Një delegacion prej 21 anëtarësh nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (APKE), i udhëhequr nga Simone Billi (Itali, Qendra Evropiane për Çështjet Publike (ECPA)) – do të udhëtojë në Shqipëri më 9 maj dhe do të qëndroj deri më 12 maj – për të vëzhguar zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, njoftoi sot Këshilli i Evropës në faqen zyrtare.
Së bashku me delegacionin do të jenë edhe partnerë nga Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), Asambleja Parlamentare e OSBE-së dhe Parlamenti Evropian.
Delegacioni ndërpartiak do të takohet me kandidatë ose përfaqësues të partive politike që garojnë në zgjedhje, si dhe me krerët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe organit kryesor anti-korrupsion në Shqipëri, dhe përfaqësues të OJQ-ve dhe medias, përpara se të vëzhgojë votimin, më 11 maj.
Dy anëtarë të Komisionit të Venecias – grupi i ekspertëve të pavarur ligjorë të Këshillit të Evropës – do të ofrojnë mbështetje ligjore gjatë vizitës, e cila është organizuar nga Divizioni i Zgjedhjeve i APKE-së.
Një delegacion prej katër anëtarësh i APKE-së bëri një vizitë parazgjedhore në Shqipëri, më 3-4 prill. Kreu i delegacionit do të japë përfundimet paraprake në një konferencë të përbashkët për shtyp në “Hotel Rogner”, Tiranë, pasditen e së hënës, më 12 maj, njofton oranews.