Friedrich Merz ka dështuar të zgjidhet kancelar i Gjermanisë në raundin e parë të votimit në Bundestag, duke marrë vetëm 310 vota nga 316 që i nevojiteshin për të siguruar shumicën absolute.
Sipas mediave gjermane, ky është një zhvillim i paprecedentë në historinë e Republikës Federale, ndërsa seanca është shtyrë për të lejuar konsultimet mes grupeve parlamentare mbi hapat e mëtejshëm.
Për t’u zgjedhur kancelar në raundin e parë, kandidati duhet të marrë më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Bundestagut. Nëse kjo nuk ndodh, organizohet një raund i dytë brenda 14 ditësh. Dështimi edhe në këtë raund do të çonte vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.
Kjo situatë vjen pavarësisht se vetëm një ditë më parë, aleanca konservatore CDU/CSU e udhëhequr nga Merz nënshkroi një marrëveshje koalicioni me Partinë Socialdemokrate (SPD). Dy forcat politike së bashku numërojnë 328 deputetë në parlament, çka teorikisht duhej të siguronte fitoren e Merzit.
Partnerët e koalicionit janë zotuar për një agjendë që përfshin rimëkëmbjen ekonomike dhe rindërtimin e ushtrisë gjermane. Megjithatë, rezultati i sotëm hedh dyshime mbi kohezionin dhe besueshmërinë e marrëveshjes së re qeverisëse./KJ