Përgaditi: Dashnim HEBIBI
Wohlen, 17 maj 2025 – Me rastin e zhvendosjes në ambientet e reja në Chappelehof dhe në përkujtim të 60-vjetorit të këtij institucioni, Spitex Freiamt në bashkëpunim të ngushtë me am.pm.Spitex GmbH organizuan sot një ceremoni të veçantë për qytetarët e komunave Wohlen, Anglikon dhe Waltenschwil të kantonit Aargau.
Prezantimi solemn u zhvillua nga ora 10:00, ku të ftuarit patën mundësi të njihen nga afër me shërbimet dhe përkushtimin profesional të ekipeve të Spitex. Gjatë gjithë ditës, vizitorët përjetuan një atmosferë miqësore dhe të ngrohtë, me informacione të vlefshme, diskutime personale dhe takime frymëzuese me stafin.
Z. Pascal Gregor, President i Bordit të Spitex Freiamt dhe përgjegjës për Burime Njerëzore, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të gjatë me am.pm.Spitex:
“Jemi të kënaqur me partneritetin tonë dhe synojmë ta zhvillojmë më tej në të ardhmen. Spitex është një institucion kyç për mirëqenien e shoqërisë sonë.”
Ekipi mikpritës i udhëhequr nga znj. Fatmire Bajselmani u përkujdes për të informuar vizitorët me buzëqeshje, profesionalizëm dhe etikë të lartë. Ajo dhe stafi prezantuan ambientet dhe shërbimet në pika të shkurtra, duke dhuruar dhurata modeste, materiale informuese dhe atmosferë njerëzore të rrallë.
“Kjo është një ditë që pasqyron përkushtimin tonë për mirëqenien fizike dhe emocionale të të moshuarve. Zemra e bardhë, duart e pastra, profesionalizmi dhe mendja e shëndoshë janë themeli ynë,” theksoi znj. Bajselmani.
Ndërsa znj. Christine Kaspar Frei, Drejtore Menaxhuese e Freiamt Spitex, bashkëbisedonte me qytetarët e shumtë që merrnin pjesë, ajo pranoi me kënaqësi të pranoj edhe për një foto kujtimi me z. Gregor dhe znj. Bajsemani, për sam24.info. Me modesti dhe respekt, znj. Frei na mirëpriti edhe ne në këtë ngjarje të veçantë.
Stafi me përvojë mbi dhjetëvjeçare i am.pm.Spitex GmbH u siguroi të pranishmëve informacione të plota dhe sqarime aty ku nevojitej.
Vizitorët, përfshirë shumë të moshuar nga komuniteti, shprehën vlerësimin e tyre dhe interesin për të qenë nën kujdesin e këtij ekipi të përkushtuar.
Ekipi organizues, i udhëhequr nga znj. Fatmire Bajselmani, u bë zemra e mikpritjes së kësaj dite të veçantë.
Me një përkushtim të ndjerë, ata nuk ofruan thjesht informacione – por krijuan një ndjesi sigurie dhe respekti që u ndie në çdo kënd të Chappelehof-it.
Znj. Bajselmani, e njohur për aftësinë e saj për të kombinuar profesionalizmin me ngrohtësinë njerëzore, së bashku me stafin e saj, e shndërroi këtë ngjarje në një përvojë të paharrueshme për vizitorët. Ata nuk shpërndanë vetëm fletushka e dhurata – ata dhuruan kohë, vëmendje dhe afërsi.
“Në çdo fjalë të thënë me kujdes, në çdo përkulje për të ndihmuar dikë që kishte nevojë – aty jeton thelbi i punës sonë,” tha njëri nga anëtarët e ekipit.
Spitex në Zvicër është një shërbim i kujdesit shëndetësor dhe social në shtëpi, i cili ofron ndihmë për persona që kanë nevojë për përkujdesje mjekësore, ndihmë në përditshmëri apo mbështetje psikosociale – zakonisht të moshuar, persona me sëmundje kronike, me aftësi të kufizuara ose që po rikuperohen pas operacioneve.
Etika e tyre nuk ishte thjesht një rregull pune – ishte mënyrë jetese. Ata që ishin të pranishëm, ndienë sinqeritetin në komunikim, respektin për çdo individ dhe krenarinë për të qenë në shërbim të tjetrit.
Për ta, kujdesi ndaj të tjerëve nuk është vetëm detyrë – është një thirrje që lind nga zemra.
Nuk munguan dhurata edhe për fëmijë, dhuratat simbolike dhe kujtimet fotografike – një pasqyrë e gjallë e një dite të mbushur me diell, ngrohtësi dhe përkujdesje njerëzore.
Dita u përmbyll me sukses të plotë, duke dëshmuar se ky profesion kërkon jo vetëm përgatitje, por edhe përkushtim të vazhdueshëm – 24 orë në ditë, 7 ditë në javë.