Alban Caslli, Drejtor i Balfin Austria, ndan detaje rreth investimeve të shumta që kompania po realizon në zhvillimin e pasurive të paluajtshme në Austri, duke theksuar rëndësinë e këtyre projekteve për rritjen dhe diversifikimin e portofolit në këtë treg.
Balfin Austria, një nga kompanitë më të suksesshme të Grupit BALFIN, po forcon gjithnjë e më shumë pozitat e saj në tregun austriak të pasurive të paluajtshme, duke investuar në disa nga zonat më të njohura dhe turistike të Austrisë. Investimet e BALFIN në Austri, në fushën e zhvillimit të pasurive të paluajtshme kapin mbi 100 milionë euro vlerë në volum. Këto investime vijnë si përgjigje ndaj kërkesës në rritje për akomodim dhe mikpritje, duke ofruar standarde të larta për jetesë dhe pushime.
Në një intervistë të fundit, Drejtori i Balfin Austria, Alban Caslli, ka ndarë detaje mbi projektet e përfunduara, veçoritë e tyre dhe investimet që priten të konkretizohen në të ardhmen. Ai gjithashtu ka shpjeguar kushtet aktuale të tregut të pasurive të paluajtshme në Austri, ndërsa ka bërë të ditur se vizioni i Balfin Austria është të zgjerojë më tej aktivitetin, duke eksploruar tregje dhe sektorë të rinj, e duke shkuar përtej kufijve të Austrisë.
Me investimet e fundit, portofoli i Balfin Austria ka arritur vlerën e 100 milionë eurove. Sa parashikohet rritja e vlerës së portofolit deri në fund të vitit dhe në një perspektivë afatmesme?
Deri në fund të vitit, Grupi Balfin synon të zgjerojë më tej praninë e tij në tregun austriak, me objektivin për të rritur portofolin në një vlerë prej 150 deri në 200 milionë euro. Kjo pritet të realizohet përmes investimeve të zgjedhura në qytete të mëdha si Vjena, Linz, Graz dhe Salzburg, por gjithashtu dhe në zona turistike, të rrethuara nga bukuri natyrore dhe tipare atraktive. Në një perspektivë afatmesme, synimi është rritja e mëtejshme e portofolit, përmes zgjerimit gjithashtu në prona të reja komerciale apo projekte me funksione të përziera (mixed-use). Kjo do të jetë pjesë e një strategjie më të gjerë për diversifikimin e investimeve, duke ruajtur fokusin në tregjet me rritje të qëndrueshme dhe potencial të lartë zhvillimi. Paralelisht, do t’i kushtohet vëmendje edhe trendeve të reja në sektorin imobiliar, si ndërtimi eco-friendly, si dhe integrimi i koncepteve të zhvillimit urban inteligjent.
Le të ndalemi pak tek projektet e përfunduara të Balfin Austria… Sa numërohen dhe cfarë i dallon nga njëra-tjetra?
Balfin Austria ka përfunduar me sukses dy projekte të rëndësishme dhe aktualisht ndodhet në fazën e zhvillimit të katër projekteve të reja. Çdo projekt i realizuar është unik dhe dallohet për nga qëllimi, tipologjia funksionale, arkitektura, vendndodhja dhe cilësia ndërtimore – duke reflektuar një strategji dhe pozicionim të fortë të kompanisë në tregun austriak.
Projektet e përfunduara janë:
Luv und Lee
Ky është projekti i parë i përfunduar nga Balfin Austria dhe ndodhet në një nga zonat më tërheqëse turistike të Austrisë, në liqenin Traunsee në Gmunden. Me një volum investimi prej 6, 8 milionë euro, Balfin nisi me këtë projekt serinë e investimeve luksoze të sukseshme në zonën turistike të Gmunden.
Green Hill Suites
I vendosur në një nga zonat më të kërkuara dhe prestigjioze të Vjenës – 1180/1190 Wien – ky projekt banimi mbulon një sipërfaqe prej 1,352 m² dhe përfaqëson një shembull ekselence në ndërtim dhe stil jetese. Me një vlerë investimi prej 11,4 milionë euro, Green Hill Suites është pozicionuar si një nga projektet më cilësore në Vjenë për vitin 2024, falë arkitekturës moderne, privatësisë së garantuar, dhe pamjeve panoramike te qytetit që ofron.
Balfin Austria e ka shtrirë aktivitetin në tregun austriak të pasurive të paluajtshme kryesisht në zonat urbane dhe turistike, pranë liqeneve e lumenjve, me një miks projektesh rezidenciale. Përse janë zgjedhur pikërisht këto zona në Austri?
Ne jemi të fokusuar në zhvillimin e projekteve rezidenciale si në zonat urbane të Austrisë, ashtu edhe në ato turistike pranë liqeneve, me qëllim krijimin e një portofoli të diversifikuar dhe të qëndrueshëm. Kjo strategji i përgjigjet kërkesave të ndryshme të tregut dhe ofron potencial për investime të sigurta dhe afatgjata. Në qytete si Vjena, Balfin Austria përqendrohet në lagje ekskluzive me potencial për rritje të qëndrueshme, ku kërkesa për banesa mbetet e lartë falë infrastrukturës së zhvilluar, aksesit të lehtë në shërbime, afërsisë me qendrat e punës dhe mundësisë për një stil jete modern dhe privat. Përmes projekteve të saj, kompania zgjedh me kujdes zona që ofrojnë komoditet dhe standard të lartë jetese, e cila pasqyrohet dhe në ndertim më vonë. Ndërkohë, në zonat turistike pranë liqeneve, fokusi është në zhvillimin e projekteve ekskluzive që u përgjigjen blerësve me të ardhura të larta, investitorëve që kërkojnë shtëpi pushimi ose prona të dyta. Këto prona karakterizohen nga vendndodhje piktoreske, privatësi, qasje të shpejtë në qytetet të mëdha dhe një kombinim perfekt mes natyrës dhe luksit bashkëkohor. Kështu, duke ndjekur një strategji të mirëpërcaktuar midis zonave urbane dhe atyre turistike, Balfin Austria jo vetëm që plotëson nevoja të ndryshme të tregut, por njëkohësisht ul ndjeshëm ekspozimin ndaj rrezikut dhe garanton qëndrueshmëri të portofolit në planin afatmesëm dhe afatgjatë.
Mund të ndani disa prej projekteve të Balfin Austria të cilat pritet të finalizohen në një të ardhme të afërt?
Po, patjetër. Aktualisht, Balfin Austria ka katër projekte në zhvillim, për të cilat po ndalem si më poshtë:
Bright Side është një projekt ekskluziv i vendosur në qytetin piktoresk dhe historik të Gmunden. Me pamje panoramike të liqenit Traunsee, Bright Side ofron apartamente luksoze pushimi të ndërtuara me standarde të larta arkitekturore, teknologji bashkëkohore dhe materiale premium. Me një volum investimi prej 12,5 milionë euro, projekti i drejtohet blerësve strategjikë dhe investitorëve që kërkojnë një stil jetese të qetë, të rrethuar nga natyra, luksi dhe eleganca.
ANDEA – Parkside Residences është një godinë banimi që ndodhet në zemër të Vjenës, midis qendrës historike dhe një prej nyjeve kryesore të transportit publik. Një kombinim elegant i apartamenteve rezidenciale dhe zyrave të klasit A, ANDEA përfaqëson vizionin e Balfin Austria për transformimin e ndërtesave ekzistuese në projekte me identitet të ri. Me një vlerë prej rreth 27,7 milionë euro, projekti përfaqëson një sintezë të elegancës klasike me funksionalitetin modern urban.
Riverside Forest Residences, një projekt tjetër unik, i vendosur pranë një lumi, në mes të një peizazhi pyjor në Gmunden. Ky projekt ofron banesa të qëndrueshme me ndërtim ekologjik, të përshtatshme si për përdorim të përhershëm ashtu edhe si shtëpi pushimi. Vlera e investimit arrin në 13,1 milionë euro, dhe synon ata që kërkojnë qetësinë dhe natyrën pa hequr dorë nga aksesueshmëria ndaj shërbimeve urbane.
Ndërsa Effinger është projekti më i ri i Balfin Austria në qytetin e Vjenës, i konceptuar si një kompleks rezidencial i segmentit të mesëm. Qëllimi është të ofrohen njësi banimi moderne dhe funksionale për familje dhe blerës që kërkojnë zgjidhje të përballueshme në një zonë të qetë familjare me lidhje të mira transporti. Volumi i projektit është rreth 27,5 milionë euro dhe plotëson portofolin e Balfin me produkte të ndryshme për tregje të ndryshme.
Së fundmi, konstatohet se portofoli i Balfin Austria është shumëfishuar në sektorin e menaxhimit të aseteve të paluajtshme. Si u gjend Balfin Austria në një sektor të tillë?
Ky zgjerim është pjesë e strategjisë afatgjatë dhe vizionit të Balfin Austria për të optimizuar menaxhimin e portofolit ekzistues të pasurive të paluajtshme. Ai reflekton qasjen proaktive të Grupit BALFIN ndaj një kërkese në rritje për menaxhim e aseteve – jo vetëm për ta mbrojtur vlerën e tyre, por dhe per rritje në mënyrë të qëndrueshme. Përmes eksperiencës së fituar në zhvillim dhe investim, Balfin Austria është pozicionuar natyrshëm për të kaluar në fazën e menaxhimit aktiv të aseteve. Kjo lejon jo vetëm një mbikëqyrje më efektive të investimeve ekzistuese, por edhe maksimizimin e potencialit të tyre në tregun e pasurive të paluajtshme. Objektivi ynë është të gjenerojmë kthime të qëndrueshme dhe të sigurojmë që çdo pronë të operojë në përputhje me standardet më të larta të eficiencës, cilësisë dhe kërkesave të tregut në zhvillim.
Austria duket se po tërheq gjithnjë e më shumë të rinj që duan të ndjekin studimet universitare në Vjenë. Ka menduar Balfin Austria që ta shikojë këtë si mundësi për të rritur aktivitetin e saj në kryeqytetin austriak?
Vjena po pozicionohet gjithnjë e më shumë si një nga qytetet më tërheqëse për të rinjtë dhe studentët ndërkombëtarë, duke gjeneruar një kërkesë të madhe për hapësira banimi. Balfin Austria e sheh këtë zhvillim si një mundësi strategjike për të zgjeruar më tej aktivitetin në sektorin rezidencial dhe të mikpritjes. Në këtë kuadër, ne po shqyrtojmë mundësitë për të investuar në projekte që ofrojnë akomodim cilësor për studentë – objekte moderne, të mirëorganizuara, të ndërtuara sipas standardeve ndërkombëtare, me çmime të përballueshme dhe të projektuar në mënyrë të qëndrueshme. Këto investime jo vetëm që përforcojnë pozicionin e Balfin Austria në tregun imobiliar austriak, por edhe hapin rrugën për diversifikimin e mëtejshëm të portofolit në një sektor të ri.
Cilat janë, sipas vëzhgimeve tuaja, kushtet aktuale të tregut të pasurive të paluajtshme në Austri?
Tregu i pasurive të paluajtshme në Austri ndikohet si nga faktorë lokalë, ashtu edhe nga zhvillimet ndërkombëtare. Rritja e vazhdueshme e popullsisë dhe statusi i Vjenës si një qendër ekonomike, kulturore dhe biznesi në Europë kanë sjellë një kërkesë të lartë për prona rezidenciale dhe komerciale. Kjo kërkesë, e kombinuar me ofertën e kufizuar dhe reputacionin e qytetit si një nga më të jetueshmit në botë, ka bërë që çmimet të vazhdojnë të rriten, veçanërisht në zonat qendrore. Në të njëjtën kohë, po rritet ndjeshëm interesi për prona në qytete më të vogla, të pozicionuara pranë natyrës dhe ujit. Zona të tilla turistike, ofrojnë një kombinim të rrallë midis qetësisë natyrore dhe aksesit të shpejtë ndaj qendrave urbane. Ato janë gjithnjë e më tërheqëse për blerësit që kërkojnë cilësi më të lartë jetese, shtëpi të dytë për pushime, apo prona luksoze me përdorim turistik dhe afarist. Rritja e kërkesës për vila, apartamente pushimi apo rezidenca të qëndrueshme në këto zona, po i shndërron ato në pika strategjike për investime në pasuri të paluajtshme.
Ka ndonjë sektor të ri që Balfin Austria po eksploron në Austri?
Balfin Austria ka filluar eksplorimin për të identifikuar projekte potenciale dhe fitimprurëse në sektorin e mikpritjes. Duke qenë se Vjena është një pikë strategjike për turizmin dhe biznesin në të gjithë Europën, tregu paraqet një kërkesë të lartë për struktura të reja hoteliere, banesa me rezervime afatshkurtra (serviced apartments) si dhe banesa për studentë (student dormitories). Duke u mbështetur në ekspertizën shumëvjeçare të Grupit BALFIN në këtë sektor, Balfin Austria është në proces të shqyrtimit të mundësive për investime në turizëm dhe hoteleri, jo vetëm në Vjenë, por edhe në destinacione të tjera turistike sezonale. Duke pasur parasysh rëndësinë që ka sektori i argëtimit në ekonominë austriake, Balfin po eksploron gjithashtu mundësi në këtë fushë, bazuar në përvojën e fituar nga portofoli ekzistues, veçanërisht me suksesin e qendrës së argëtimit familjar, HyperActive, në Kosovë. Ne, si Balfin Austria, jemi gjithmonë në kërkim të projekteve interesante dhe të qëndrueshme ku grupi ynë mund të zgjerohet, të sjellë ekspertiza të reja dhe të kontribuojë në zhvillimin ekonomik lokal.
Ka ndonjë treg të ri ose sektor që kompania po eksploron në shtete të tjera?
Balfin Austria ka nisur së fundmi të shqyrtojë mundësitë për zgjerim në tregjet e Gjermanisë dhe Zvicrës. Kompania po eksploron projekte ku ndërtesat ekzistuese mund të rikonstruktohen dhe të përshtaten për qëllime banimi ose biznesi. Krahas tyre, po shqyrtohen edhe mundësitë për ndërtimin e projekteve të reja nga themelet, pra zhvillime të reja në toka të lira. Vëmendje e veçantë po i kushtohet rajonit jugor të Gjermanisë, kryesisht Bavarisë, një nga zonat më të zhvilluara ekonomikisht në vend dhe me potencial të lartë për investime të qëndrueshme në pasuri të paluajtshme. Ky drejtim strategjik pasqyron synimin e Balfin Austria për të hyrë në tregun gjerman me perspektivë të fortë rritjeje./GT