Mbrëmjen e takimeve kreu i PS-së, Edi Rama e mbylli me vajzat dhe gratë në Berat. Rama theksoi se deri në vitin 2027 puna nuk duhet të ndalojë, ku u shpreh se deri në 2027 duhet të jemi si sahat zviceran. Kreu i qeverisë theksoi se nëse ne nuk i bëjmë detyrat siç duhet deri në 2027 dhe nëse mbyllet dera e BE, rrezikojmë që për 15 vite të mbetemi jashtë kësaj dere.
”Duhet të vijmë në Shqipëri dhe të kalojmë në sitën e vendimmarrjes dhe për këtë arsye na duhet forcë. Na duhet një fuqi e madhe vendimmarrëse, që mos të kemi nevojë dhe as t’i kërkojmë kënetës mirëkuptim. E parafytyroni apo jo? Deri në 2027 duhet të jemi si ”sahat zviceran” sepse ajo derë, historia e zgjerimit ka treguar që dera e asaj shtëpie nuk ri hapur. Ajo derë hapet që kur atyre që janë brenda ju intereson dhe bijen në një mendje. Ne i hapëm negociatat vjet dhe sot jemi te pragu krah për krah me Malin e Zi, sepse dera është hapur sot, është hapur jo thjesht se ne jemi gati, por edhe se ata janë gati. Nëse ne nuk e kapim 2027, nëse ne nuk i bëjmë detyrat siç janë të përcaktuara në kalendar ne nuk kemi justifikime dhe ata nuk na presin dhe gjërat mund të ndryshojnë. Në një moment të caktuar mbyllet dera dhe mund të ngelemi jashtë BE edhe për 15 vite të tjera, se kjo ju ka ndodhur vendeve të tjera”./KJ