Nga: Albert Vataj
Ka figura që nuk mund t’i përkufizosh vetëm me një fjalë, sepse shtrihen në më shumë se një art, më shumë se një kohë, më shumë se një gjuhë. Bob Dylan është një prej tyre. Ai është jo vetëm zëri që sfidoi një epokë me tingullin dhe fjalën, por edhe syri që e pa jetën me një qartësi të rrallë. Pas muzikës dhe poezisë, Dylan na fton të zbulojmë një tjetër dimension të shpirtit të tij: pikturën.
Në një kohë kur shumë zëra shuhen në zhurmën e përditshmërisë, Dylan vijon të flasë, por këtë herë jo përmes vargjeve, por përmes penelit. Ekspozita e tij e fundit në Londër, “Point Blank”, është më shumë se një përmbledhje pikturash – është një rrëfim i heshtur, i ngarkuar me emocion, i ngjyrosur me ndjeshmëri dhe ngulm personal. Në këtë hapësirë vizuale, ai nuk kërkon t’i japë përgjigje botës, por të qëndrojë përballë saj me ngjyrat e shpirtit të vet. ob Dylan ekspozon piktura me ngarkesë emocionale në Londër – një dritare e rrallë në botën e brendshme të një legjende.
Bob Dylan, ikona amerikane e muzikës dhe fituesi i Çmimit Nobel për Letërsi, do të prezantojë në Londër një ekspozitë të re personale me piktura që mbartin, sipas vetë autorit, një rezonancë të thellë emocionale. Ekspozita, e titulluar “Point Blank”, do të hapet në galerinë prestigjioze Halcyon Gallery dhe do të jetë e hapur për publikun pa pagesë.
Në moshën 83-vjeçare, Dylan vjen me një koleksion prej 97 veprash origjinale, ku figura njerëzore, ambiente intime dhe objekte të përditshme zënë vend qendror në rrëfimin vizual të artistit. Pikturat janë zhvilluar nga skica të krijuara midis viteve 2021 dhe 2022, të cilat më pas janë ngjyrosur për të krijuar imazhe të plota dhe të ngarkuara emocionalisht. Subjektet përfshijnë muzikantë, çifte, sportistë, si dhe ambiente të brendshme që ngjallin ndjesinë e reflektimit dhe kujtesës.
“Këto vizatime u pikturuan më pas me ngjyra për të krijuar entitete të gjalla, që marrin frymë dhe kanë rezonancë emocionale. Ngjyrat nuk janë thjesht dekor – ato janë armë, përcaktuese të humorit dhe mjete për të treguar histori”, shprehet Dylan. Ai shton se qëllimi nuk ishte thjesht të vëzhgonte gjendjen njerëzore, por të futej në thellësi të saj me një “ndjesi urgjence të fortë”.
Disa nga veprat janë paraqitur si studime monokromatike në tonalitete blu, të kuqe dhe neutrale, që sipas kritikëve evokojnë atmosferën e Periudhës Blu të Picasso-s, duke shtuar një dimension introspektiv dhe poetik në ekspozitë.
Kate Brown, drejtoreshë dizajni në Halcyon, e cilësoi ekspozitën si një “kujtesë të gjallë në letër”, duke shtuar se “këto vepra ndihen si dritare të paprekshme në jetën dhe imagjinatën e një prej rrëfimtarëve më të mëdhenj të kohës sonë”. Paul Green, president dhe themelues i galerisë, përkujton bashkëpunimin e gjatë me Dylan, duke thënë: “Ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme të shikosh këtë ikonë kulturore të zhvillohet si një artist vizual me peshë të konsiderueshme kritike.”
Bob Dylan ka qenë për dekada një nga figurat më me ndikim në kulturën bashkëkohore. Me 10 çmime Grammy, një vend në Rock and Roll Hall of Fame (që prej vitit 1988), dhe një trashëgimi që përfshin mbi 6 000 interpretime të këngëve të tij nga artistë të ndryshëm, Dylan ka gdhendur emrin e tij si poet, këngëtar, dhe tani edhe si piktor i ndjesive të brendshme.
Karriera e tij muzikore nisi në vitin 1962 me “Mixed-Up Confusion”, por fama ndërkombëtare erdhi në mesin e viteve ‘60 me këngë që sfiduan kohën dhe normat, si “The Times They Are A-Changin’” dhe “Like a Rolling Stone”.
Ekspozita “Point Blank” është një ftesë për të parë më tej përtej figurës publike të Dylan – për të hyrë në universin e tij vizual, ku kujtimet marrin ngjyrë dhe forma, dhe emocionet nuk janë të kënduara, por të pikturuara./KJ