Presidenti i Këshillit Europian në detyrë, Antonio Costa, ka mbërritur në Shqipëri në kuadër të samitit të Komunitetit Politik Europian, që do të mbahet ditën e nesërme në Tiranë me pjesëmarrjen e mbi 40 liderëve europianë.
Costa u prit nga Kryeministri Edi Rama dhe vlerësoi Shqipërinë për përparimin në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian.
“Është kënaqësi për mua ta përmbyll turin tim në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor këtu në Tiranë. Procesi i zgjerimit të Ballkanit Perëndimor është investimi i duhur dhe e kemi ne në dorë ta çojmë këtë proces deri në fund,” deklaroi Costa.
Ai theksoi se Shqipëria është në rrugën e duhur për në BE dhe se vullneti i qytetarëve shqiptarë për anëtarësim është i qartë, i reflektuar edhe në rezultatin e zgjedhjeve të fundit.
“Anëtarësimi nuk është më çështje nëse, por kur. Ju e dini se si bëhet. Ju inkurajoj t’i mbani sytë te ky objektiv dhe t’i shkoni deri në fund,” u shpreh ai.
Në fjalën e tij, Presidenti i Këshillit Europian theksoi rëndësinë e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe reformave si elementë kyç për anëtarësimin. Ai gjithashtu përmendi nevojën për thellimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Costa e cilësoi mbajtjen e Samitit të Komunitetit Politik Europian në Tiranë si një moment historik për Shqipërinë dhe për vetë Bashkimin Europian, duke theksuar se është hera e parë që një takim i tillë zhvillohet jashtë territorit të BE-së.
“Europa nuk do të thotë vetëm begati apo vlera, por edhe ndërtim i një të ardhmeje të përbashkët. Jam i kënaqur që sot këtu shoh studentë – brezin që do të mbajë mbi supe të ardhmen e Europës. Dhe fatmirësisht, ju keni këmbë të forta dhe të gjata për ta bërë këtë hap,” përfundoi Costa.
Vizita e tij në Tiranë mbyll turin në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe përforcon mbështetjen e institucioneve europiane për integrimin e rajonit në familjen europiane, njofton euronewsal.