Vazhdimi i seancës konstituive është paraparë të nisë në orën 10:30, por seanca nisi pas orës 11:10 minuta. Pa sukses. Nuk po vazhdon seanca më shumë se pesë minuta. Dështoi edhe kësaj here. Seanca u ndërpre, për të vazhduar pas 48 orësh. Pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 9 shkurt, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet, pasi partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), nuk po siguron votat e mjaftueshme për të zgjedhur Kryetaren e Kuvendit. Kandidatja e propozuar nga LVV për këtë post, Albulena Haxhiu, nuk ka marrë përkrahjen e nevojshme nga deputetët në asnjë prej 16 seancave të mbajtura deri më tani.
Subjektet politike, PDK, LDK, AAK kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Haxhiun për këtë pozitë. Ndërsa, LVV ka deklaruar se nuk do ta ndërrojë kandidaten e tyre.
Seancat janë duke u mbajtur çdo 48 orë, por asnjëherë nuk është arritur kuorumi apo konsensusi i nevojshëm për të votuar udhëheqësen e legjislativit, çka po e mban të bllokuar procesin e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja.