
Nga: Dashnim HEBIBI
Kujtim dhe nderim për dëshmorin që ia fali jetën flamurit kuq e zi
Më 14 maj 2001, në fshatin Rahovicë të Preshevës, ra dëshmor Mitat Skender Musliu, një nga bijtë më të denjë të Kosovës Lindore, i cili me gjakun e tij vulosi betimin për liri dhe dinjitet kombëtar.
Sot bëhen 24 vjet nga ai moment sakrifice, por kujtimi për Mitatin mbetet i gjallë në zemrat e çdo shqiptari që e ndjen peshën e flamurit kuq e zi.
Figura e tij është mishërim i qëndresës shqiptare në Luginën e Preshevës, pjesë e pandashme e historisë sonë të lavdishme të rezistencës. Çdo herë që valëvitet flamuri kuq e zi me shqiponjën dykrenare, shohim në të pasqyrim të flijimit të tij dhe të gjithë dëshmorëve të kombit.
Sot, më shumë se kurrë, kanë kuptim fjalët e pavdekshme të Fan Nolit:
„Ne jemi njerëz, jo, ne jemi burra, jo, ne jemi shqiptarë. Shqipëria na kërkon ndihmë. Le t’i japim pa numëruar… Shqipëria kërkon luftëtarë, le të rendim tek thirrja e saj. Le të sulemi nën flamurin e kuq, në flakë të luftës, që të na drithërohet trupi nga dehja e barutit, që të na ndizet shpirti nga zjarri i shenjtë i lirisë dhe le të vdesim duke thirrur: “Rroftë Shqipëria!”
Për të nderuar jetën dhe veprën e tij, është realizuar edhe një këngë dedikuar Mitat Musliut, me tekstin e shkruar nga autori i këtij shkrimi, interpretuar nga Arif Vladi, kompozuar nga Edmond Zhulali dhe me videoklip të realizuar nga Llesh Nikolla.
Ky projekt është bërë i mundur nga xhaxhai i Mitatit, atdhetari Fazli Musliu, një figurë e shquar e diasporës shqiptare në Zvicër, themelues dhe ish-kryetar i Shoqatës Humanitare „Lugina e Preshevës“ në Gossau, St. Gallen, tashmë me statusin e kryetarit nderi.
Kënga është një amanet i gjallë për brezat, një thirrje që mos të harrojmë kurrë ata që dhanë më të shtrenjtën për idealin kombëtar.
Për të gjithë ata që dëshirojnë ta dëgjojnë, vegëza është kjo:
Dëgjo këngën për Mitat Musliun
Biografia e dëshmorit Mitat Skender Musliu
(16.02.1981 – 14.05.2001)
Ushtar i Z.O.P. – Brigada 113 „Ibrahim Fejzullahu“
Mitat Skender Musliu lindi më 16 shkurt 1981, në fshatin Strezoc të Preshevës, në një familje me rrënjë të forta atdhedashurie, ku dashuria për flamurin kuq e zi ishte amanet brezash.
Që në moshë të re, Mitati u dallua për urtësinë, thjeshtësinë dhe ndjenjën e lartë të përgjegjësisë. Por ai kurrë nuk mund të qëndronte i qetë përballë padrejtësive që i bëheshin popullit të vet. Kur nisi lufta e UÇPMB-së, zemra e tij nuk rrihte më për veten, por për lirinë e tokës shqiptare.
Ai kërkonte me ngulm nga prindërit që t’i lejonin të bashkohej me luftëtarët. Nëna, si çdo nënë shqiptare, ndiente dhimbjen e mundshme të humbjes, por njëkohësisht krenarinë për rritjen e një biri të denjë. Pasi panë vendosmërinë e pathyeshme të Mitatit, prindërit e tij i dhanë bekimin. Me një përqafim të fundit, ai u nis drejt betejës me kokën lart dhe zemrën plot.
Mitati u radhit si vullnetar në radhët e UÇPMB-së, në Brigadën 113 „Ibrahim Fejzullahu“, ku u sistemua në Batalionin e II-të, në pikën strategjike të Bukocit. Me guximin dhe përkushtimin e tij, ai u bë pjesë e njësitit të vijës së parë, duke udhëhequr shokët në çdo përballje.
Në të gjitha betejat, ai ishte aty ku rreziku ishte më i madh. Në betejën e fundit, më 14 maj 2001, Mitati qëndroi heroikisht në vijën e parë në veri-perëndim të fshatit Rahovicë, ku u përball me forcat serbe. Aty, në tokën e gjyshërve, dha jetën për lirinë e shqiptarëve, duke rënë si dëshmor i kombit.
Mitati e vulosi me gjak betimin për liri, dinjitet dhe identitet kombëtar, duke u bërë simbol i qëndresës shqiptare në Luginën e Preshevës.
Nderim përjetë!
Në fund, dua ta përmbyll këtë shkrim me një të vërtetë të hidhur, por të domosdoshme për ta thënë:
I mjerë është ai që shkel mbi gjakun e dëshmorit dhe merr ajër lirie, të mundësuar nga dhënia e jetës së dëshmorëve të kombit ndër breza.
Lavdi përjetë Mitat Musliut!
Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit shqiptar!
Attachments area
Preview YouTube video Arif Vlladi Amaneti i Mitat Musliut
Arif Vlladi Amaneti i Mitat Musliut