Përgaditi:Dashnim HEBIBI
Kërkohet më shumë mbështetje nga shtetet shqiptare dhe Maqedonia e Veriut
Bernë, 11 maj 2025 – Në ambientet e Ambasadës së Shqipërisë në Bernë u zhvillua një takim i rëndësishëm me përfaqësues të disa shoqatave të Luginës së Preshevës që veprojnë në Zvicër. Takimi u organizua me ftesë të Sekretarit të Parë të Ambasadës së Shqipërisë, z. Valon Gashi, dhe në prani të Ambasadorit të Kosovës në Zvicër, Shkëlqesisë së Tij, z. Mentor Latifi, i shoqëruar nga sekretari z. Gjenis Haxhimehmeti, si dhe të Ambasadorit të Maqedonisë së Veriut, Shkëlqesia e Tij, z. Rexhep Demiri.
Qëllimi i këtij takimi ishte forcimi i bashkëpunimit edhe më i madh mes veprimtarëve dhe shoqatave të Luginës së Preshevës në diasporë, si dhe sensibilizimi i institucioneve shtetërore për sfidat me të cilat përballet ajo trevë. U theksua se komuniteti shqiptar i Luginës gjendet në një situatë të vështirë jo vetëm politike, por edhe sociale, ekonomike dhe kulturore.
Z. Valon Gashi, i cili njëkohësisht vjen nga Lugina e Preshevës, hapi takimin duke përshëndetur të pranishmit dhe duke bërë një prezantim të punës së deritanishme me shoqatat. Ai theksoi se para disa viteve është arritur të krijohet një lidhje e shoqatave nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, me 26 shoqata pjesëmarrëse, prej të cilave 20 kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi.
Ambasadori i Kosovës, z. Mentor Latifi, përshëndeti të pranishmit dhe shprehu përkrahjen e tij për çështjen e Luginës. Ai vlerësoi rolin e diasporës dhe theksoi se Kosova do të qëndrojë gjithmonë pranë bashkatdhetarëve të saj.
Në të njëjtën linjë ishte edhe Ambasadori i Maqedonisë së Veriut, z. Rexhep Demiri, i cili përmendi shembuj konkretë të suksesit që vijnë nga bashkimi i shoqatave dhe veprimi i përbashkët, duke sjellë si shembull rastin e Kërçovës. Ai theksoi se diaspora është forca bazë dhe garantoi mbështetjen e tij 24/7.
Ish-kryetari i Lidhjes së Shoqatave të Luginës, z. Fadil Selmani, falënderoi të pranishmit dhe vlerësoi angazhimin e Ambasadës së Shqipërisë dhe ambasadorëve për këtë takim. Ai kujtoi se puna për bashkimin dhe organizimin e shoqatave ka qenë gjithmonë një prioritet, pavarësisht sfidave dhe vështirësive dhe ne nuk jemi ndalur e deri nê SHBA pë ato treva e duke veçuar bashkëpunimin me Shoqatën Humanitare „Lugina e Preshevës“ dhe me disa të tjera edhe në Akademinë Perkujtimore por edhe në projekte të tjera.
Në takim foli edhe z. Ahmet Jakupi, kryetar aktual i Lidhjes së Shoqatave të Luginës, edhe disa veprimtarë të tjerë duke treguar problemet që ballafaqohet ajo etni shqiptare si dhe PhD. Dashnim Hebibi, kryetar i Shoqatës Humanitare “Lugina e Preshevës” në Gossau. Z. Hebibi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet e Shqipërisë dhe Kosovës, duke shtuar se organizimi i diasporës duhet të bëhet në koordinim të ngushtë me strukturat në atdhe.
Ndër pikat e rëndësishme të diskutuara ishte edhe nevoja për regjistrimin e popullatës së Luginës së Preshevës në Zvicër, si dhe përmirësimi i kushteve për shkollën plotësuese shqipe në Zvicër.
Në përfundim, u ra dakord që Kuvendi i Lidhjes së Bashkuar të Shoqatave të Luginës të mbahet më 15 qershor 2025 në Zofingen, Zvicër. U theksua se uniteti edhe pse ka qenë, është dhe do të mbetet edhe në të ardhmen si dhe bashkëpunimi i diasporës me atdheun janë të domosdoshme për të arritur rezultate konkrete në të mirë të Luginës së Preshevës dhe mbarë kombit shqiptar. Bashkatdhetarët e Luginës së Preshevës ishin të bashkuar në situatat shumë kritike, janë e do të jenë për të mirën e asaj treve.
SAM24.info