Arben Taravari, kryetari i Aleancës për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut i dorëzoi kryeministrit Hristjan Micoski dorëheqjen nga detyra e ministrit të Shëndetësisë. Vendimi erdhi pasi më herët ai, njoftoi se partia e tij po largohej nga koalicioni VLEN, që është në bashkëqeverisje në Maqedoninë e Veriut me VMRO- DPMNE-në.
Në letrën e dorëheqjes Taravari shkruan se vendimin e mori në interesin më të mirë si për institucionin, ashtu edhe për parimet e tij personale.
“Përgjegjësinë që mora me këtë detyrë, e kam ushtruar me përkushtim maksimal, transparencë dhe ndjenjë përgjegjësie ndaj qytetarëve dhe shtetit. Vendimin e kam marrë pas një vlerësimi të kujdesshëm, personal dhe profesional, duke besuar se ky hap është në interesin më të mirë si për institucionin, ashtu edhe për parimet e mia personale”, tha ai.
Ai shtoi se mbetet i hapur për bashkëpunim në çështjet që kanë të bëjnë me interesin publik, edhe pse ky veprim praktikisht nënkupton se ai dhe partia e tij, Aleanca për Shqiptarët, kalojnë në opozitë. “Me largimin nga koalicioni VLEN, i cili është pjesë e Qeverisë, të gjitha funksionet e tjera ku ishin emëruar përfaqësues të Aleancës për Shqiptarët do të mbeten brenda VLEN-it” – deklaroi zëvendëskryeministri Izet Mexhiti.
Në Kuvend u krijua të enjten një grup i ri parlamentar i VLEN-it me 9 deputetë, njofton rtsh.