Ish-presidenti Alfred Moisiu është shprehur se vendi ynë ende nuk ka arritur të zhvillojmë zgjedhje të denja,ndërsa kërkoi që partitë politike duhet të jenë të kujdesshëm me gjuhën që përdorin dhe pavarësisht ndasive politike duhet të bashkohen për sfidat e mëdha që ka vendi. Në prag të zgjedhjeve të 11 Majit, ish-presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, në një intervistë për Ora News theksoi rëndësinë e zhvillimit të një procesi zgjedhor të qetë dhe dinjitoz.
“Kanë kaluar shumë vite që organizojmë zgjedhje, por ende nuk jemi mësuar t’i bëjmë ato siç duhet, të paktën gjatë periudhës parazgjedhore”, tha Moisiu. Ish-presidenti thekson se zgjedhjet janë një ngjarje madhore për çdo komb, por nuk duhet parë si një moment për përçarje apo gjuhë urrejtjeje.
Ai bën apel për bashkim dhe reflektim mbi problemet madhore që ka vendi, duke ftuar qytetarët të votojnë me përgjegjësi për të ardhmen.
“Gjuha duhet të jetë e kujdesshme, të mos kalojë në brutalitet apo në sjellje që na rikthejnë në periudha të errëta të së kaluarës”, u shpreh ish-kreu i shtetit shqiptar. Në përfundim, Moisiu shprehu shpresën për një proces zgjedhor të qetë dhe me pjesëmarrje të gjerë, duke theksuar se qytetarët kanë në dorë të kontribuojnë për një të ardhme më të mirë. / Nga Sonila Musai, oranews.