Ambasada e Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, nën drejtimin e Ambasadorit Ilir Kapiti, organizoi për dy ditë radhazi shfaqjen e dokumentarit “Return to Kosovo”, një rrëfim prekës mbi realitetin e luftës në Kosovë dhe tragjedinë e familjes Deliu nga Abria e Epërme.
Dokumentari ndjek historinë e mbijetuarit Besnik Deliu, duke sjellë në vëmendje një pjesë të rëndësishme të kujtesës sonë kolektive dhe të historisë së dhimbshme të vendit tonë. Ngjarja mblodhi pjesëtarë të shumtë të diasporës shqiptare dhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar në Londër, të cilët pas shfaqjes patën mundësinë të bashkëbisedojnë me autorët: gazetarin Julius Strauss, Vaughan Smith, kamermanen Emma Strauss dhe producente ekzekutive Leman Kamberi Muriqi.
Ambasadori Kapiti, në fjalën e tij, falënderoi ekipin për përkushtimin dhe ndjeshmërinë me të cilën është realizuar ky projekt, duke e cilësuar dokumentarin si një kontribut të rëndësishëm në ruajtjen e kujtesës historike dhe në pasqyrimin e së vërtetës për Kosovën para opinionit ndërkombëtar.
Në shenjë mirënjohjeje për rolin e tyre gjatë luftës në Kosovë, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i ka dekoruar në shkurt të këtij viti Julius Strauss dhe Vaughan Smith me Medaljen Presidenciale të Meritave.
Përgaditi: D.Hebibi