Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka folur për zhvillimet politike, ku tre muaj pas zgjedhjeve, Kuvendi ka mbetur pa u konstituar.
Kurti në fjalimin e tij e ka refuzuar idenë e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për qeveri tranzicionale, por ka thënë se është i interesuar për qeveri normale.
“Për ta ndihmuar daljen nga kjo bllokadë siç e dini i ftova kryetarët e partive PDK-së e LDK-së, por ky i dyti refuzoi të vijë, ndonëse disa deputetë të LDK-së thanë se duhet të ketë marrëveshje politike. Për këtë e shkrova edhe një letër tjetër për koalicion LVV-LDK, por edhe ajo u refuzua. LDK më 2020 bëri koalicion me ne, tash pas reformave do të duhej ta kishte edhe më të lehtë për të hyrë në koalicion me neve.
Por nuk po ngjan kështu. Ndoshta rruga e re ka preferenca tjera. Ne duam qeveri normale jo të përkohshme e as të tranzicionit e as të opozitës. Dorën në zemër ky togfjalëshi është paradoksal, sepse opozita është opozitë se duhet të jete opozitë e qeverisë”, ka thënë Kurti.
Ndryshe, ditë më parë, LDK i ka kthyer një letër kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ku kanë refuzuar kërkesën për koalicion LVV-LDK, ndërsa kanë propozuar krijimin e një qeverie të tranzicionit, njofton telegrafi.