Me ftesë të Këshillit Federal të Zvicrës, të udhëhequr nga presidentja e Konfederatës së Zvicrës, Karin Keller-Sutter, presidentja Vjosa Osmani dhe Zotëria i Parë, Prindon Sadriu, janë ftuar për vizitë shtetërore në Konfederatën Helvetike më 21-22 maj, duke shënuar kësisoj vizitën e parë shtetërore të një kreu të shtetit të Kosovës në Zvicër.
Vizitat shtetërore janë niveli më i lartë i vizitave, pra nivel më i lartë se vizitat zyrtare, dhe ndodhin shumë rrallë, prandaj edhe kjo shënon një moment historik në relacionet Kosovë-Zvicër.
Këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina, bën të ditur se Osmani do të pritet me ceremoni shtetërore dhe nderime të larta ushtarake nga homologia e saj, Keller-Sutter, në sheshin qendror Bundesplatz në Bern, më 21 maj në prezencë edhe të qytetarëve të shumtë.
Në kuadër të agjendës zyrtare, e para e vendit do të mbajë takime me presidenten e Zvicrës dhe Këshillin Federal, si dhe do të mbajë fjalim në Parlamentin e Zvicrës. Poashtu, të dyja presidentet do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.
Për nder të Presidentes Osmani dhe delegacionit nga Kosova, Presidentja Keller-Sutter do të organizojë banket shtetëror, duke nderuar kësisoj miqësinë e qëndrueshme dhe partneritetin në mes dy shteteve”, thuhet tutje në përgjigjen e Kupinës.
Sakaq, në ditën e dytë të vizitës, Osmani dhe Keller-Sutter do ta vizitojnë një ndërmarrje prodhuese në pjesën lindore të Zvicrës, si dhe një qendër të Universiteti Saint Gallen, e cila është e përkushtuar për zhvillimin e kulturës së të nxënit dhe të mësimdhënies, fusha me rëndësi të veçantë për të ardhmen e të rinjve në Kosovë dhe Zvicër.
E në Gjenevë, Osmani do ta ketë një takim me mërgatën shqiptare.
“Bashkatdhetarët tanë që jetojnë e kontribuojnë në Zvicër, janë bërë një urë e fuqishme lidhëse ndërmjet dy popujve dhe dy shteteve. Zvicra ishte një nga vendet e para që e njohu pavarësinë e Kosovës në vitin 2008 dhe që nga ajo kohë ka qenë ndër mbështetëset më të mëdha të proceseve demokratike, shtetndërtuese dhe zhvillimore të vendit tonë”./BS
https://www.facebook.com/PresidencaRKS