Diaspora vijon të votojë. Teksa afati për dorëzimin e zarfeve nga diaspora po shkon drejt fundit, pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) janë dorëzuar rreth 181 mijë vota të ardhura nga jashtë vendit.
Sipas të dhënave zyrtare, rreth 18,838 shtetas nuk do të mund të ushtrojnë të drejtën kushtetuese për të votuar, pasi nuk kanë tërhequr pakot zgjedhore.
Ndërkohë, afërsisht 46 mijë zarfe, edhe pse janë tërhequr më parë nga votuesit e regjistruar, nuk janë rikthyer ende në KQZ.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kujton se çdo zarf që mbërrin pas orës 19:00 të datës 11 maj nuk do të merret në konsideratë, në përputhje me afatet ligjore të përcaktuara për votimin nga jashtë vendit.
KQZ apelon ndaj të gjithë qytetarëve që janë pajisur me fletën e votimit dhe ndodhen brenda afatit, të dërgojnë menjëherë votën me postë, duke garantuar përfshirjen e tyre në këtë proces zgjedhor dhe respektimin e së drejtës për të votuar./Jonida Omeri, rtsh.