Promovimi i antologjisë “Pena e gruas” në SHBA.
Nga Arjeta Kotrri (Ferlushkaj)
Më 19 prill 2025, në bibliotekën “Ferguson” të qytetit të Stamford-it në Connecticut, në orën 13:00, u bë përurimi i antologjisë “Pena e gruas”. Ky aktivitet u organizua nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, nën kujdesin e posaçëm të presidentit të saj, z. Adnan Mehmeti. Në këtë ngjarje të veçantë kulturore shqiptare ishin të pranishëm ambasadorja e Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara, znj. Suela Janina, presidenti i SHSHSHA-së z.Adnan Mehmeti, kryetarja znj. Yllka Filipi, nënkryetarja Arjeta Kotrri (Ferlushkaj), sekretari z. Bexhet Asani; z. Pashko Camaj, sekretar i Federatës “Vatra”, editori i gazetës “Dielli”, z. Sokol Paja, anëtarë dhe anëtare të SHSHSHA-së, shkrimtarë, studiues, gazetarë dhe dashamirës të librit.
Fjalën e hapjes e mbajti znj. Yllka Filipi, e cila ishte njekohësisht edhe drejtuese e këtij aktiviteti. Kryetarja e SHSHSHA-së, znj. Filipi, shprehu entuziazmin e saj për kurorëzimin me sukses të një pune disa mujore bashkë me drejtuesit e kësaj shoqate, për të nxjerrë para lexuesit këtë antologji simbolike të grave krijuese në diasporë. Ndër të tjera, znj. Filipi u shpreh: “Në cilën fazë të evolucionit është sot figura femërore e zbritur si nga qiejt? Ashtu si në ëndërr, nën një aureolë shtojzovallesh, veshur në të bardha, me leshërat e derdhura të një drite qiellore, kapur dorë për dore duke hedhur rreth e rreth vallen e metaforave, vijnë poeteshat që nga lashtësia, pa ndryshuar asnjë fije floku, përkundrazi, duke u bërë më të bukura, më të dhembshura, e pothuajse krejt të pavdekshme, njësoj si Perënditë. Bota shpirtërore e gruas, ashtu siç Zoti deshi dhe e krijoi shpalos udhëtimet historike të protagonisteve, të cilat kishin guximin të sillnin ndryshimin e madh në shoqërinë e çdo kohe,imazhe këto që janë pasqyruar me simbole dhe tipografi të larmishme figurative. Sepse gruaja është e vërteta”(Wendi Brown). Nga cilido shkëmb e çdo lartësi nga ku i ka hedhur jeta perëndeshat e penës, kanë rënë për t’u ngritur, janë vrarë e nuk kanë vdekur, kanë krijuar epokë.”
Më pas, ia dha fjala presidentit të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, z. Adnan Mehmeti, i cili i uroi mirëseardhjen të pranishmëve. Z. Mehmeti, duke qenë edhe autor i parathënies së kësaj antologjie, nuk e fshehu kënaqësinë dhe krenarinë që në emër të tij por edhe në emër të Shoqatës, ky projekt u finalizua me sukses pas bashkëpunimit të vazhdueshëm mes të gjitha krijueseve dhe mbështetjes së ndërsjellë që është ofruar gjatë gjithë kësaj kohe. Z. Mehmeti, duke e cilësuar këtë botim në parathënien e tij si një “testament dhe frymëzim”, i fton lexuesit: “Le ta mbështesim këtë vepër, ta përhapim zërin e saj dhe ta lexojmë me vëmendje e reflektim. Le të shërbejë si një nxitje për shumë përmbledhje të tjera që do të pasojnë, sepse gruaja shqiptare në letërsi ka ende shumë për të thënë, dhe ne, shumë për të mësuar prej saj.” Zoti Mehmeti u shpreh se gjatë përgatitjes së kësaj antologjie, ka mësuar edhe më shumë për forcën e butë të fjalës, për qëndresën që vishet me delikatesë dhe për dashurinë që shndërrohet në metaforë. Presidenti i SHSHSHA-së, z. Mehmeti përmend se me këtë botim, Shoqata dëshmoi edhe një herë se eshtë një hapësirë krijuese, që jo vetëm respekton barazinë, por edhe promovon talentin, nxit bashkëpunimin dhe ndërton ura të qëndrueshme mes brezash, gjinive dhe kontinenteve.
Fjalën e radhës e kishte ambasadorja znj. Suela Janina, e cila, mbasi përshëndeti të pranishmit, e vlerësoi botimin e kësaj antologjie si një kontribut të çmuar të krijueseve të diasporës dhe si një përfaqësim dinjitoz të gruas shqiptare në emigracion. Zonja Janina ftoi dhe mbështeti që kjo antologji duhet të njihet nga i gjithë komuniteti shqiptar në diasporë por edhe nga ai amerikan.
Në këtë përurim libri, si një “intermezzo” e aktivitetit ishte dorëzimi i titullit “Akademik” për z. Bexhet Asani, që u bë nga ish-kryetari i SHSHSHA-së, z. Mëhill Velaj, shoqëruar me studentët Gresa dhe Andi Ahmeti, si dhe Mary Camaj.
Studiuesja e letërsisë znj. Arjeta Kotrri (Ferlushkaj) foli pak rreth strukturimit të librit “Pena e gruas” dhe ndër të tjera u shpreh: “Është një libër me mbi 240 faqe dhe numëron si pjesë të sajën 58 autore shqiptaro-amerikane dhe shqiptaro-kanadeze. Të gjitha janë krijuese, por secila e profilizuar në atë që di të bëjë më mirë dhe ashtu edhe kanë bërë përzgjedhjen se si të përfaqësohen në këtë antologji: shumica e autoreve tona janë krijuese në zhanrin e poezisë dhe prozës ndërsa pjesa tjetër e tyre, janë më afër publicistikës, recensionit, esese apo studimeve. Teksa shfleton librin, të shoqëron një ndjesi shumë e bukur gjithëpërfshirjeje kur sheh shtrirjen gjeografike të autoreve tona: duke filluar nga New York, i cili zë vendin e parë për nga përfaqësimi, më pas vjen New Jersey, Pennsylvania, Massachusetts, Canada, Florida, Connecticut, llinnois, Washington DC, Idaho, California dhe Rhode Island. Çdo pjesë e kësaj antologjie është një eksperiencë më vete, është unike dhe autentike: disa të gjalla, të ardhura thjeshtë, disa më të heshtura e të matura e disa të tjera më reflektive. Janë përjetime që vijnë ndryshe: me ngazëllim, me rebelim, me pikëllim, me mund, me sfidë por edhe me shpresë.”
Shkrimtarja e talentuar dhe pedagogia Ani Gjika, e pranishme në përurim bashkë me prindërit e saj, z.Thanas dhe znj. Julia Gjika, përcolli tek të pranishmit një përshendetje mjaft të ngrohtë dhe inkurajuese për gratë krijuese në emigracion. Ndër të tjera, znj. Ani Gjika, për antologjine “Pena e gruas” u shpreh se “është një fener, një fillim. Çfarë pret përpara? Hedhim vështrimin drejt një të ardhmjeje ku kërkojmë prej vetes e njeri-tjetrit për më shumë. Më shumë tregime, më shume zë të lartë, të mirëpritur, dhe më barazi përfaqësimi të krijueseve. Më shumë gra shkrimtare që ndonëse nuk e quajnë veten poete fillojnë të dalin në dritë e thonë: “Po, kjo më përket edhe mua.” Dhe më shumë kontakte letrare me diasporën shkrimtare shqiptare përtej kufijve të Amerikës, ku të ftohen krijuese nga diaspora e Evropës etj., dhe anasjelltas. Unë imagjinoj dhe uroj të krijohen mundësi ku të jepet mësim poezia, tregimi, romani etj, për breza të rinj shqiptaro-amerikanë, aty ku burimet janë të pakta, por zërat janë të fuqishëm. Imagjinoj mentore e lexime publike ku komunitetet dëgjojnë veten—ndoshta për herë të parë.” Sugjerime dhe qëllime të tilla duhen marrë në konsideratë nga drejtues të ndryshëm që vijnë nga komuniteti shqiptar në SHBA.
Prania e znj. Iris Halili erdhi në këtë takim përmes leximit të kumtesës së saj “Kur shkruajnë femrat” nga poetja Ibadete Humolli Tetaj. Sipas znj. Halili, tashmë kemi shkrimtare, poete dhe studiuese gra që botohen nga shtëpitë më të mira botuese dhe kemi një autenticitet të shkrimeve që i kalon nivelet kombëtare. Në shkrimin e saj, znj. Halili i mëshon faktit që letërsia e grave është ndryshe nga ajo e burrave dhe se tashmë, ajo letërsi ka evoluar bashkë me emancipimin e vetë femrës në shoqëri. Ndër të tjera, ajo shkruan “ky promovim sot vjen natyrshëm, ashtu siç krijimtaria e femrës shqiptare ka ardhur dhe evoluar, sidomos në këto tri dekadat e fundit. Botimi i kësaj antologjie është një iniciativë e jashtëzakonshme që vlen të krijohet si model pune edhe për vitet në vazhdim. Përzgjedhja e këtyre autoreve është një hap më shumë drejt evidentimit të shkrimtareve femra, por është njëkohësisht një vlerësim i duhur për to.”
Nga California e largët kishte udhëtuar për të ardhur në këtë përurim znj. Reshida Çoba, e cila, me një çiltërsi dhe emocion të thellë, transmetoi para të pranishmëve ndjesitë e saja jo vetëm sa i takon krijimit më vete, por edhe të qenurit para grave krijuese të diasporës si dhe mbërritja e kësaj dite ku ato të ishin bashkë në një antologji. “Të flasësh për krijimet, ndjesitë, botën tënde para poeteve gra, nga vetë pozita e gruas, duhet të jesh sa e vërtetë, aq edhe analitike…të thuash edhe ato pak sekrete që poetja ia fsheh edhe vetes. Frymëzimet që na zaptojnë, shpesh nuk janë gjithmonë të organizuara aq mirë, krahasuar me qëllimin, arsyen e përfshirjes…ato çfarë duam të ndajmë me lexuesin e çfarë nuk duam. Unë kujdesem të jem terësisht e vërtetë, e qartë deri në imtësi. Ndihem mirë kur brenda vetes ftoj edhe potencën zhbiruese për tipin e gruas tek unë, absurdin tek ajo, terësine e saj ndjesore dhe psikologjike. I jap gruas hapësirën e të drejtave për të gjithë llojet e pyetjeve të saj, le të jenë ato edhe të rrëmujshme…unë do të di në fund të rregulloj rrëmujën e tyre në ato përmasa që të mos fshihet substance e gjallë e poezisë, rrjedhja e lëngut lirik që ajo vetë ka lindur”.
Krijuesja Valbona Ahmeti, e cila kishte ardhur posaçërisht nga Canada-ja për këtë përurim libri, solli eksperiencën e saj personale se si nisi të shkruante dhe se sa shumë e kishte ndihmuar të luftonte mallin, pikërisht shkrimi dhe leximi në shqip. “Unë si vajzë e lindur dhe e rritur në Kosovë, atdheun e ndjej se e kam një pjesë të trupit tim, të ngjitur për zemre. Librin e ndjej si frymëmarrjen e nënës, ku më mban të lidhur ngusht me gjuhën, traditën, kulturën dhe vlerat e bukura të atdheut”.
“Poezia është si një kokë e bukur gruaje”, kështu e kishte titulluar fjalën e saj të rastit poetja dhe gazetarja Kozeta Zylo, e cila emocionoi të gjithë të pranishmit. E entuziasmuar që kjo antologji po shihte dritën e botimit, ku kryefjalë është gruaja, zonja Zylo pohon se ky libër i dha muzë, duke i cilësuar krijimet e secilës autore si petale të trëndafilta ndër fllade që sjellin qiellin e shpirtit plot dashuri ndër lexues. “Është një antologji ku bota do të shohë edhe më bukur gratë shqiptare poete…Bota e gruas shqiptare është akoma një univers i patreguar, një univers që e kemi për detyrë me penën tonë t’ja tregojmë botës që na rrethon këtë kaleidoskop ndjenjash, ngjyrash të padukshme të shpirtit të thellë, paqësor dhe të mprehtë.”
Laura Konda, gazetarja e mirënjohur e “Zërit të Amerikës” e nisi fjalën e saj duke falënderuar Shoqatën për përfshirjen e krijimeve të saj në këtë antologji. Zonja Konda rrëfeu para të pranishmëve se kur dhe si nisi të shkruante poezi dhe pranoi se, pavarësisht se gazetaria do të ishte profesioni i saj në të ardhmen, poezia mbetej dashuria e parë. E rritur në një familje letrarësh, zonja Konda kujtoi para të pranishmëve sfidat e krijimit dhe botimit në kohën kur liria e plotë krijuese mungonte. Falenderuese që kjo antologji e gruas është sot në duart e lexuesve, zonja Konda theksoi se: “Pena e gruas” është një arritje në dy aspekte: së pari, ajo bashkon gra krijuese që kanë sjellë në këtë botim emocionet e tyre të fuqishme me ndjeshmërinë e tyre të dyfishtë si gra dhe poete. Së dyti, kjo antologji ka sjellë bashkë gra krijuese të diasporës, duke e pasuruar letërsinë shqipe me përjetimet origjinale të jetës së emigrantit.” E përshëndeti këtë përurim edhe poetja Rita Saliu.
Botimi i antologjisë “Pena e gruas” është sponsorizuar nga shkrimtarja Monda Hamitaj dhe, në fund të përurimit ishte ideuar që secila nga autoret e përfshira, të kishte dhuratë kopjen e saj. Kryetarja e SHSHSHA-së, znj. Yllka Filipi e nisi zinxhirin e dhurimit duke i dorëzuar kopjen e parë ambasadores znj. Suela Janina. Më pas, z. Mëhill Velaj iu dorëzoi secilës nga shkrimtareve nga një kopje të antologjisë.
Ky aktivitet u përcjell nga televizonet “Kultura Shqiptare” me drejtues z. Adem dhe Mimoza Belliu, “Alba Life”, me drejtues Qemal dhe Kozeta Zylo, “AA New York” me drejtues z. Skender Pali, i cili u kujdes edhe për fotografinë.
Në fund, të gjithë të pranishmit morën pjesë në cocktail-in e shtruar për këtë rast nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.