Adnan Mehmeti: Ruajtja e Identitetit Kombëtar dhe Angazhimi për Kulturën Shqiptare 


Intervistoi: Dashnim HEBIBI

 Intervistë ekskluzive me z. Adnan Mehmeti, President i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikan

Kemi filluar të mbledhim libra të autorëve tanë, duke ndërtuar në embrion atë që mund të quhet Shtëpia e Librit Shqip në Amerikë

Një personalitet i rrallë, i urtë dhe i fjalës, mikpritës e patriot i devotshëm, Adnan Mehmeti është një nga figurat më të spikatura të diasporës shqiptare. Me një kontribut të madh në ruajtjen e gjuhës dhe traditës shqiptare, ai njihet si një zë unifikues dhe promotor i vlerave kombëtare ndër shqiptarët jashtë atdheut.

Në këtë intervistë të thellë, Adnan Mehmeti, një figurë e shquar e komunitetit shqiptar në SHBA, ndan përvojat e tij personale dhe angazhimin e palodhur për ruajtjen e kulturës dhe identitetit shqiptar në diasporë. Me një pasion të jashtëzakonshëm për letërsinë dhe historinë, ai tregon se si lidhja me atdhenë dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore janë elemente kyçe të jetës së tij. Intervista përshkruan gjithashtu sfidat e emigrimit dhe rëndësinë e mbështetjes së brezave të rinj për të ruajtur lidhjen me traditat shqiptare. 

Adnan Mehmeti është një nga figurat më të spikatura të diasporës shqiptare në SHBA, vjen nga Lugina e Preshevës, një intelektual i urtë, i përkushtuar dhe me kontribute të vyera për ruajtjen e gjuhës, traditës dhe identitetit kombëtar. Prej vitit 1995 jeton në Amerikë, ku ka ndërtuar jo vetëm jetën e tij, por edhe ura të forta lidhjeje mes atdheut dhe mërgatës.

Si president i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, z. Mehmeti ka udhëhequr për vite me radhë përpjekjet për të afirmuar krijimtarinë shqiptare në diasporë, duke promovuar letërsinë si mjet identiteti dhe bashkimi kombëtar. Me një qëndrim gjithmonë modest, por me një angazhim të palodhur, ai ka ditur të bashkojë zërat e shkrimtarëve shqiptarë në Amerikë dhe Kanada, duke i dhënë gjuhës shqipe një hapësirë të rëndësishme në kulturën e mërgatës.

Në intervistën ekskluzive për rubrikën tonë, z. Mehmeti flet për rrugëtimin e tij jetësor dhe letrar, sfidat e mërgimit, rëndësinë e organizimit kulturor në diasporë dhe vizionin për të ardhmen e kulturës shqiptare. Ai ndalet gjithashtu te roli i shkrimtarit si urë lidhëse mes brezave dhe thekson domosdoshmërinë e projekteve madhore si krijimi i Muzeut të Diasporës dhe Shtëpisë së Librit Shqiptar në Amerikë.

Në fjalët e tij, Adnan Mehmeti sjell një mesazh të qartë: letërsia nuk është thjesht art, por një akt përgjegjësie ndaj gjuhës, kulturës dhe identitetit tonë të përbashkët. Ai beson se brezat e rinj kanë misionin të shfuqizojnë “ndarjet” që na kanë penguar si komb dhe t’i japin formë një kulture të re bashkimi e solidariteti.

I heshtur në zhurmë, por i madh në vepra, Adnan Mehmeti mbetet një prej figurave më unifikuese të diasporës shqiptare, një zë i fuqishëm që me fjalën e tij shëron mallin për atdheun dhe ruan me përkushtim pasurinë tonë shpirtërore: gjuhën shqipe.

Përshëndetje z. Mehmeti,

Është një nder i veçantë për ne që zhvillojmë këtë intervistë me ju. Ju falënderojmë për kohën që na kushtoni. Edhe pse jeni tashmë një emër i njohur për të gjithë për kontributin tuaj të çmuar në çështjen kombëtare, do të donim ta nisnim me një pyetje personale:

Sa vite keni jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës?

Që nga viti 1995 jetoj në Shtetet e Bashkuara. Janë mbi tridhjetë vite rrugëtim larg vendlindjes, vite të mbushura me sfida, por edhe me përvoja të vlefshme që më kanë formuar si njeri dhe krijues. Ju falënderoj që po na jepni hapësirë edhe përmes sam24.info të jemi më afër lexuesit gjithandej. Edhe pse jeta më ka çuar larg, lidhja me gjuhën dhe kulturën e origjinës nuk është shkëputur asnjëherë.

A ju kujtohet dita e parë kur u nisët drejt një vendi të panjohur?

Po, më 8 prill 1995 nisa një jetë të re. Si një poet i ri, plot kureshtje dhe pa shumë pritshmëri, u gjenda përballë një bote tjetër: dinamike, e ndryshme, por edhe mikpritëse. Ishte një ndjesi e përzier mes pasigurive dhe dëshirës për të zbuluar më shumë. Aty nisi udhëtimi im drejt njohjes së një realiteti të ri, i cili do të më shoqëronte përgjatë gjithë jetës.

Çfarë ju ka mbetur në mendje nga ajo ditë që nuk do ta harroni kurrë?

Mbërritja ime në kontinentin e ri përbën një hap vendimtar në jetën time. E kujtoj atë ditë si një përplasje të heshtur mes dy botëve: asaj që lija pas dhe asaj që më priste përpara. Zbrita në Houston, Texas, ku gjithçka më dukej e huaj: arkitektura moderniste, klima tropikale, larmia e gjuhëve dhe vrulli i jetës urbane.

Në ato çaste, mendimi për t’u kthyer pas më dukej i natyrshëm, madje i dëshiruar. Por ajo që nisi si një përplasje me të panjohurën, u kthye gradualisht në një proces frytdhënës të integrimit: mësova gjuhën dhe përvetësova normat kulturore të shoqërisë amerikane.

Sot, ajo ditë që dikur më mbushi me shqetësime të thella është shndërruar në një metaforë të udhëtimit tim shpirtëror, një kujtim që më kujton se çdo fillim i vështirë mund të sjellë kontribute me vlerë, në komunitet dhe përtej tij. Sepse, ashtu siç ka thënë Mary Anne Radmacher: “Nuk jam më i njëjti, pasi pashë hënën që ndriçon nga ana tjetër e botës.”

A i keni thënë ndonjëherë vetes: Do të kthehem përgjithmonë në atdhe?

Po, kjo është një pyetje që më ka shoqëruar gjatë gjithë kohës sime në mërgim. Ka pasur çaste të shumta mallëngjimi për prindërit (sepse kam jetuar larg tyre), kur i kam thënë vetes: “Do të kthehem përgjithmonë në atdhe.”

Por realiteti i jetës në emigrim është i ndërlikuar: rrënjët zgjerohen në dy kontinente dhe kthimi nuk është më një udhëtim i thjeshtë, por një udhëkryq mes ëndrrës dhe realitetit. Këtë ndjenjë e kam shprehur në poezinë time “Kthimi i parealizuar”, të shkruar në Çikago më 29 korrik 2002:

Është radha ime

Të nisem,

Pas meje,

Radha e gruas sime

Të niset.

Pas nesh –

Radha e fëmijëve tanë

Të nisen.

Por, nga ne,

Asnjëri nuk niset.

Në këto vargje është përmbledhur gjithë ajo ndjesi e përhershme e pezullt, që ndjen një mërgimtar ndërmjet dëshirës për t’u kthyer dhe realitetit që e mban larg. Kthimi është bërë një mit i brendshëm, një premtim që përsëritet në heshtje, por që gjithnjë shtyhet për një ditë tjetër.

Si e shihni sot atdheun tonë nga këndvështrimi juaj?

Me kalimin e kohës, lidhja me vendin e origjinës nuk zbehet; përkundrazi, bëhet më e thellë dhe më shpirtërore. Nuk është thjesht vendi nga ke ardhur, por një pjesë e pandarë e vetes, e kujtimeve, e gjuhës, e dashurisë për rrënjët.

Në sytë e mi, Shqipëria është një pasuri shpirtërore që kërkon dashuri të qëndrueshme, jo vetëm në fjalë, por edhe në veprim.

Në Amerikë përpiqem ta prezantoj si një “zonjë me dinjitet”, që meriton vëmendje, respekt dhe një vështrim të drejtë. Kjo është e rëndësishme, sepse brezat që rriten këtu kanë nevojë të ushqehen me krenari për prejardhjen e tyre, jo me zhgënjime për politikat apo realitetet e vështira.

Edhe pse kanë kaluar shumë vite, ju nuk jeni ndalur kurrë së vepruari për të mirën e atdheut. Jeni president i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. Sa anëtarë ka aktualisht kjo shoqatë?

E nis me fjalët e Naim Frashërit: “Duaje atdheun siç do zogu folenë.” Por kjo nuk mjafton. Atdheu duhet të kthehet në frymëzim dhe në një obligim moral për të kontribuar për kauzën kombëtare.

Edhe angazhimi im si drejtues i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë është një detyrë profesionale dhe shpirtërore, të cilës i përkushtohem çdo ditë të jetës. Për mua është nder, por edhe përgjegjësi, të punoj krah për krah me çdo anëtar të kësaj shoqate, e cila sot numëron rreth 200 anëtarë aktivë në SHBA dhe Kanada.

Kemi nisur tashmë përgatitjet për të festuar, vitin e ardhshëm, 25-vjetorin e themelimit – një përvjetor domethënës për një plejadë krijuesish që i kanë dhënë zë gjuhës dhe kulturës shqiptare në Amerikë dhe që vazhdojnë ta bëjnë këtë me përkushtim dhe dashuri.

Rrjetet sociale kanë ndihmuar ndjeshëm në përhapjen e lajmeve dhe promovimin e aktiviteteve tona kulturore. Edhe pse jemi në një kontinent tjetër, përmes tyre ndjehemi shumë afër me lexuesin shqiptar, me krijuesit në trojet tona dhe me ngjarjet që ndodhin në atdhe. Fjala e shkruar dhe veprat tona udhëtojnë sot më shpejt dhe më larg se kurrë më parë, dhe kjo është një mundësi që ne, si shkrimtarë dhe përfaqësues të diasporës, duhet ta shfrytëzojmë për të mirën e kulturës kombëtare.

Sa të unifikuar janë shkrimtarët shqiptarë në Amerikë në raport me njëri-tjetrin dhe me çështjen kombëtare?

Në SHBA, bashkimi nuk është gjithmonë i lehtë, sepse shkrimtarët vijnë nga treva të ndryshme, me përvoja të ndryshme jetësore, dhe janë gjeografikisht shpesh larg njëri-tjetrit. Por ajo që na bashkon është gjuha shqipe, dashuria për letërsinë dhe përgjegjësia ndaj çështjes kombëtare.

Shoqata jonë është kthyer në një urë komunikimi dhe bashkëpunimi, e hapur për të gjithë krijuesit shqiptarë në diasporë. Ne e kemi kuptuar se, më shumë se kurrë, shkrimtari shqiptar në mërgatë ka një mision të dyfishtë: të ruajë dhe kultivojë gjuhën dhe identitetin në një realitet tjetër kulturor, dhe njëkohësisht të japë mesazhe bashkimi, dinjiteti dhe vetëdijeje kombëtare.”

Para disa ditësh keni promovuar një libër kushtuar gruas shqiptare. A mund të na tregoni më shumë rreth këtij projekti?

Më 19 prill 2025, në Ferguson Library në Stamford, Connecticut, u promovua një botim i veçantë: antologjia “Pena e gruas”, kushtuar krijimtarisë letrare të grave shqiptare që jetojnë dhe veprojnë në SHBA dhe Kanada. Ky projekt është realizuar nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë si një dëshmi konkrete e kontributit në rritje të gruas shqiptare në fushën e letërsisë dhe kulturës në diasporë, një fushë që për shumë kohë ka qenë e dominuar nga zëri mashkullor.

Nisma lindi si rezultat i një reflektimi të thellë mbi rolin që shumë krijuese shqiptare, të shpërndara në hapësira të ndryshme gjeografike, po luajnë në ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës, trashëgimisë dhe identitetit kombëtar përmes letërsisë.

Antologjia përmbledh krijimtarinë e 58 autoreve: poete, prozatore, eseiste, studiuese dhe përkthyese që jetojnë në shtete të ndryshme të Amerikës së Veriut.

Ky bashkim zërash formon një mozaik të pasur tematik dhe stilistik, ku përjetohen emigracioni, kujtesa, dashuria, atdheu, identiteti, sfidat e gruas, por edhe çastet poetike të jetës së përditshme.

Promovimi shënoi një moment të rëndësishëm në jetën kulturore të komunitetit shqiptar, duke afirmuar më fuqishëm zërin e grave krijuese në letërsinë shqipe të mërgatës.

Sipas jush, çfarë i mungon mërgatës shqiptare sot dhe çfarë duhet të bëjnë institucionet e shteteve tona në këtë drejtim?

Mërgata shqiptare është sot më e integruar se kurrë më parë në vendet ku jeton, por asaj ende i mungon një organizim më i thellë kulturor. Mungon një qendër identiteti ku të ruhet dhe të zhvillohet trashëgimia jonë letrare, gjuhësore dhe kulturore. Pikërisht kjo është ajo që më ka shtyrë, si krijues që jetoj prej vitesh në Amerikë, të angazhohem me gjithë shpirt për të krijuar një bibliotekë me libra shqip, me vepra të autorëve shqiptaro-amerikanë.

Si Shoqatë e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë kemi hedhur hapat e parë: kemi filluar të mbledhim libra të autorëve tanë, duke ndërtuar në embrion atë që mund të quhet Shtëpia e Librit Shqiptar në Amerikë. Kjo shtëpi nuk duhet të jetë vetëm një galeri librash, por një qendër kulturore, ku letërsia shqipe të frymojë në mënyrë aktive: me departamente për përkthim, kritikë letrare, promovime dhe botime.

Institucionet e shteteve tona duhet të njohin dhe të mbështesin këtë përpjekje të diasporës, duke e konsideruar atë si pjesë të pandarë të kulturës kombëtare.

 Ku e gjeni frymëzimin për të krijuar?

Frymëzimin për të krijuar e gjej jo vetëm në kujtesën dhe përvojat e mia të hershme në Luginën e Preshevës, por edhe këtu, në Amerikë, në vendin ku jetoj dhe krijoj tashmë prej dekadash. Shoqëria amerikane, me larminë dhe dinamizmin e saj, me përkushtimin ndaj lirisë dhe mundësive, më ka ofruar një hapësirë të re për reflektim dhe krijimtari.

E gjej frymëzimin te njerëzit e këtij vendi, në historitë e tyre të suksesit, në përkushtimin ndaj punës, në shpirtin e bashkëjetesës dhe në idealet mbi të cilat është ndërtuar kjo shoqëri. Më frymëzon bukuria dhe gjallëria e qyteteve amerikane, rrënjët e thella të historisë së tyre dhe mënyra se si kjo histori ruhet, përcillet dhe nderohet çdo ditë. Më jep forcë ideja se ky vend është krijuar për të qenë gjithmonë pranë nesh, me ne dhe për ne, dhe në këtë ndjesi përkatësie ndjej detyrimin që t’ia rikthej këtë dashuri pa kushte, përmes fjalës, veprës dhe përkushtimit tim ndaj kulturës.

Libri im me udhëpërshkrime “Simfonia e udhëtimeve”, si dhe botimi në anglisht “The Travel Symphony”, dhe libri me poezi “Ndajfoljet e vendit”, si dhe botimi në anglisht “Leave the Door Open”, janë një letërnjoftim shpirtëror dhe kulturor në këtë tokë të bekuar, ku fjala ime ka gjetur hapësirë, rezonancë dhe lexues.

Letërsia, në këtë kontekst, bëhet urë mes dy botëve – një urë që nuk ndan, por bashkon. Frymëzimi im është i ndarë në pjesë të barabarta: aq sa jetoj me shoqërinë amerikane, aq jetoj edhe me komunitetin shqiptar këtu, dhe me atë në atdheun përtej Atlantikut. Krijimtaria ime është, në thelb, një dialog i pandërprerë mes këtyre dy botëve që jetojnë brenda meje dhe që më bëjnë të ndihem i tëri.

 A mendoni se kemi poetë dhe shkrimtarë të mirë, edhe pse shumë prej tyre nguten për të botuar?

Letërsia e sotme shqipe nuk krijohet vetëm në atdhe; ajo është degëzuar nëpër të gjitha hapësirat ku jetojnë shqiptarët, deri në Amerikën e largët, ku lindi nevoja për të formuar një Shoqatë të Shkrimtarëve, të cilën kam fatin dhe nderin ta drejtoj prej vitesh. Kjo më ka dhënë mundësinë e rrallë për t’i njohur nga afër të gjithë krijuesit tanë, pa përjashtim, për të kuptuar karakterin e tyre dhe për të koleksionuar të gjitha botimet që ata sjellin.

Mund të them me bindje se kemi poetë dhe shkrimtarë të mirë, me vepra që meritojnë vëmendjen dhe kohën e lexuesit. Por ka edhe nga ata që nxitojnë të botojnë, pa e kaluar veprën në filtrin e durimit, vetëkritikës dhe reflektimit të thellë. Letërsia e vërtetë nuk lind nga ngutja, por nga një proces që kërkon njohuri profesionale, studim të vazhdueshëm dhe vetmohim të sinqertë ndaj fjalës. Krijuesi që nuk e ushqen veten me këto cilësi, mbetet në sipërfaqe dhe, në të vërtetë, është “i vonuar”, sepse nuk do të mund t’i mbijetojë kohës. Vetëm ata që i qëndrojnë besnikë cilësisë dhe përkushtimit të palëkundur mund të lënë gjurmë të qëndrueshme në letërsi.

Pse mendoni se ka rënë interesi për leximin e librave në ditët e sotme?

“Një dhomë pa libra është si një trup pa shpirt”, ka thënë filozofi romak Ciceroni, duke na kujtuar rëndësinë që libri i jep jetës së njeriut. Shoqëria e sotme po përjeton ndryshime të mëdha dhe të shumta, drejt informacionit të shpejtë dhe teknologjisë digjitale, duke ngadalësuar interesimin për librin. Sot, lexuesit gjejnë burime më të lehta, më të menjëhershme, dhe shpesh kanë paragjykime të tjera ndaj librit në krahasim me kohën tonë.

Megjithatë, besoj se libri do të jetojë për aq kohë sa të ekzistojë njerëzimi. Sa herë që njeriu ka nevojë për të kuptuar veten dhe botën përreth, do t’i rikthehet librit. Sepse libri nuk është vetëm një objekt leximi, por një udhëtim i brendshëm që nuk zëvendësohet dot me asgjë tjetër.

A keni ndonjë projekt letrar në proces apo në plan të afërt?

Po, kam një projekt letrar që kam filluar prej kohësh, por për shkak të angazhimeve të shumta si drejtues i Shoqatës së Shkrimtarëve, takimeve me anëtarët dhe organizimeve të ndryshme letrare, shpesh më duhet ta lë pezull dhe të pres ditë më të qeta e më frymëzuese për t’iu rikthyer me përkushtim. Në këtë kontekst, më vjen natyrshëm të kujtoj fjalët e Nënë Terezës: “Jo të gjithë mund të bëjmë gjëra të mëdha, por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe.”

Ju jeni një nga mbështetësit e nismës për krijimin e Muzeut të Diasporës. Pajtoheni me këtë ide dhe pse mendoni se është e rëndësishme?

Muzeu i Diasporës është një nismë tejet fisnike dhe e domosdoshme, që duhet realizuar sa më parë. Është një projekt kombëtar me vlera të shumëfishta, sepse aty do të takohen historia e emigrantëve shqiptarë, gjeografia e shpërndarjes së tyre në botë dhe rrëfimet frymëzuese të suksesit të atyre që, përtej çdo sfide, mbetën të lidhur me idealin e atdheut më shumë se me interesin personal apo familjar.

Ky muze do të bëhet një qendër kujtese dhe nderimi për të gjithë ata që, në heshtje apo në dritë të madhe, dhanë kontribut për kulturën, ekonominë dhe imazhin e shqiptarëve në botë. Kudo që të ndërtohet, ai nuk do të jetë vetëm një muze, por një dëshmi historike që nderon jo vetëm individët, por vetë rrugëtimin e kombit nëpër kohë.

Dhe për fund, çfarë do të dëshironit të bënin fëmijët tuaj dhe gjeneratat e reja për atdheun – diçka që ju ndoshta nuk patët mundësi ta realizonit vetë?

Kur botova librin me poezi të zgjedhura në vitin 2011 në Tiranë, shumë lexues më pyetën: “Pse e titullove Ndajfoljet e vendit?” Apo më saktë: “A na duhen ende ndajfoljet e vendit mes nesh?”

Kjo pyetje mbetet aktuale edhe sot. Ndajfoljet në gjuhë janë fjalë që tregojnë ndarje: këtu, atje, larg, afër… Dhe në mënyrë metaforike, ato mishërojnë distancat mes nesh – ndarje mendësie, paragjykime, kufij artificialë.

Uroj që fëmijët tanë dhe brezat që vijnë pas nesh t’i fshijnë këto “ndajfolje” nga jeta dhe mendësia shqiptare. Të ndërtojnë një kulturë bashkimi dhe përfshirjeje, ku nuk ka “këtu” apo “atje”, por vetëm “ne”. Kjo do të ishte një ëndërr që ne s’e realizuam dot plotësisht, por që u takon atyre ta bëjnë realitet.

Ju falënderojmë edhe njëherë për kohën dhe përgjigjet tuaja të çmuara. Ju urojmë gjithë të mirat në jetën personale dhe krijimtarinë tuaj të mëtejshme!

Kënaqësia është e imja. Suksese edhe juve!

Artikujt e fundit

Cilat shtete kanë më së shumti fitore në garën evropiane të muzikës?

Festivali Evropian i Këngës për vitin 2025 po zhvillohet...

Deri kur? Për të 17-ën herë dështon konstitutimi i Kuvendit

Vazhdimi i seancës konstituive është paraparë të nisë në...

Presidenti francez Macron: Gjithmonë në krah të Shqipërisë

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama priti presidentin francez, Emmanuel...

Rama sot zgjohet “me krenarinë e një dite historike të Europës në Shqipëri”

Kryeministri shqiptar Edi Rama ka bërë një përmbledhje të...

Trump thotë se SHBA duhet ta marrë Gazën dhe ta kthejë në një ‘zonë të lirë’

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Rripi i...

NA NDIQNI NE RRJETET SOCIALE

506FansLike

Presidenti Begaj pret Presidenten e Moldavisë: Forcojmë marrëdhënien

Presidenti Bajram Begaj, priti këtë të shtunë (17 maj)...

Cilat shtete kanë më së shumti fitore në garën evropiane të muzikës?

Festivali Evropian i Këngës për vitin 2025 po zhvillohet...

Deri kur? Për të 17-ën herë dështon konstitutimi i Kuvendit

Vazhdimi i seancës konstituive është paraparë të nisë në...

Presidenti francez Macron: Gjithmonë në krah të Shqipërisë

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama priti presidentin francez, Emmanuel...

Rama sot zgjohet “me krenarinë e një dite historike të Europës në Shqipëri”

Kryeministri shqiptar Edi Rama ka bërë një përmbledhje të...

Rita Ora e nominuar për herë të parë në Kids’ Choice Awards 

Ylli shqiptar me famë botërore, Rita Ora, ka shënuar...

Shkëlqen Donjeta Sadiku, e artë në Poloni

Boksierja kosovare, Donjeta Sadiku ka shkëlqyer në Kupën e...

Sot përpjekja e 17-të për konstituimin e Legjislaturës së Kuvendit

Deputetët e zgjedhur nga zgjedhjet paralamentare të 9 shkurtit...

Reklama

spot_img

Artikuj të ngjashëm