Nga: Dahest LUMA, Dietikon
Në Ditën e Evropës, më 9 maj 2025, redaksia e Qendrës Mediale Shqiptare SAM24.info (Swiss Albanian Media) në Dietikon pati kënaqësinë të mirëpriste z. Agim Pepaj, kryetarin e Shoqatës “Gjergj Kastrioti” me qendër në Bülach të Cyrihut.
Gjatë kësaj vizite miqësore, z. Pepaj përcolli urimet për sukseset e qendrës sonë mediale dhe njëherazi dorëzoi ftesën zyrtare për të marrë pjesë në manifestimin kulturor me rastin e 620-vjetorit të lindjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, që do të mbahet më 18 maj 2025 në Bülach.
Kryeredaktori i SAM24.info, PhD. Dashnim Hebibi, falënderoi z. Pepaj për vizitën dhe ftesën, si dhe për mundësinë që kjo qendër mediale të jetë sponsor medial i kësaj ngjarjeje të rëndësishme historike e kulturore. Ai e informoi z. Pepaj mbi punën e redaksisë në terren dhe angazhimin profesional që nga 24 marsi, kur SAM24.info u bë pjesë aktive e informimit për mërgatën shqiptare në Zvicër dhe më gjerë.
“Interesimi i lartë nga bashkatdhetarët tanë na motivon të zgjerohemi dhe të forcojmë më tej stafin redaksional. Qendra jonë është e bashkatdhetarëve, dera jonë do të jetë gjithmonë e hapur për mbështetje, sepse misioni ynë është ruajtja e identitetit kombëtar dhe forcimi i bashkëpunimit me vendet mike, si Zvicra”, u shpreh z. Hebibi.
Nga ana e tij, z. Pepaj vlerësoi projektin mediatik të SAM24.info si një nismë e fuqishme dhe e nevojshme për mërgatën shqiptare, që, siç tha ai, “jo vetëm informon, por edhe frymëzon brezat e rinj”. Ai konfirmoi gatishmërinë për bashkëpunim të ndërsjellë në të ardhmen.
Takimi përfundoi në një atmosferë të përzemërt dhe me zotimin për bashkëpunim të vazhdueshëm mes dy institucioneve.
FTESË ZYRTARE PËR NGJARJEN KULTURORE
Ekspozita “Gjergji në Art”
Në nder të 620-vjetorit të lindjes së Skënderbeut
Shoqata “Gjergj Kastrioti” Zvicër ka kënaqësinë të ftojë të gjithë shqiptarët, artdashësit dhe miqtë e kulturës në ekspozitën artistike “Gjergji në Art”, e cila i kushtohet figurës dhe trashëgimisë së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.
Data: 18 Maj 2025
Vendndodhja: Grampenweg 5, 8180 Bülach, Zvicër
Pritja e mysafirëve: nga ora 11:00
Fillimi i programit: në ora 13:00
Çmimi i hyrjes: Sipas dëshirës
Ekspozita do të përfshijë:
- Piktura – portrete dhe skena historike nga jeta e Skënderbeut
- Skulptura – vepra që mishërojnë heroizmin dhe madhështinë e tij
- Vizatime & grafikë – interpretime artistike të figurës së Skënderbeut
- Fotografi artistike – kompozime të frymëzuara nga trashëgimia e tij
- Arti vizual – forma të tjera krijuese që nderojnë Kryeheroin
Kjo është një ngjarje me rëndësi të veçantë për ruajtjen e identitetit dhe kulturës shqiptare në diasporë.
Të gjithë janë të mirëpritur!
Për më shumë informacion, kontaktoni Shoqatën “Gjergj Kastrioti”.