Në epokën e teknologjisë së përshpejtuar dhe zhvillimit të vazhdueshëm të tregut të punës, universitetet nuk mund të mbesin thjesht institucione të bartjes së njohurive tradicionale. Përkundrazi, ato janë thirrur të marrin rolin udhëheqës në formësimin e realitetit ekonomik dhe social përmes inovacionit, shkencës, sipërmarrjes dhe bashkëpunimeve të strukturuara. Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë po ecën me hapa të sigurt drejt këtij vizioni, duke u shndërruar në një ndër institucionet më premtuese akademike në rajon sa i përket ndërlidhjes midis dijes, teknologjisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Duke qenë i vetmi universitet në vend që po ndërton dhe drejton zhvillimin institucional mbi modelin e Heliksit të Trefishtë – që ndërthur akademinë, industrinë dhe institucionet publike – UHZ është duke e transformuar rolin e vet nga një qendër klasike studimore në një universitet ndërmarrës e modern, që synon të përgatisë studentët për sfidat reale të shekullit XXI.
Ky model, i përqafuar nga universitetet më të përparuara të botës, është themeli mbi të cilin ndërtohen programet e reja studimore, qasja praktike në mësimdhënie, kërkimi shkencor me ndikim dhe bashkëpunimet afatgjata me sektorin privat dhe publik.
Në këtë frymë, Universiteti “Haxhi Zeka” ka nisur një fazë të re të veprimit konkret me mbështetjen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregëtisë – MINT, përmes aktualizimit të Qendrës së Teknologjisë dhe Inovacionit, dhe funksionalizimit të inkubatorëve dhe akceleratorëve të biznesit. Këto hapësira do të shërbejnë si laboratorë të gjallë të ideve dhe ndërmarrjeve të reja, ku studentët, hulumtuesit dhe komuniteti i biznesit mund të punojnë së bashku për të gjeneruar zgjidhje të reja, produkte dhe shërbime që pasqyrojnë kërkesat e tregut bashkëkohor. Qasja jonë e integruar synon që çdo ide inovative të përkthehet në një projekt të qëndrueshëm dhe të dobishëm për komunitetin lokal dhe më gjerë.
Një tjetër hap domethënës është bashkëpunimi me Terra Marketing Albania, i cili ka rezultuar me lansimin e barometrit të trendeve të zhvillimit në fushën e hotelerisë, një instrument analitik që synon të ofrojë të dhëna konkrete për nevojat e industrisë dhe të ndihmojë në përafrimin e ofertës akademike me kërkesën reale të tregut. Ky bashkëpunim është një model se si universiteti mund të jetë jo vetëm kontribuues i dijes teorike, por edhe bashkë-krijues i politikave zhvillimore dhe zgjidhjeve ekonomike.Përveç inovacionit dhe sipërmarrjes, shkenca dhe kërkimi akademik janë shtyllë qendrore e këtij transformimi institucional. Universiteti “Haxhi Zeka” është i përkushtuar që përmes Institutiti për Shkencë dhe Arte, si dhe përmes fakulteteve përkatëse, të fuqizojë rolin e kërkimit si motor i zhvillimit.
Objektivi ynë është të krijojmë një mjedis të favorshëm për kërkim të aplikuar dhe ndërdisiplinor, që adreson problemet reale të shoqërisë dhe kontribuon në rritjen e kapitalit intelektual të vendit. Aktivitetet kërkimore të mbështetura nga UHZ nuk janë më të orientuara vetëm nga publikimet akademike, por gjithnjë e më shumë nga ndikimi konkret që kanë në ekonomi, teknologji dhe politikëbërje publike.Synimi afatgjatë është që përmes këtij vizioni strategjik, të ofrojmë programe studimore tërheqëse dhe funksionale, të bazuara në shkathtësitë e së ardhmes – si mendimi kritik, zhvillimi i qëndrueshëm, ndërmarrësia digjitale, programimi, analiza e të dhënave, si dhe bashkëpunimi ndërdisiplinor. Në këtë mënyrë, UHZ po dëshmon se është më shumë se një institucion i arsimit të lartë; është një aktor aktiv në transformimin ekonomik, shkencor dhe shoqëror të Kosovës dhe më gjerë./UNHZ