Nga dr. Sadik Elshani
Komuniteti shqiptaro – amerikan i Philadelphias dita-ditës është duke u shtuar dhe duke marrë identitetin e vet si një komunitet i organizuar mirë. Po ashtu, është duke u rritur edhe numri i bizneseve shqiptare të të gjitha veprimtarive ekonomike, shërbimeve të ndryshme. Nnë mesin tonë kemi edhe mjaft profesionistë të lëmive arsimore, shkencore, kulturore. Prandaj, si rrjedhojë e këtyre zhvillimeve positive në komunitet, këto ditë u organizua edhe Panairi Tradicional Shqiptar, për të promovuar bizneset shqiptare, ushqimet tona tradicionale, veshjet tona kombëtare e prodhime të tjera artizanale.
Është kjo edhe një mundësi për t’i angazhuar amviset shqiptare dhe gatimet e tyre të shijshme të kuzhinës sonë tradicionale. Ky panair u sponsorizua nga afro 40 biznese shqiptare të cilët i raklamonin prodhimet dhe shërbimet e tyre. Bashkatdhetarët i shijonin edhe gatimet e shijshme të amviseve shqiptare: byrek të llojeve të ndryshme, ëmbëlsira, pije, etj. Të pranishmit i argëtoi DJ Bruno dhe këngëtari Mikel Begaj me repertorin e tyre të zgjedhur me këngë e valle nga të gjitha trojet tona.
Të gjithë kaluan ca çaste shlodhëse e argëtuese – atmosferë shqiptare në Philadelphia. Zonja Zamira Andranji ishte fituese e çmimit të parë të gatimeve tradicionale shqiptare.
Organizimi i këtij panairi është një nismë e mbarë që në vitëet në vazhdim do të zgjerohet edhe më tepër dhe shpresojmë të shndërrohet në një panair të përvjetshëm tradicional.shqiptar. Organizime të tilla, përveç karakterit argëtues, shlodhës, ofrojnë edhe një formë të përshtatshme të komunikimit të sipërmarrësve shqiptarë për të bashkëpunuar më mirë me njëri-tjetrin, për të ndihmuar njëri-tjetrin, për ta informuar komunitetin për shërbimet, prodhimet që ata ofrojnë.
“Kafe Dajti” është një kafe – restorant ku shërbehen kryesisht ushqime tradicionale shqiptare dhe që nga hapja në nëntorin e vitit të kaluar është bërë një pikë mjaft e frekuentuar nga bashkatdhetarët. Ëstë bërë edhe një qendër ku herëpashere organizohen edhe mbrëmje muzikore festa të ndryshme: festimi i Ditës së Shën Valentinit, Festës së Pavarësisë së Kosovës Ditës së Verës, etj. Duhen përgëzuar pronarët e këtij lokali për gatishmërinë e tyr për t’i shërbyer komunitetit në forma të ndryshme.