjekje kolosale, vetëm një dashuri e madhe e me një zjarr të shenjtë për atdheun, vetëm një besim i patundur, iu bë dritë në një mision sa të rrallë po aq edhe fisnik.
Po të lexosh me vëmendje kujtimet e tij, po të ndalesh në detajet e këtyre kujtimeve, po të analizosh personazhet dhe ngjarjet e tyre, po të kundrosh nëpërmes tyre rrugën që kaluar jo vetëm një brezni por edhe një komb i tërë, po të shikosh dokumentet dhe letërkëmbimet në shërbim të lirisë së Kosovës, po të analizosh sfidat e shumta të trajektores së lirisë së shumëpritur, po të nënvizosh takimet dhe bisedat e shumta me përfaqësuesit kryesorë të politikës amerikane, nuk është e vështirë për të kuptuar se lajtmotiv i një njeriu bëhet e vërteta, mision i shenjtë bëhet liria, vizion i papërsëritshëm bëhet ardhmëria e kombit të tij.
Ai vepron me krenari por flet me modesti për të bëmat e tij, ai shpalos jo vetëm fisnikërinë e tij të origjinës nga dera e madhe e Konicës, por njëkohësisht edhe bujarinë dhe shpirtmadhësinë e njerëzve që krenarinë e vejnë mbi lumturinë, çështjen kombëtare përmbi interest personale.
Të brumosur me ndjenjën e atdhedashurisë, të gatuar me dashurinë për vëllazërinë gjithëshqiptare, ata rendin pas një njeriu që shndrohet në një pishtar drite e atdhedashurie: Sulo Bardha, Sulo Komica. Është i ati i Ekrem Bardhës, një mishërim drite, bujarie e fisniëria. Por jo më pak edhe Bule Bardha: ‘Përkulur mbi makinë, ajo qepte deri natëm vonë për të mbaruar porositë e grave nga fshatrat rreth e rrotull, Podë, Shalës, Gërmenj. Gumëzhitja e makinës ishte si një ninulë që na vinte në gjumë.’
Në mes të një realitieti të hidhur e mes ndeshtrashash të shumta, shpalosen ndjenjat e mëdha njerëzore, dashuria për Radanin-fshatin e lindjes, malli për erën ledhatare të Leskovikut, krenaria për kolonjërat trima patriotë e të mençur, për të bëmat e njërit prej levendve të lirisë së Shqipërisë-Zylyftar Poda ‘një nga kapedanët e Ali Pashë Tepelenës’, si dhe për trimëritë e luftëtarit të paepur Gani Butka:
‘Këngët, së bashku me ngjarjet që rrëfesheshin për burrat e dëgjuar të Kolonjës, Leskovikut dhe Dangëllisë, që nga vëllezërit Frashëri, Petro Nini Luarasi, Themistokli Gërmenji, Zalo Prodani, Sali Butka, dëshmonin se njerëzit i kujtonin me mirënjohje të gjithë ata që ishin përpjekur për të mirën e mëmëdheut.’
Shpalosen kështu faqe krenari e lavdie, faqe atdhedashurie por edhe faqet e një tragjedie që lanë flakët e luftës Italo-Greke, si edhe të çarjes së madhe të dy kampeve shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore. Vërehet qartë zemër-klithja e autorit për luftën vëllavrasëse e të pakuptimtë, pasojat e së cilës fatkeqësisht ndihen edhe sot në politikën dhe barikadimet shqiptare në kampe të ndryshme ideologjike.
Parakalojnë në kujtime të thadruara bukur Butkallinjtë: Gani Butka, Safet Butka e Sali Butka, Mumtaz Kokolari – i derës atdhetare të Kokolarëve, por me një gdhendje të rrallë edhe Dervish Hajdar Ramolli, si njeri i Zotit me një shembëlltyre të rralë homerike. Djalin e tij, Xhevdetin-ballist, siç thekson në kujtimet e tij z. Bardha, e kishin vrarë partizanët, dhe kur turma thërriste vazhdimisht për hakmarrje, një ndërgjegje e kulluar kombëtare shqiptare ngritet në lartësitë e Baba-Tomorrit:
‘Pikërisht atë çast doli në krye të varrit Dervish Hajdar Ramolli. Ai tha: Mos zini në gojë hakmarrje, se lëndoni Zotin dhe mua. Për djalin tim nuk dua as t’i vejë gjak nga hundët ndonjerit, kushdo qoftë. Djalin ia kam falur Shqipërisë. E pat kët fat im bir, por nuk dua të vriten të rinj të tjerë për shkak të tij.
Qëndrimi burrëror, me të cilin përballoi humbjet e të birit, dhe fjalët e tij prej njeriu të shenjtë, lanë mbresa të thella tek të gjithë pjesëmarrësit në varrim. Fjalët e tij të urta u përhapën në krahinën e Leskovikut dhe të Kolonjës si balsam, edhe pse ajo vrasje pa kuptim i kishte acaruar të gjithë.’
Jo më pak madhështore del edhe portreti i nacionalistit të ndershëm Kaja Vasha, një figureë e veçantë si Kajo Babjeni, por edhe ajo e nënës së Petrit Shehut, e cila nuk lë derë pa trokitur që dënimin me pushkatim për Kajon, ta kthenet me dënim të përjetshëm, në këmbim të faktit se ai ia kishte ‘shpëtuar djalin e saj partizan nga vdekja.’
Nga ky prizëm, autori nxjerr konkluzionin që e përshkon jo vetëm librin por edhe gjithë jetën e tij: ‘Po të kishte pasur Shqipëria më shumë burra të tillë nga të dyja krahët, sot do të ishim ndryshe.’
Ky është lajtmotivi që ka Ekrem Bardha. Lajtmotivi i faljes, i paqes dhe i bashkimit, në vend të hakmarrjes dhe ndasive dhe mërive të pakuptimta. Me një lajtmotiv të tillë, ai i flet jo vetëm kujtesë historike por edhe ndërgjegjës kombëtare. I vetëdijshëm se kombi ka aq shumë nevojë të mbyllen plagët tona, siç do të shprehej Lumo Skëndo (Mit’hat Frashëri), Ekrem Bardha është rreshtuar drejt dhe ka mbajtur qëndrimin parimor për të përafruar e për të përbashkuar radhët e vëllazërisë gjithëshqiptare, sepse siç do të shprehej Ernest Koliqi, vetëm dashuria për Shqipërinë shumëfishon forcat e saj.
Gjithsesi, përmes shembëlltyrave epike të njerëzve të tillë, veçmas përmes figurës së nënës (si Buleja e si nëna e Petrit Shehut), ngriten lart virtytet dhe tiparet më sublime të një kombi të lashtë e fisnik.
Në veprimatrinë e tij të shumanshme, të vurllshme e të bujshme atdhetare, Ekrem Bardha priret nga parimi i së vërtetës, nga parimi i faljes e i bashkimit, si dhe nga parimi i madh moral e intelektual se: ‘Nëse heshtim ne, hesht e vërteta’(në librin e tij të dytë me kujtime, E Vërteta, Pavarësia e Kosovës, Amerika dhe Diaspora) , pra nga parimi i ndërgjegjësimit kombëtar shqiptar; ashtu siç e ka thenë edhe kolosi i mendimit dhe veprimit romantim europian, Viktor Hygo: ‘E vërteta, e drejat dhe liria: ja kush është Perëndia!’
E sintagma Shqiptarët e Amerikës, na bën sa krenarë po aq edhe kontribon në rizgjimin kombëtar, sepse kjo sintagmë dhe këta bashkatdhetarë të cilët e kanë mbajtur për më shumë se një shekull të gjallë zjarrin e shenjtë të atdhdashurisë, na përkujton se ndaj nesh shekujt janë treguar mjaft tinzarë, prandaj siç e ka theksuar poeti i hymnit kombëtar Asdreni, vetë të përbashkuar do të jemi të denjët e një dite që patjetër se do të vijë, të denjët e drite që patjetër se do të gdhijë.
Shqiptarët e Amerikës, që nga brezi i princit të gjuhës shqipe Faik Konicës, e deri tek brezi i Ekrem Bardhës, ka pasur vetëm një mision, vetëm një mision, të cilin e ka shpalosur Konica në mermerin më monumental të flatrave të fjalës shqipe: përparimin dhe qytetërimin e Shqipërisë, siç e ka pasur ajo dikur në kohët e Ilirisë.
Kjo thirrje drite dhe shprese ka një sfond legjende. E po në këtë sfond një njeri, si nëpër mitet dhe legjendat, hyn dhe del në portat e mëdha të diplomacisë e të politikës amerikane, duke takuar si askush më parë, të shtatë presidentët e saj. Sërish, një bardhësi legjende dhe një bekim i një nëne për të mos e harruar atdheun kurrë, një testament prej breznive orëmira që na la Lokemadhja Bule Bardha.
Le të jetë pra ky rast solemn, i Ditëlindjes së 92-të të Zotit Ekrem Bardha, një rast i veçantë i një kënaqësie dhe i një krenarie të rrallë, i shprehjes së urimeve më të përzemërta, të respektit më të thellë, të mirënjohjes pa kufi si dhe i konsiderateve më të larta, me të cilat kemi nderin të jemi, duke i dëshiruar shëndet, suksese, gëzime, mbarësi, mirësi e lumturi: pa kufi!
Ashtu siç na ka mësuar poeti tjetër kombëtar Naimi i Frashëllinjve, i cili sa bukur ka thënë, që e pastë bekimin aty ku ka rënë:
Ua paçim për jetë hua!
Juve, shume i nderuar Zoti Bardha, si dhe brezit tuaj mëmëdhetar, vëllezërve tanë dhe motrave tona përtej Atlantiku, në krenarinë e tyre të ligjshme të të qenunit shqiptarë e bij dhe bija shqiptarësh!