Nga: Aurora VELAJ, Tiranë
9 maj 2025
“Gruaja ka qeverisur gjithmonë botën,” ka thënë Honoré de Balzac, “jo duke marrë pushtetin, por duke ndikuar atë që e mban pushtetin.” Shqipëria ka pasur gjithmonë gra trime që kanë bërë histori, por në prag të zgjedhjeve të majit 2025, gratë shqiptare përballen me sfida të shumta. Pyetja më thelbësore mbetet: a janë ato vërtet përfaqësuese të denja të vetes dhe të komunitetit në këto zgjedhje? A janë gratë në politikë për të ndryshuar sistemin apo për ta legjitimuar atë?
Kuotat gjinore, një iluzion barazie?
“Shqipëria ndodhet në një moment kritik, ku demokracia dhe sundimi i ligjit sfidohen çdo ditë,” thotë Jorida Tabaku, një nga zërat më të fortë dhe më të qëndrueshëm të grave në politikën shqiptare, e cila këtë vit garon në listat e hapura të Partisë Demokratike. Në këtë kontekst të ndërlikuar, përfshirja e grave në politikë mbetet një çështje e debatueshme. A janë kuotat gjinore një hap drejt barazisë, apo thjesht një përmbushje formale e kërkesave ligjore?
Në një sistem të dominuar prej burrave, disa gra kanë arritur të krijojnë identitet dhe zë të pavarur. Jorida Tabaku është një ndër to. “Tabaku mbahet mend për kryesimin e Komisionit Hetimor për inceneratorët, si një nga rastet ku një grua në politikë solli një ndryshim domethënës, pavarësisht se kishte përballë të gjitha palët politike,” thotë Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit të Studimeve Politike. Ai thekson gjithashtu angazhimin e saj në mbrojtjen e profesionistëve të lirë përpara Gjykatës Kushtetuese, si një tjetër dëshmi e një lidershipi që nuk i trëmbet sfidave.
Sipas Krasniqit, politika shqiptare ka prodhuar disa modele pozitive të grave me kurajë dhe integritet. “Një tjetër figurë e tillë është Mimoza Hafizi, e cila ka mbrojtur ide të caktuara edhe kur kjo i ka kushtuar politikisht.” Por ai ngre shqetësimin kryesor: “Problemi qëndron nëse shoqëria është e gatshme t’i përqafojë këto modele, apo nëse mbetemi një shoqëri militante që refuzon individin që del kundër kryetarit të partisë.”
“Në rastin konkret, të dyja politikanet që përmenda kanë paguar një kosto: njëra u largua nga politika pasi u përjashtua, ndërsa tjetra u vendos në listat e hapura, duke e nxjerrë në një betejë të vështirë. Ndërkohë, individë të akuzuar për korrupsion apo që ndodhen në arrest janë përfshirë në listat e mbyllura, pa kaluar përmes votimit,” thotë Krasniqi.
Në këtë realitet, kuotat gjinore duken si një mekanizëm kontradiktor pasi “zbatimi i kuotës ka sjellë rezultate pozitive,” si shumë ekspertë të tjerë pranon edhe Krasniqi, “duke ndihmuar në krijimin e një brezi të ri politikanesh me identitet dhe kontribut parlamentar siç janë Jorida Tabaku dhe Ina Zhupa.” Megjithatë, ai thekson se, ndonëse kuotat kanë mundur të sjellin figura të qëndrueshme të grave në politikë, objektivi për rritjen e përfaqësimit real gjinor në vendimmarrje ende nuk është arritur.
Për vetë Tabakun, ky është një realitet i pakëndshëm: “Roli i grave është rritur në numra, por për fat të keq jo gjithmonë në peshë reale. Do të doja të shihja më shumë gra që jo vetëm janë në lista, por që janë pjesë aktive e politikëbërjes dhe vendimmarrjes.”
Pedagogia dhe ekspertja e komunikimit, Irena Myzeqari shpreh shqetësimin se gratë në listat e hapura po penalizohen nga një sistem që i sheh ato si konkurrente më të dobëta në një “arenë ndeshjeje”, ku forca e brendshme politike dhe mbështetja financiare shpesh mungojnë.
Në të njëjtën linjë mendimi, Edlira Çepani, drejtore e “Rrjeti Barazi në Vendimmarrje”, nënvizon se prania e grave në politikë është shpesh formale dhe e diktuar nga ligji, jo si rezultat i një vullneti të sinqertë për ndryshim. Sipas saj, “kuotat gjinore kanë sjellë më shumë gra në politikë, por shpesh ato nuk mbështeten për të ndërtuar karrierë të pavarur, që nga aksesi i barabartë në burime dhe deri tek financat politike.”
Myzeqari thekson se “përfshirja e grave në politikën shqiptare ka qenë më shumë një përpjekje për të qenë në përputhje me ligjin, sesa një mundësi reale që gjysma e shoqërisë të kontribuojë në zhvillimin e vendit.” Ajo paralajmëron se në mungesë të një mbështetjeje të vërtetë, shumë gra kanë bërë “pakt” me status quo-në, duke penguar krijimin e një lidershipi të fuqishëm dhe autentik të grave në politikë.
Statistika që mashtrojnë
Shqipëria ka shënuar përparime të dukshme në aspektin numerik të përfaqësimit gjinor në politikë. Aktualisht, 35.7% e deputetëve në Kuvend janë gra. “Në vitin 2022, sipas INSTAT, numri i deputeteve gra arriti në 50, krahasuar me 90 burra, një rekord historik që tejkalon edhe vitin 1974, kur gratë përbënin 33% të deputetëve (83 gra dhe 167 burra),” thekson Ornela Liperi, kryeredaktore e revistës ekonomike Monitor. Ajo kujton gjithashtu se në vitin 2001 në Kuvend kishte vetëm 9 gra dhe 131 burra, përfaqësim minimal prej 6.4%, ndërsa në vitin 2013 kjo shifër u rrit në 25 gra, ose 17.9% të përbërjes së parlamentit.
Shifra të larta raportohen edhe në përbërjen gjinore të qeverisë, duke e renditur Shqipërinë ndër vendet e para në botë për përfshirjen e grave në poste ministrore. Sipas Liperit, në fund të vitit 2023 Shqipëria kryesonte globalisht për përqindjen e grave në kabinetin qeveritar, me 67% të ministrave gra, e ndjekur nga Finlanda dhe Spanja me nga 64%, sipas indeksit të fuqizimit të grave të publikuar nga Programi i CFR për Gratë dhe Politikën e Jashtme.
Megjithatë, Liperi nënvizon se, “nisur nga korrupsioni gjatë viteve të fundit, ku shpesh kanë qenë të përfshira edhe gra ministre, pjesëmarrja e tyre ka qenë kryesisht fasadë, pa ndikim real vendimmarrës.”
Burimi; INSTAT
Përtej shifrave optimiste, realiteti mbetet sfidues. Gratë në politikën shqiptare vazhdojnë të përballen me pengesa të mëdha strukturore.
“Në vijim të Barometrit të Barazisë Gjinore të Partive Politike në Shqipëri, një studim i kryer nga Rrjeti Barazi në Vendimmarrje, disa nga barrierat që kanë identifikuar vetë gratë dhe vajzat pjesëmarrëse janë:
– mungesa e aksesit në media;
– mungesa e meritokracisë dhe e garës së ndershme brenda partive;
– mungesa e demokracisë së brendshme;
– mungesa e aksesit në burime financiare;
– dhe dhuna me bazë gjinore në politikë, që përfshin dhunë psikologjike, verbale dhe fizike,” thotë Edlira Çepani, drejtore e këtij rrjeti.
Çepani thekson se prania e grave nuk është e barasvlefshme me ndikimin e tyre. Shumë prej tyre hyjnë në parlament falë kuotave gjinore, por në mungesë të listave të hapura ato mbeten të varura nga liderët partiakë që i kanë zgjedhur – shpesh pa zë kritik, pa autonomi politike dhe pa mundësinë për të ndërtuar një identitet të pavarur politik.
Prania pa zë e grave në politikë
Statistikat tregojnë se gratë në Shqipëri kanë arsimim më të lartë sesa burrat. “Sipas INSTAT, vajzat kanë më shumë gjasa të ndjekin universitetin se djemtë. Në total, 21.3% e grave mbi 25 vjeç kanë përfunduar arsimin e lartë, kundrejt 18.2% të meshkujve,” thekson Ornela Liperi. Por përkundër këtyre të dhënave inkurajuese, realiteti në politikë sfidon shifrat.
Gratë përballen ende me struktura politike e kulturore që e bëjnë të vështirë pjesëmarrjen reale dhe të barabartë në vendimmarrje. Ato që arrijnë të depërtojnë në skenën politike shpesh e bëjnë këtë përmes përpjekjeve personale dhe jo falë një sistemi që i mbështet dhe i promovon.
Një nga shembujt e përpjekjeve të reja është Helena Kocaqi, e cila ka themeluar partinë “Lëvizja për Ndryshim”, duke u bërë gruaja e parë që krijon një forcë politike në Shqipëri pas Musine Kokalarit në vitin 1944. Por përpjekja e saj është lënë në hije. “Mediat më kanë dhënë pak hapësirë, ndërsa kolegëve burra u ofrohet gjithçka,” shprehet Kocaqi. Ajo e sheh këtë si një strategji të qëllimshme për të përjashtuar alternativat politike të drejtuara nga gra dhe për të manipuluar opinionin publik.
Edhe Rrjeti “Barazi në Vendimmarrje” e ka evidentuar si një nga rastet më shqetësuese të përjashtimit politik lënien jashtë të vetmes parti të drejtuar nga një grua. Sipas Edlira Çepanit, ky përjashtim, i reflektuar në sondazhe dhe në tryezat vendimmarrëse, është një dëshmi e qartë e kontrollit dhe manipulimit të realitetit politik në vend.
Kritika ndaj rolit të mediave në këtë proces është shumë e rëndësishme. Një analizë e BIRN tregon se gjatë fushatës zgjedhore, në 18 media audiovizive kryesore, mbi 81% e kohës televizive iu kushtua vetëm dy liderëve kryesorë: Edi Ramës dhe Sali Berishës. Ky mbizoterim mediatik jo vetëm që nënvizon mungesën e pluralizmit, por edhe e bën thuajse të pamundur për forcat e reja, veçanërisht ato të drejtuara nga gra, të fitojnë hapësirë në debatin publik.
“Vihet re se ky diskutim liberal në aspektin sasior nuk është përkthyer në një ligjërim gjithëpërfshirës për gratë në nivel programesh. Fushatat e të gjitha kampeve politike kanë pasur në qendër figura mashkullore, ndërsa gratë vijojnë të jenë thjesht aksesorë zbukurues të garës,” vëren Irena Myzeqari.
Një tjetër figurë femërore që ka hyrë në politikë së fundmi është Iris Luarasi. Pas një karriere të gjatë në shoqërinë civile dhe në akademi, ajo u përfshi në politikë “pa rrezikuar”, përmes listave të mbyllura në Partinë Socialiste, duke siguruar një vend të sigurt në Kuvend.
Megjithatë, ajo mund të përballet me sfida të tjera, përfshirë edhe ato që lindin nga “lufta brenda llojit”. “Lufta brenda llojit është më e fortë dhe zhvillohet në mënyrë të fshehtë,” thotë ajo. Në bisedën që patëm bashkë, Luarasi tha gjithashtu se bindja ndaj liderit është një tipar i përbashkët i burrave dhe grave në politikën shqiptare. “Më thuaj një burrë në PS që nuk i bindet Ramës, apo një burrë në PD që sfidon Berishën,” theksoi ajo.
Ky realitet flet për një mungesë të thellë autonomie politike brenda partive. Kjo mungesë e lirisë politike është e lidhur ngushtë me mungesën e mekanizmave funksionalë brenda partive që promovojnë gratë në politikë. “Partitë nuk kanë forume të mirëfillta për gratë. Te Partia Demokratike, zonja Albana Vokshi drejton një forum prej dy dekadash, por ai nuk funksionon si një strukturë demokratike. Në Partinë Socialiste, Forumi i Gruas është zhdukur krejtësisht,” shpjegon eksperti politik Afrim Krasniqi.
Sipas tij, në mungesë të këtyre strukturave, promovimi i grave bëhet sipas vullnetit personal të liderit të partisë. “Zakonisht përzgjidhen gra që i përshtaten nevojave të tij politike, jo më të mirat, por më të kontrollueshmet,” shton ai, duke theksuar se prurjet e fundit në PS janë kryesisht anonime dhe pa profil publik.
Një tjetër shqetësim i madh është shpërdorimi i kuotave gjinore. Sipas Krasniqit, në disa raste individë me pushtet, të akuzuar për korrupsion apo lidhje me krimin, kanë zgjedhur të vendosin në vend të tyre gra të afërta, vajza, bashkëshorte apo motra, në listat elektorale. “Ky është ndoshta shpërdorimi më i madh i kuotës gjinore në funksion të një sistemi korruptiv dhe klientelist,” thekson ai.
Rasti i ministres Olta Xhaçka, e akuzuar për shkelje të rënda në detyrë, është një tjetër shembull që sipas Krasniqit, tregon se kuotat gjinore nuk kanë sjellë automatikisht politikë më të mirë apo më etike. “Në vend që të vendoste një standard ndryshe, ajo përdori partinë si mburojë politike. Edhe kolegët e saj i dhanë mbështetje, duke krijuar përshtypjen se në fund të ditës, kuotat janë thjesht një fasadë mediatike dhe jo një instrument për përfaqësim të denjë.”
Në përfundim, sfida nuk qëndron vetëm te mungesa e grave në politikë, por te mungesa e zërave të lirë, qofshin burra apo gra, që sfidojnë sistemin dhe kërkojnë ndryshim real. “Tendenca është të përzgjidhen njerëz që nuk sfidojnë status quo-në. Ata që kërkojnë autonomi politike shpesh margjinalizohen,” shpjegon Edlira Çepani. Në këtë klimë, edhe gratë deputete shpesh shndërrohen në zërin e liderit të partisë dhe jo një zë i pavarur për qytetarët që përfaqësojnë.
Një Çiçikov i anasjelltë në një sistem pa standard
Një tjetër faktor që pengon forcimin e përfaqësimit gjinor në nivelet vendimmarrëse është mungesa e standardit. “Nuk janë shifrat ato që tregojnë suksesin, por përmbajtja dhe standardi,” thotë Afrim Krasniqi.
Për shembull, kur zoti Rama del dhe denigron kategori të caktuara, përfshirë gratë e palës tjetër politike, burrat apo grupe të tjera sociale, ose kur zoti Berisha vepron në të njëjtën mënyrë, ky është momenti kur gratë e partive përkatëse duhet të ngrenë zërin, të vendosin një kufi dhe të kërkojnë standard. Ato që duartrokasin, që heshtin e nuk reagojnë, por thjesht thonë “lideri është më i miri”, pavarësisht gjithçkaje, tregojnë se e kanë ngatërruar misionin për të cilin kanë hyrë në politikë.
Një rast domethënës është ai i deputetes Flutura Açka, e cila është larguar rishtazi nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike dhe nga drejtimi i Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, duke e cilësuar këtë si një akt proteste ndaj mënyrës se si opozita funksionon sot.
Ajo shprehet se nuk dëshiron të bëhet “sehirxhi i minës ndaj demokracisë” dhe artikulon një zhgënjim të thellë ndaj një politike që, sipas saj, e ka humbur misionin shoqëror dhe etik, duke u kthyer në një arenë interesash personale dhe përfaqësimi feudal.
Në një bisedë të hapur, Açka më solli në vëmendje mungesën e një shkolle të vërtetë politike, ndikimin negativ të politikës mbi profesionet e tjera dhe moralin publik, si dhe presionet për favore dhe ndërhyrje, të cilat ajo i ka refuzuar me vendosmëri.
“Unë isha një Çiçikov i anasjelltë,” thotë ajo, duke iu referuar personazhit të romanit “Shpirtrat e vdekur” të Nikolai Gogolit. “Ai merrej me të vdekurit, ndërsa unë u përpoqa të trajtoj të gjallët me frymë. Deputeti nuk është një zotëri që vendos sipas dëshirës mbi njerëzit.”
Açka rikujton gjithashtu një incident gjatë një mbledhjeje të komisionit që drejtonte, ku u përball me sjellje agresive nga kolegët e saj, përfshirë fikjen e mikrofonit dhe përpjekjen për ta larguar me forcë. Ajo e përjetoi këtë jo vetëm si një akt dhune institucionale, por edhe si një përbuzje gjinore: “U trajtova si ‘femër’, si një ‘gjë e dobët’, dhe jo si politikane me qëndrim të qartë.”
“Unë nuk po veproja si grua, por si një njeri me përgjegjësi politike. Ata e deformuan aktin tim, e ngjyrosën si dobësi dhe kjo më rebeloi,” u shpreh Açka, duke shtuar se është koha që gratë të qëndrojnë fort për vlerat dhe parimet, përtej çdo etiketimi gjinor.
Në dekadat e fundit, një numër i konsiderueshëm grash me profil të lartë, janë larguar nga politika shqiptare, duke pasqyruar sfidat strukturore, kulturore dhe personale që ato përballen në këtë fushë.
Grida Duma, një nga figurat më të njohura të Partisë Demokratike, la mandatin e saj në vitin 2022, duke e përshkruar politikën si një “llum” që e kishte goditur në planin personal dhe kishte ndikuar negativisht në jetën e saj familjare.
Mimoza Hafizi, ish-deputete dhe bashkëthemeluese e partisë LIBRA, u tërhoq pas përpjekjeve për të sjellë një alternativë të re politike, por hasi në mungesën e hapësirës për përfaqësim të vërtetë.
Majlinda Bregu, ish-ministre dhe deputete e Partisë Demokratike, u largua në vitin 2017, duke deklaruar se “në PD ka torollakë” dhe se nuk ndante më të njëjtat qëndrime me partinë e saj.
Edhe Eglantina Gjermeni, ish-ministre dhe deputete e Partisë Socialiste, u largua në vitin 2021, duke reflektuar se “të gjithë në këtë botë jemi të përkohshëm, padyshim edhe në politikë”.
Ndërsa Valentina Leskaj, ish-nënkryetare e Kuvendit dhe ministre, e cilësoi largimin e saj nga politika në vitin 2017 si një vendim të motivuar nga bindja se politika nuk është një profesion në vetvete, dhe se ajo mund të jepte një kontribut më të mirë diku tjetër, duke krijuar kështu një ‘distancë higjienike’ nga ajo.
Këto largime tregojnë një prirje të qartë se gratë që kanë treguar integritet dhe guxim përballë një sistemi politik të dominuar nga interesa të ngushta dhe mungesë meritokracie, shpesh zgjedhin të tërhiqen për të ruajtur dinjitetin dhe vlerat e tyre personal e profesional.
“Gratë që flasin për barazi, reforma apo transparencë shpesh etiketohen si ‘konfliktuale’, ‘rebele’ apo ‘joproduktive’. Në realitet, kjo është një mënyrë për të ruajtur një rend të vjetër politik, ku zëri i gruas së pavarur është i padëshiruar,” thotë Edlira Çepani.
Një hap përpara, dy hapa prapa?
Një grua sapo hyn në politikë, një tjetër sapo del prej saj, një tjetër vazhdon me këmbëngulje misionin e saj, dhe një tjetër krijon një parti. Ajo që i bashkon të gjitha është pranimi i një të vërtete të madhe: të jesh grua në politikë është një mision shumë i vështirë.
Deputetja Jorida Tabaku e ka përjetuar në lëkurë këtë rrugëtim: “Momentet më të vështira kanë qenë ato kur paragjykimet gjinore bëheshin pengesë për vlerësimin e punës apo ideve të mia. Jo rrallë është dashur të punoj dyfish për të provuar atë që për një burrë pranohej si e mirëqenë. Presioni për t’u përshtatur, për të qenë ‘lojaliste’ dhe jo kritike është shumë i madh. Për një grua që dëshiron të ruajë integritetin dhe mendimin e lirë, rruga është më e vetmuar dhe më sfiduese.”
Politikania më e re, Iris Luarasi e përforcon këtë: “Për mua, gratë që merren me politikë janë jashtëzakonisht të forta. Mjafton të shohësh rrjetet sociale, gratë janë ato që shahen, denigrohen dhe sulmohen më shumë. Jo vetëm gratë e një partie, por të të gjitha partive. Pse? Vetëm sepse janë gra. Një grua që del në skenë, që bëhet pjesë e debatit publik, kthehet menjëherë në tabelë qitjeje.”
Ndërkohë, Helena Kocaqi e përmbledh në një metaforë therëse: “Të ndërtosh parti si grua, në kushtet kur vendi nuk ka demokraci, është si të hysh në det me këmbë.”
Përballë një realiteti të tillë, Flutura Açka pyet me ironi: Kur do të rikthehem në politikë? Ndoshta kur të shohim një Parti Demokratike tjetër, të reformuar.”
Ajo shton me shqetësim të hapur për sistemin: “Problemi është se edhe tani, në këtë moment që flasim, patronazhimi vazhdon. Nuk ka formë më malinje se ajo që po ndodh me shqiptarët. Kur përmenda Çiçikovin, nuk e bëra kot. Ata na patronazhojnë, por pyetja është: sa rezistojmë ne? Duhet ta kuptojnë se kur japin votën për para, po shesin shpirtin e nipërve dhe mbesave të tyre, të ardhmen e tyre.”
E megjithatë, ka përpjekje për ndryshim e barazi në letër. Edlira Çepani sjell shembuj të partive që kanë ndërmarrë hapa për barazi gjinore: “Disa parti në Shqipëri kanë krijuar modele të mira në forma të ndryshme në lidhje me barazinë gjinore. Partia Socialiste ka bashkëkryetarë (një burrë dhe një grua) në strukturat vendore. Partia e Lirisë ka parashikuar me statut që 50% e financimeve publike t’i kalojnë strukturave të grave. Lëvizja Bashkë ka një program të detajuar për barazinë gjinore. Aleanca Kombëtare Shqiptare, e vetmja e drejtuar nga një grua, ka më shumë gra në listat e kandidatëve.”
Përtej statistikave, Çepani thekson rëndësinë e integrimit gjinor të thellë në çdo aspekt të partive politike: në ideologji, politikëbërje, vendimmarrje, financa dhe përfaqësim.
Hipokrizia politike në emër të grave
Politika shqiptare nuk i do gratë. Ky është fakt i një realiteti te dokumentuar nga përjashtimi sistematik, përdorimi simbolik dhe shpesh tallja publike. Dhuna ndaj grave në politikë nuk është me patjetër fizike, ajo është më shpesh simbolike, verbale dhe institucionale.
“Gratë shpesh injorohen në proceset vendimmarrëse, u mohohen pozitat kyçe dhe përjashtohen nga debatet serioze politike,” thotë Edlira Çepani, aktiviste për të drejtat e grave dhe drejtore e rrjetit “Barazi në Vendimmarrje”. Ky rrjet ka ngritur një Task-Forcë të posaçme për të evidentuar dhunën ndaj grave në politikë.
Sipas Ornela Liperi, pengesat janë shpesh të natyrës psikologjike: “Gratë perceptohen si më pak të korruptueshme se burrat, dhe pikërisht kjo ndershmëri perceptohet si rrezik në një sistem politik të zhytur në korrupsion.”
Analisti Afrim Krasniqi e përshkruan këtë realitet si një “shëtitore publike”, ku politika është më shumë imazh se përmbajtje. Ai thekson se dhuna simbolike dhe verbale, sidomos në rrjetet sociale, është bërë e papërballueshme për gratë aq sa, siç thotë vetë ai, “nuk mund ta imagjinoj çfarë kostoje ka kjo për një grua, një nënë, një profesioniste me përgjegjësi publike”.
Një nga shembujt më të qartë të kësaj hipokrizie është vetë Kryeministri Edi Rama. Në fushatat e tij të fundit, ai e ka paraqitur veten si super-heroi i grave, duke i vënë me fjalë në piedestal gratë dhe vajzat shqiptare. Por në realitet, gjuha e tij ka shërbyer si mjet përçmimi, ironizimi dhe bullizimi, si ndaj grave, ashtu edhe ndaj burrave e të rinjve. “Ai ka qenë mjaftueshëm i zgjuar për të përfituar politikisht në kurriz të grave, por pa fuqizuar realisht lidershipin e tyre,” thotë Irena Myzeqari. “Barazia gjinore është kthyer në një detyrim formal për të kënaqur ndërkombëtarët, jo një vullnet i brendshëm për transformim politik.”
Gjuha e tij tallëse e përçmuese nuk forcon imazhin e një lideri përparimtar, përkundrzi ajo kontribuon në një situatë ku gratë nuk ndihen as të përfaqësuara, as të respektuara. Në vend të përballjes me korrupsionin, krimin dhe mungesën e drejtësisë, ai ka zgjedhur spektaklin si formën e politikëbërjes.
Sipas Krasniqit, kjo fushatë është një akt i fundit mbijetese për protagonistët e vjetër politikë si Rama dhe Berisha, një luftë e fundit personale për pushtet, më shumë sesa një projekt shoqëror. Ndërkohë, premtimi i përhershëm “shkuarja në Europë” ka mbetur një slogan i konsumuar që fsheh mungesën e reformave të vërteta.
Përfshirja e grave në qeveri shpesh përdoret si dekor politik. Por për të ndryshuar realitetin, nuk mjafton prania numerike. Gratë duhet të dëgjohen, të kenë pushtet të vërtetë, të mos i nënshtrohen më një gjuhe tallëse e përjashtuese, dhe të mos shihen më si figurë simbolike për raportet ndërkombëtare.
“Në një Shqipëri që synon demokracinë e plotë dhe një shoqëri të drejtë, zëri i grave nuk është luks, është domosdoshmëri,” thekson Edlira Çepani. “Unë do të ndërtoja një platformë ku të gjithë të kenë zë të barabartë ku profesionistët, gratë, të rinjtë e fëmijët të mos trajtohen si elementë dekorativë, por si faktorë aktivë të ndryshimit.” Vetëm atëherë Shqipëria mund të pretendojë seriozisht se është në rrugën drejt Europës, jo si premtim bosh, por si projekt përfshirës, i drejtë dhe real.